Armiqte qe u shkaterrojne jeten femrave

Armiqte qe u shkaterrojne jeten femrave

Shëndeti i femrave në përgjithësi është mirë, por jo shkëlqyeshëm. Fatmirësisht ka dy faktorë pozitivë që duhen theksuar: jetëgjatësia po rritet dhe nga vitet 2002-2006 vdekshmëria është ulur nga 1,35 në 1,16 për 10 mijë femra.

Tumoret si ai i gjirit, edhe pse në rritje, në pjesën më të madhe të rasteve diagnostikohen në kohë. Por nuk mund të harrojmë rritjen e numrit të pacientëve të shtruar në spital për sëmundjet psikiatrike. Gjithashtu, është rritur ndjeshëm edhe përqindja e obezitetit, me 35%.

Por e dhëna më alarmante mbetet lindja, që në 40 për qind të rasteve kryhet në mënyrën cezariane”, – thonë sot mjekët.

Duke krahasuar kohët, vërejmë se një femër e ditëve të sotme ndryshon shumë nga ajo e dhjetë viteve më parë. Është më e brishtë, me një shëndet jo fort të mirë dhe që është shumë e vështirë t’i qëndrosh pranë në çaste vendimtare, si për shembull gjatë lindjes. “Në Francë, vetëm 20 për qind e lindjeve bëhen me operacion, ndërsa në Britaninë e Madhe, 15%. Në këto vende sistemi shëndetësor është në standarde më të larta”, – thotë një gjinekologe.

Sipas një neuropsikiatreje, çdo vit, 3 milionë persona shtrohen në spital për shqetësime psikiatrike. Pjesa më e madhe e tyre janë femra, pasi abuzojnë me antidepresivët. E dhëna më e rëndësishme ka lidhje me çrregullimet në të ngrënë, prej të cilës vuan edhe 5% për qind e popullsisë. “Ky mund të jetë brezi i parë i femrave gjatë këtyre 20 vjetëve që ka një jetëgjatësi më të ulët se ajo e nënave të tyre. Ka gjasa që jeta mesatare e një gruaje, që deri më sot është rritur, të pësojë ndonjë ndryshim”, – thotë një psikologe. Faktorët shkatërrues janë të shumtë, por kryesori mbetet stresi. Siç thuhet shpesh, gruaja është shtylla e shtëpisë dhe shpesh merr mbi vete aq shumë përgjegjësi, saqë mund ta kalojë limitin e durimit. “Gjithsesi, deri sa në krye të strukturave shëndetësore të qëndrojnë meshkuj nuk do të ketë kurrë ndërgjegjësim për problemet e femrave”, – thekson psikologia. Ajo shton se, “nevojitet një sistem tjetër shëndetësor, më tepër fushata sensibilizuese. Kryesisht femrave të zonave rurale nuk u kushtohet shumë vëmendje. Ato që jetojnë nëpër qytetet e mëdha, të bombarduara nga programet e kujdesit për zemrën, e dinë për shembull, se çfarë është e mirë për t’u ngrënë, por shpesh ushqehen në mënyrë të gabuar, larg dietës mesdhetare dhe bëjnë jetë sedentare. Duhet t’i ndihmojmë shumë që të luftojnë këtë tendencë”. Numri i femrave mbipeshë sa vjen dhe rritet, e si pasojë ato vuajnë edhe nga diabeti. Në krahasim me dhjetë vite më parë, pinë dhe tymosin më shumë (statistikat e duhanpirëseve mbi moshën 15-vjeçare kanë arritur 16,63%) dhe konsumojnë një sasi antidepresivësh më të lartë se meshkujt. Për herë të parë në jetë, stili i gabuar i jetesës mund t’u rrezikojë jetëgjatësinë. Vajzat e sotme, shumë të dobëta para duhanit dhe alkoolit, rrezikojnë të jenë brezi i parë që do të jetojnë më pak se nënat e tyre nëse nuk heqin dorë nga këto vese. Këto janë të dhënat që dalin nga një libër.

Barku, pjesa e trupit më e urryer te femrat
Zakonisht femrat kanë një raport të vështirë me barkun e tyre. Për 54 për qind, pra një në dy femra, barku është problemi kryesor estetik, më pas vijnë këmbët (38%). Ky sondazh është realizuar në vitin 2009 nga një qendër kërkimesh përmes internetit dhe intervistës i janë përgjigjur 19 milionë femra nga mosha 18 deri në 64 vjeçe.

Rezultatet e sondazhit
Barku mban vendin e parë në klasifikimin e pjesëve të trupit, që sipas vajzave, ka ndryshuar më shumë gjatë pesë viteve të fundit. Kjo është konfirmuar nga 29 për qind e femrave, një vlerë pothuajse dyfish, po ta krahasosh me 15 përqindëshin e fytyrës, që pozicionohet në vendin e dytë. Por nuk mbaron këtu: ndryshimi ka ndodhur edhe gjatë një kohe relativisht të shkurtër, për shembull në 24 orë, siç shprehen edhe 41 për qind e të intervistuarave. Pra, nëse një pjesë e mirë e femrave kanë një raport pozitiv me trupin e tyre, 50 për qind jep vlerësime të mira ose maksimale, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për barkun, për të cilin krenare janë vetëm 23 për qind e fermave.

Komento