Alergjia ne ushqim

Alergjia ne ushqim

Metodat e sotme për menaxhimin e alergjisë në ushqim mbështeten në edukimin e pacientëve në njohjen e reaksioneve dhe shenjave të para të sëmundjes dhe shmangia nga ushqimi që mund të provokojë alergjinë.Neziri B, Devaja Sh, Gegaj F.
Fakulteti i Mjekësisë, Instituti i Fiziologjisë Patologjike

Rezyme
Të dhënat statistikore tregojnë se incidenca dhe prevalenca e alergjisë në ushqim është në rritje e sipër. Nga ky problem në SHBA vuajnë diku rreth 3.5% e popullatës së përgjithshme. Statistikat e tjera kanë treguar se diku rreth 15% e popullatës së përgjithshme mendojnë se manifestojnë simptoma alergjike ndaj disa llojeve të ushqimit ose të përbërësve të tij.

Alergjia në ushqim mund të jetë e ndërmjetësuar nga IgE ose jo e ndërmjetësuar nga kjo imunoglobulinë. Alergjia në ushqimi e ndërmjetësuar nga IgE është vërejtur te rreth 3-6% të fëmijëve të vegjël deri në moshën 1 vjeçare, ndërsa 2-3% te fëmijët e moshës shkollore dhe është ndër shkaqet më të shpeshta të anafilaksisë.

Metodat e sotme për menaxhimin e alergjisë në ushqim mbështeten në edukimin e pacientëve në njohjen e reaksioneve dhe shenjave të para të sëmundjes dhe shmangia nga ushqimi që mund të provokojë alergjinë. Deri sot njihen këto metoda për mjekimi e alergjisë në ushqim apo për shmangien nga alergjia në ushqim-imunoterapia Anti-IgE, ushqimi hip-alergjik, imunoterapia me polen të mështeknës, strategjia e shmangies.

Hyrje

Studimet e bëra te fëmijët dhe te të rriturit kanë treguar se reaktiviteti simptomatik ndaj alergjenëve të ushqimit është më i lartë se kurdoherë më parë,veçanërisht ndaj kikirikëve, agrumeve të ngjashme me to dhe ushqimit të detit.

Të dhënat statisikore tregojnë se incidenca dhe prevalenca e alergjisë në ushqim është në rritje e sipër. Nga ky problem në SHBA vuajnë diku rreth 3.5% e popullatës së përgjithshme(2). Të dhënat e publikuara nga Burks me bashkëpunëtorë kanë treguar se në SHBA alergjia në ushqim është vërejtur dhe diagnostikuar te 6-8% e fëmijëve dhe 1-2% e përsonave të rritur. Derisa alergjia ndaj qumështit dhe vezëve është gjithëpërfshirëse, alergjia ndaj disa llojeve të tjera të ushqimit është specifike për vende të caktuara.

Kështu alergjia ndaj kikirikëve është problem madhor shëndetësor në SHBA, në Angli dhe në Francë, ndërsa alergjia në ushqimin e detit është problem sinjifikant për Italinë dhe Singapurin dhe alergjia ndaj farave të susamit është problem për Izraelin dhe Australinë.

Studimet shkencore të vitevet të fundit dhe rezultatet sinjifikante të fituara nga to kanë mundësuar që shumë probleme që kanë të bëjnë me reaksionet alergjike dhe trajtimin e tyre sot të kuptohen shumë më lehtë. Statistikat kanë treguar se diku rreth 15% e popullatës së përgjithshme mendojnë se manifestojnë simptoma alergjike ndaj disa llojeve të ushqimit ose të përbërësve të tij. Studimet e tjera të kontrolluara të kësaj fushe kanë treguar se shumica e problemeve alergjike të ushqimit manifestohen në vitet e para të jetës.

Prandaj mund të themi se alergjia në ushqim është një sëmundje kryesisht e fëmijëve dhe e moshave të reja. Megjithëse te shumë pacientë alergjia në ushqim është në rritje dhe shkon duke u ndërlikuar (e.g. në qumësht ose në vezë) te disa të tjerë (e.g. në kikirik, agrume të tjera të ngjashme, ose në peshk) ajo mbetet si e tillë për kohë më të gjatë. Pacientët të cilët krahas alergjisë në ushqim kanë edhe probleme me astëm i janë nënshtruar një rreziku në rritje për zhvillimin e një reaksioni të rëndë anafilaktik.

Alergjia në ushqim mund të jetë e ndërmjetësuar nga IgE ose jo e ndërmjetësuar nga kjo imunoglobulinë. Alergjia në ushqim e ndërmjetësuar nga IgE (përjashohet Sindroma Orale Alergjike – SOA) është vërejtur te rreth 3-6% të fëmijëve të vegjël deri në moshën 1 vjeçare, ndërsa 2-3% te fëmijët e moshës shkollore dhe është ndër shkaqet më të shpeshta të anafilaksisë.

Reaksionet dhe shenjat klinike më të shpeshta të cilat vërehen te pacientët (porsalindurit, motakët) te të cilët manifestohet alergjia në ushqim janë: ekzema, urtikaria, vjellja dhe diarrea e përcjellë ose jo me probleme respiratore.

Alergjia ndaj qumështit, vezëve dhe kikirikëve është më e shpeshtë te fëmijët e vegjël, derisa reaksionet alergjike ndaj pemëve, perimeve dhe agrumeve të tjera vërehet te fëmijët e moshës shkollore. Te kjo grupmoshë alergjia ndaj peshkut dhe guaskave është bërë gjithnjë e më prevalente.

Diagnoza e kësaj sëmundjeje mbështetet në testin IgE pozitiv (testet lëkurore alergjike, diagnoza invitro). Te rastet e alergjisë në ushqim, e cila nuk ka qenë e ndërmjetësuar nga IgE, reaksioni kryesisht manifestohet me simptoma gastro-intestinale (p.sh., vjellje, diarre, dhimbje barku, melenë).

Në këto raste testi i IgE mbetet negativ, ndërsa diagnoza mbështetet në historinë e sëmundjes, simptomatologjinë karakteristike që përsëritet dhe në disa raste edhe në dietën ushqimore të përcjella nga specialisti i alergjisë. Fëmijët të cilët vuajnë nga alergjia në ushqim dhe që njëkohësisht kanë edhe probleme respiratore (edema e laringsit, astma) i janë nënshtruar një rreziku në rritje për të zhvilluar reaksione të rënda anafilaktike.

Metodat e sotshme për menaxhimin e alergjisë në ushqim mbështeten në edukimin e pacientëve në njohjen e reaksioneve dhe shenjave të para të sëmundjes dhe shmagia nga ushqimi që mund të provokojë alergjinë. Pacientët gjithashtu duhet të udhëzohen të mbajnë me vete epinephrine vetinjektuese si dhe antihistaminikun (liquid cetrizine ose diphenhyramine).

Megjithëse është investuar mjaft në edukimin e pacientëve të dhënat tregojnë se rreth 50% e fataliteteve të kësaj natyre bëhen nga alergjia në kikirik dhe 96% kanë pasur simptoma astmatike, derisa rreth 94% e këtyre pacientëve kanë pasur edhe më parë reaksione alergjike. Kjo tregon se edukimi i pacinetëve nuk është i mjaftueshëm, prandaj zhvillimi i një strategjie të re të trajtimit është më se e domosdoshme dhe thelbësore.

Imunoterapia Anti-IgE

Sampson me bashkëpunëtorë kanë paraqitur risitë e tyre studimore rreth mundësisë së Imunoterapisë Anti-IgE dhe prodhimit të proteinës së rikombinuar me procesin e inxhinieringut.

Këta shkencëtarë kanë paraqitur të dhënat nga eksperimenti i tyre (dyfish i verbër, placebo-i kontrolluar, randomizuar, dozë ngritës i antitrupave human anti-IgE-TNX-901) i realizuar në 84 adoleshnetë dhe adultë me moshë 12-60 vjeç.

Autorët e këtij hulumtimi kanë përfunduar se ky tip i imunoterapisë nuk i shëron tërësisht pacientët, të cilët kanë probleme me alergjinë në ushqim, por ndihmon shumë në parandalimin e reaksioneve të rënda që mund të jenë pasojë e asaj alergjie. Prodhimi i proteins përfshin identifikimin e proteinës kryesore alergjenike (Ara h1-3), izolimin, sekuentimin dhe klonimin (kopjimin) e tërë vargut të ADNc. Pas këtyre procedurave është i mundshëm identifikimi i epitopeve lidhëse të IgE së proteinës kryesore alergjenike (Ara h1-3).

Duke e shfrytëzuar mutagjenezën e PCR, shkencëtarët arritën të zëvendësojnë një aminoacid të vetëm në vetë epitopet. Rezultati i kësaj është eliminimi ose redukimi i pjesëve lidhëse të IgE derisa përgjigja proliferative e qelizat T ka mbetur e pandryshuar. Studimet në këtë fushë janë ende në proces dhe mendohet se në të ardhmen proteinat e modifikuara alergjenike do të bëjnë kthesë në qasjen ndaj problemeve të alergjisë me ushqim.

Ushqimi hipo-alergjik

Karin Hoffmann Sommergruber ofron alternativë tjetër në qasjen ndaj problemeve të alergjisë me ushqim. Ajo mbështet metodat për krijimin e ushqimit ‘’hipo-alergjik’’. Me këtë rast proteinat totale do të reduktohen, denatyrohen ose hidrolizohen (p.sh., qumështi pluhur) apo do të mënjanohen në mënyrë selektive vetëm proteinat alogjenike.
Sot ekzistojnë disa metoda përmes së cilave reduktohet niveli i alergjeneve në ushqim dhe këto janë:

1. Mbjellja, kultivimi dhe selektimi i bimëve hipo-alergjike;
2. Mënjanimi i alergjenëve nga ushqimi përmes modifikimeve gjenetike;
3. Strategjia e përpunimit të ushqimit (larja, grimcimi, qërimi);
4. Post procesimi i ushqimit.

Para se të përgatitet ushqimi hipo-alergjik duhet të përcaktohet cila proteinë shpreh aktivitet alergjenik. Në mesin e mijëra proteinave të pranishme në botën bimore, vetëm një numër i vogël i tyre mund të provokojë simptoma alergjike te personat atopikë. Përkundër të gjitha këtyre përpjekjeve dhe nevojave Prof. Hoffmann-Sommergruber përfundon se në të ardhmen e aftërt nuk do të kemi në dispozicion ushqim të lirë nga alergjenet.

Imunoterapia me polen të mështeknës

Prof. Andre Knulst ka paraqitur një mundësi tjetër kontraverze por mjaft interesante në trajtimin e alergjisë në ushqim. Kjo është ‘’ Imunoterapia me aeroalergjene kros-reaktive’’. Të dhënat studimore kanë treguar se ekziston një ndërlidhje e ngushtë në mes alergjenëve kryesorë të polenit të mështeknës dhe të shumë alergjenëve të tjerë të ushqimit me natyrë bimore.

Është konstatuar se te rreth 70% e pacientëve me alergji ndaj polenit të mështeknës zhvillohet më vonë edhe alergjia në ushqim dhe atë sidomos në pemët e freskëta (familja rosacae), pemët thelbore (lajthitë, arrat, bajamet, kikirikët), perimet.

Studime të shumta të kësaj fushe janë bërë në shumë vende të botës dhe të dhënat e fituara kanë treguar se imunoterapia me polen të mështeknës ka pasur efekt të dobishëm në trajtimin e kros-reaktiviteti të alergjisë në ushqim.

Strategjia e shmangies

Prof. Richard Pumphrey ka mbështetur teorinë tjetër sipas së cilës pacientët e rrezikuar nga alergjia në ushqim duhet të shmangen ushqimit që mund të provokojë alergjinë.

Ky mendon se edukimi i pacientëve për të njohur dhe për t’u shmangur ushqimit me rrezik të lartë të provokimit të alergjisë është rrethana më e rëndësishme, madje më e rëndësishme se të gjitha metodat e përmendura më lart.

Në mënyrë të përgjithësuar ne mund të themi se sot në horizont vërehen mundësi të reja për të luftuar alergjinë në ushqim. Trajtimi me Imunoterapinë Anti-IgE bënë që jeta e pacientëve me probleme të alergjisë në ushqim të jetë më e sigurt.

Imunoterapia me proteina të rikombinuara ushqimore mund të jetë kurative, derisa studimet e kohëve të fundit kanë treguar se ekziton një relevancë e dukshme në trajtimin e alergjisë në ushqim me imunoterapinë me polen të mështeknës.

Në anën tjetër, përdorimi i metodave për përgatitjen e ushqimit hipo-alergjik mund t’ju ndihmojë shumë pacientëve të cilët vuajnë nga problemet e alergjisë në ushqim.
Por një gjë është e sigurt se asnjëra nga medotat e lartpërmendura nuk po përsoset dhe as nuk po zhvillohet me shpejtësinë e dëshiruar nga pacinetët që vuajnë nga këto probleme dhe mjekët të cilët e lufojnë atë./telegrafi/

Komento