A preferohen ushtrimet në ujë për shtatzëna?

A preferohen ushtrimet në ujë për shtatzëna?

A preferohen ushtrimet në ujë për shtatzëna?Mjekët i këshillojnë shtatzënave një program me ushtrime të lehta gjatë shtatzanisë. Kjo zakonisht bazohet në ushtrime të llojit të cilat nuk i tendosin nyjet, gjunjët dhe këmbët.

Nëse dëshironi të qëndroni në formë, ushtrimet në ujë janë një zgjedhje e shkëlqyeshme. Nëse keni ndonjë problem, konsultohuni me mjekun tuaj, ai do të ju këshillojë më së miri nëse duhet të ushtroni ose jo.

Ushtrimet në ujë janë të thjeshta dhe të sigurta. Për ushtrime në ujë madje nuk keni nevojë të dini not sepse ushtrimet për fillestare bëhen në ujë të cekët të pishinës. Ushtrimet zakonisht bëhen në pishina të mbyllura ku është më e lehtë të kontrollohet temperatura.

Përse është mirë të ushtroni në ujë?
Gjatë qëndrimit në ujë do të ndjeheni e lehtë dhe nuk do të ndjeni tendosje në këmbë apo në kurriz, prandaj do ta keni më të lehtë të ushtroni. Shumë shtatzëna pohojnë që ushtrimet në ujë iu kanë lehtësuar neverinë dhe të përzierat e mëngjesit, iu kanë zvogëluar dhembjen e shputave dhe këmbëve, dhe mundësia për zgjerim të venave është më e vogël. Përveç kësaj është vërtetuar që ushtrimet në ujë janë parapregatitje shumë e mirë për lindje.

Këshilla të dobishme për ushtrime në ujë
Mos harroni që edhe nëse ushtroni në ujë, do të djersiteni, prandaj është e rëndësishme të pini sasi të mjaftueshme të ujit, para, gjatë dhe pas ushtrimeve. Gjithmonë mbani një shishe uji në dorë që të keni mundësi të freskoheni më shpesh.

Është shumë e rëndësishme që të zgjedhni rroba banjoje adekuate për ushtrime në ujë.

Nëse ushtroni në pishinë të hapur, mos harroni që para ushtrimeve të lyeheni me kremë për rrezitje sepse lëkura është më e ndjeshme ndaj diellit gjatë shtatzanisë. Poashtu, do të ishte mirë të vendosni edhe ndonjë kapele.

Që të kenë ushtrimet ndikim sa më të mirë, duhet të ushtroni rregullisht. Mjaftojnë 20 minuta ushtrime, tre herë në javë.

Filloni lehtësisht me ushtrimet. Mos i kushtoni vëmendje shtatzënave të tjera, është e rëndësishme që ju të ndjeheni mirë, edhe pse gjatë ushtrimeve të para sigurisht nuk do të jeni në formë, por me kohë do të përmisohet kjo dhe do të ndjeheni me më shumë kondicion.

Nëse në ndonjë moment ndjeheni keq, menjëherë ndërpreni ushtrimet. Përveç kësaj, është e rëndësishme të ndëgjoni trupin tuaj, nëse nuk jeni të disponuara për ushtrime, provoni me shëtitje apo not, ndoshta në ato momente do të ju pëlqejë më shumë.

Komento