Avena sativa: Tërshëra

tershera

Familja: Graminaceae.
Nga 25 lloje të njohura, vetëm Avena sativa përdoret në mjekësi. Është bimë njëvjeçare, me lulesë të përbërë nga një melth i hapur. Kallinjtë janë me lule hermafrodite. Lulëzon nga maji në korrik dhe farat piqen nga fundi i verës, pasi kanë ndenjur rreth dy javë në një fazë qumështore. Thuhet se origjinën e ka nga Skocia. Tani kultivohet në gjithë botën. Në Shqipëri gjendet e egër në rrethinat e Delvinës, ndërsa e kultivuar rritet në të gjitha krahinat. Cilësitë mjekuese të bimës së egër janë më të spikatura sesa në bimën e kultivuar.

Pjesë të përdorshme: Farat.
Mblidhen në fund të verës, fillim të vjeshtës, në varësi nga koha e mbjelljes dhe nga moti. (Përdoret për të njëjtat qëllime edhe kashta e tërshërës, e njomë ose e tharë).

Përmban: Amidon, proteina, glukokinina, aveninë, saponina, vanilinë, etj. Përmban gjithashtu hekur me bollëk, nikel, potas, magnez, kalçium, bakër, manganez, zink, squfur, fosfor, etj. Përmban edhe vitamina, si p.sh. vit. B (të rritjes), vit. B/6, C, E, PP, etj. Cilësitë kryesore vepruese: Stomakike, mucilagjinoze, hipotonike,
antisklerotike, forcuese e organizmit në tërësi. Tërshëra është drithi më energjitik që ekziston në tokë.

Qëllimi i përdorimit:
Nuk ka kaluar pa u vërejtur se kuajt dhe kafshë të tjera shtëpiake të punës, të ushqyera me tagjí, domethënë me farat e tërshërës, kanë një shëndet, rezistencë e rendiment pune të pakrahasueshëm me kafshët që nuk ushqehen me të.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që mund të kenë të njëjtin efekt te njeriu, por nuk duhet harruar që shumica e cilësive mirëbërëse e mjekuese të bimëve janë zbuluar pikërisht duke vërejtur sjelljen e kafshëve e të shpendëve ndaj tyre.
Përdoret për rritje të mbarë e pa probleme të fëmijëve.
Përdoret si ushqim forcues në të sëmurët që kanë vuajtur gjatë, sepse asimilohet shumë mirë nga organizmi.
Përdoret për të ristabilizuar energjitë nervoze.
Përdoret për të pakësuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Përdoret për të stabilizuar traktin tretës në njerëzit me infeksione të forta në pankreas.
Gratë shtatzëna kanë shumë avantazhe për fëmijën, nga përdorimi i tërshërës (kokrra dhe kashtë).
E përdorur si maskë zbukuron lëkurën duke hequr rrudhat. E lëmon dhe e pastron.
Çaji i tërshërës është i dobishëm kundër depresionit, dhimbjeve të kokës, pagjumësisë, gjendjeve të tensionuara, gjendjeve të trishtuara, kundër dhimbjeve nervore, mbilodhjes, etj.

Mënyra e përdorimit:
Lëngu i fituar nga zierja e dy-tre lugë kafeje me kokrra tërshëre në 150 ml. ujë pa klor, i kulluar e i përzier me një lugë gjelle mjalt, është një pije energjitike për gjithë ata që duan të shijojnë jetën. Pihen dy-tre filxhanë çaji në ditë.
Në formë supe: 60 gr. kokrra tërshëre të zhveshura e të pastruara, 30 gr. elb, gjithashtu i pastruar dhe, 30 gr. oriz, gatuhen me vaj ulliri dhe pak qepë të grira imët. Shtojmë erza të njoma dhe ca pika limoni sipas dëshirës. Del një supë e shijshme nga e cila duhet të  hanë disa lugë me dëshirë, dy-tre herë në ditë, që nga fëmijët e djepit deri në të moshuarit që duan të jetojnë gjatë, mirë e të fuqishëm.

Në formë tinkture përdoret sipas këshillave të prodhuesit.
Çaj me kashtën e tërshërës: marrim tre lugë kafeje me kashtë të thatë e të thërmuar tërshëre, e hedhim në 150 ml. ujë të valuar, e mbulojmë enën me kapak dhe e lëmë 10-15 min. në qetësi, pastaj e kullojmë, e ëmbëlsojmë me mjalt dhe e pimë të vakët. Marrim tre filxhanë çaji të tillë në ditë.
Kundër depresionit dhe për përmirësimin e gjumit mund të përdoret e bashkuar me bar pelini, etj.

Kujdes!
Nëse nuk përdoret në doza të ekzagjeruara, tërshëra nuk krijon asnjë problem. Kështu thonë organizmat shëndetësore ndërkombëtare që merren me studimin e bimëve. S’ka ndërveprime të dëmshme me preparate farmaceutike, ose bimë të tjera mjekësore.

Komento