Bronkopneumonia

Bronkopneumonia

BronkopneumoniaÇdo infeksion viral stimulon zhvillimin e një infeksion bakterial, që normalisht është bronkopneumonia aspo siç e quan populli, i ftohur. Disa nga shenjat e virozës janë temperatura e lartë 38-39-deri në 40 gradë, të vjella, rrufë dhe pak kollë.

Ndërsa shenjat e komplikacioneve pneumonare janë atëherë kur fillojnë të dalin shenjat respiratore në pah, kur temperatura nuk është më aq e lartë por fillon vështirësia në frymëmarrje, sekrecionet dhe kollë e fortë.

Bronkopneumonia është një sëmundje tepër e përhapur dhe që shkaktohet nga disa shkaqe të ndryshme.

Megjithatë, një prej faktorëve kryesor që ndikon në zhvillimin e kësaj sëmundje janë luhatjet e temperaturave. Kategoria më e rrezikuar nga kjo sëmundje janë fëmijët.

Megjithatë, nuk janë më pak të rrezikuara moshat e treta dhe të sëmurët me probleme të tjera kronike. Shenjat kryesore të sëmundjes së bronkopneumonisë janë temperaturat e larta që shkojnë deri në 38 gradë, si dhe rrjedhjet e sekrecioneve nga hunda. Bronkopneumonia mund të kthehet edhe në laringjit dhe në të tilla raste, karakterizohet nga një kollë e thatë dhe e fortë gjatë natës.

Në këto raste frymëmarrja bëhet e rëndë, e sipërfaqshme dhe më e shpeshtë, duke ngarkuar me intensitet edhe muskujt e kraharorit. Për këtë arsye pacientët e prekur nga bronkopneumonia ankohen nga dhimbja e kraharorit dhe shpatullave.

Anomalia e shkëmbimit të gazrave, pakësimi i oksigjenit në gjak, si dhe shtimi i gazit karbonik, krijon në fytyrën e të sëmurëve ngjyrën mavi, e cila vihet re sidomos në pjesën e buzëve. Këta të sëmurë janë gjithnjë të lodhur, në gjendje plogështie, si dhe dhimbje të kokës.

Megjithatë nuk mungojnë edhe rastet kur këta të sëmurë shfaqin edhe shqetësime të tipit, turbullim i vetëdijes. Në lidhje me kollën, këshillohet bërja e avullit dhe mjekim i shpejtë që në çastin e diagnostikimit të sëmundjes. Në rastet kur imuniteti i organizmit të të sëmurit nuk është i mirë, kalohet në komplikimet e gripit.

Komplikimet në të cilat kalohet janë bronkitet akute, bronkopnemumonia dhe më vonë vazhdojnë të shfaqen probleme të tjera, si për shembull: infeksione urinare, apo infeksione të veshit. Infeksionet pulmonare shkojnë deri në bronkite dhe bronkopneumoni.

Bronkopneumonitë ndodhin si shkak i humbjes së elasticitetit të muskujve të muskujve të bronkeve. Këto të fundit mund të mbyllen për shkak të moshës dhe mbylljes së bronkeve, gjë e cila favorizon infeksionin. Komplikimet më të shpeshta të bronkopneumonisë shfaqen kryesisht te moshat e treta dhe te fëmijët. Rekomandimet në këto raste janë, dhënia e vaksinës së gripit tek fëmijët e vegjël deri pa mbushur akoma tre vjeç, si dhe të moshuarit.

Gjithashtu, vaksinimi është i rekomandueshëm edhe për personat që nuk janë në moshë të vjetër, por që mund të kenë probleme kardiake, apo sëmundje kronike. Kontakti i menjëhershëm me mjekun duhet të bëhet në rastet kur temperatura nuk ulet nën 38 gradë, kur i sëmuri fillon të ketë kollë të fortë, kur ka dhimbje të forta të gjoksit dhe vështirësi në frymëmarrje.

Pasi i sëmuri ka kryer vizitën te mjeku specialist duhet të fillojë trajtimin me antibiotikë. Këshilla kryesore e mjekëve specialistë për të sëmurët me bronkopneumoni është konsumimi i lëngjeve, i ushqimeve me proteina si për shembull supa, mishi, veza, si dhe mjalti në rastet kur kombinohet me lëngun e limonit. /Telegrafi/

Komento