Cajrat per dobesim

Cajrat per dobesim

Sipas shpjegimeve të specialistëve, sa më pak të përdorni çaje për dobësim, aq më shumë mund ta ruani shëndetin tuaj. Por edhe nëse i konsumoni, gjithçka me masë. Bëni kujdes me blerjet “online”, sepse siguria jo gjithmonë është e garantuar.

Vazhdojmë të lexojmë nëpër gazeta, revista, internet për çajet që kanë aftësi të jashtëzakonshme dobësimi, pastrimi dhe çlodhjeje. Në disa raste nuk kuptohet nëse bëhet fjalë për artikuj “të vërtetë” apo reklama, por mbi të gjitha nuk dihet ende se çfarë përmbajnë saktësisht këto produkte (duken si receta të fshehta).

Duke i porositur produktet, në internet ose me postë, mbi paketimet e tyre a ka gjasa të gjejmë informacione më të sakta? Normalisht kjo gjë është e detyrueshme për çdo kompani prodhimi. A mund të ndihmojë përzierja e bimëve të ndryshme në rrëzimin e kileve të tepërta? Arrihet rezultati i dëshiruar edhe pa hequr dorë nga ushqimi?

Duke qenë se po afrohet stina e bukur e verës, të gjitha vajzat kanë filluar të gjejnë mënyra të ndryshme për t’u dobësuar, përfshi këtu edhe atë përmes çajeve. Kështu para se të filloni të konsumoni çajet për dobësim, është mirë të keni informacionin e duhur rreth tyre, për të kuptuar nëse gjithçka që keni dëgjuar është reklamë, apo ka me të vërtetë efekt të tillë.

Të dhënat e shkruara mbi kuti duhen verifikuar gjithmonë, sidomos kur shkruhet për dobësim deri në limitin e mrekullisë dhe akoma më shumë kur nuk kërkohet përdorimi i ndonjë diete të veçantë.

Për sa u përket “barërave” mund të kenë një rol “pastrues dhe diuretik”, por jo dobësues, sepse ato që kanë vërtetë këtë karakteristikë u nënshtrohen rregullave përkatëse dhe nuk janë në shitje të lirë, pasi klasifikohen si të rrezikshme.

Si rregull i përgjithshëm, duhet të preferoni gjithmonë çajet që kanë sasi të vogël bari, pra të gjitha ato që i referohen këtij kushti. Duhet të shmangni medoemos produktet me bazë bimore që gjenden me shumicë në tregun e lirë: te produktet që tregtohen ligjërisht në farmaci keni garancinë e mungesës së bimëve të ndaluara dhe respektimin e normave të parashikuara. Çdo pako çaji që tregtohet në farmaci duhet të jetë e aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe kjo është një formë garancie.

Megjithatë mbi etiketë, ashtu edhe në fletën e brendshme të pakos, nuk mund të jenë të shkruara efektet terapeutike, sepse këto lloj produktesh klasifikohen si shtesa dhe jo si barna.

Duhet të keni parasysh që asnjëherë nuk duhet të blini dhe aq më shumë të blini produkte me përmbajte të fshehtë. Këtu vlen të përmendet që produktet më të frikshme janë ato që blihen përmes internetit, që përmbajnë edhe bimë me prejardhje ekzotike, ku asnjë nuk mund t’ju sigurojë për cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin. Në këto raste mund të bëhet fjalë edhe për bimë të ndaluara nga organet përkatëse. Nëse dëshironi të dobësoheni, mund t’ia arrini qëllimit në mënyra të tjera, por jo vetëm me “barëra”, siç mund t’ju sugjerojë ndonjë. Fillimisht duhet të ndryshoni mënyrën e të jetuarit. Duhet të filloni të bëni në mënyrë konstante aktivitet fizik, duke e shoqëruar edhe me një dietë hipokalorike, por të ekuilibruar në konsumimin e proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve (siç ju rekomandojnë edhe dietologët). Pastaj vijnë barishtet, gjithmonë ato të duhurat, sepse çajet mund t’ju ndihmojnë të përmirësoni disa funksione të organizmit (për shembull, atë intestinal) për të larguar mbledhjen e ujërave atje ku duhet, si dhe për të zvogëluar ndjesinë nervore të urisë. Megjithatë duhet të keni diçka parasysh: çajet nuk e shkrijnë dhjamin.

Po ashtu nuk duhet të harroni se jo të gjitha çajet mund t’ju bëjnë mirë të gjithë njerëzve: për shembull ata që vuajnë nga sëmundja e tiroideve nuk duhet të marrin pa masë produkte me bazë algat; ata që janë me ilaçe duhet të dinë se shumë bimë pa këshillën e një eksperti, mund të ulin efikasitetin e barnave apo t’i bëjnë ato toksike.

Komento