Ç’është gjakrrjedhja e çrregullt nga mitra

Ç’është gjakrrjedhja e çrregullt nga mitra

Gjakrrjedhja nga mitra është një shenjë e cila gjithmonë shkakton shqetësim te secila grua, pa marrë parasysh moshën e saj.

Gjakrrjedhja e cila ndryshon nga menstruacionet normale është një shenjë alarmi.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
[email protected]

Gjatë ciklit menstrual zhvillohen disa folikula dhe normalisht vetëm njëri nga këta rritet më tepër. Në ditën e katërmbëdhjetë të ciklit nga ky folikul lirohet qeliza vezë. Nëse kjo qelizë vezë bashkohet me spermatozoidin, atëherë vjen te shtatzënia. Nëse qeliza vezë nuk bashkohet me spermatozoidin, atëherë shtresa e brendshme e mitrës (endometriumi) shkolitet dhe shfaqet gjakrrjedhja menstruale. Normalisht secila grua gjatë moshës reproduktive i ka menstruacionet çdo 21 deri 35 ditë, menstruacionet zgjasin 2-7 ditë dhe vëllimi i gjakut është rreth 80 mL. Është vështirë që të matet vëllimi i gjakut që humbet, por konsiderohet normale nëse i përdorni jo më shumë se tetë binde në ditë dhe nëse gjakrrjedhja është e shprehur jo më gjatë se dy ditë.

Për të emërtuar gjakrrjedhjen e çrregullt nga mitra përdoren këto terma:

Menorragjia – gjakrrjedhja e shtuar (mbi 80 mL) dhe e zgjatur menstruale (mbi 7 ditë).

Metrorragjia – është gjakrrjedhja që shfaqet në intervale jo të rregullta, zakonisht midis menstruacioneve.

Menometrorragjia – është kombinim i të dyjave, domethënë ka gjakrrjedhje të shtuar menstruale dhe gjakrrjedhje në intervale jo të rregullta.

Është shumë e rëndësishme që të zbulohet se cili është shkaku i gjakrrjedhjes, të zbulohet origjina e gjakrrjedhjes (a është nga mitra, vagina apo nga ndonjë organ tjetër) dhe më pas të merren masat për ta ndalur këtë gjakrrjedhje.

Gjakrrjedhja e çrregullt nga mitra shkaktohet nga shumë shkaktarë. Shkaku më i shpeshtë është shtatzënia. Gjakrrjedhja mund të shfaqet për shkak të polipeve ose miomëve. Më rrallë, gjakrrjedhja shkaktohet nga problemet me gjëndrën tiroide, infeksioni ose kanceri i qafës së mitrës.

Te shumica e grave shkaku i gjakrrjedhjes është disbalansi hormonal. Ky disbalans është shumë më i shpeshtë tek vajzat e reja dhe tek gratë të cilat janë afër menopauzës.Te femrat e reja shkak i shpeshtë i gjakrrjedhjes është shtatzënia. Shumë gra kanë gjakrrjedhje në fillim të shtatzënisë.

Gjakrrjedhja shkaktohet nëse nuk ndodhë ovulacioni. Ovulacioni është lirimi i qelizës vezë gjatë ciklit menstrual. Nëse nuk ndodhë ovulacioni, atëherë prodhohet vetëm estrogjeni. Estrogjeni është hormon i cili e bën shtresën e brendshme të mitrës (endometriumin) më të trashë. Për shkak të prodhimit të vazhdueshëm të estrogjenit, shtresa e brendshme trashet shumë dhe si rrjedhojë vie deri te gjakrrjedhja e shtuar.

Çrregullimet e ovulacionit janë më të shpeshta tek adoleshentet dhe tek gratë të cilat janë afër menopauzës. Trashja e shtresës së brendshme të mitrës tek gratë midis 40 dhe vjeç është një shenjë e cila duhet hulumtuar. Kur endometriumi është i trashë, gjithmonë duhet të përjashtohet mundësia e pranisë së kancerit të endometriumit. Nëse jeni në këtë grupmoshë dhe keni gjakrrjedhje të çrregullt nga mitra, patjetër duhet të konsultoheni me gjinekologun. Kjo gjakrrjedhje mund të jetë pjesë normale e zhvillimeve në organizmin tuaj për shkak të moshës, por është shumë me rëndësi që të përjashtohet mundësia që gjakrrjedhja vjen për shkak të kancerit.

Për të zbuluar shkakun e gjakrrjedhjes së çrregullt nga mitra mund të bëhen disa analiza dhe ekzaminime, gjë që varet nga mosha që keni. Patjetër duhet të bëhet një ekzaminim me ultrazë për të parë mitrën dhe vezoret. Mund të jetë e nevojshme që të bëhet biopsia e endometriumit. Kjo është një procedurë e padhembshme gjatë së cilës një tub i hollë plastike futet brenda në mitër dhe përmes tij merren disa qeliza endometriale të cilët më vonë analizohen nën mikroskop.

Një ekzaminim tjetër që mund të bëhet është histeroskopia. Histeroskopi është një gyp i hollë i lidhur me kamerë i cili futet brenda në mitër. Me histeroskop shihet brendia e mitrës dhe nëse shihet diçka jonormale mund të korrigjohet gjatë kësaj procedure. Ka disa mënyra të trajtimit të gjakrrjedhjes së çrregullt nga mitra.

Trajtimi varet nga shkaku i gjakrrjedhjes, nga mosha që keni si dhe nga fakti se a doni apo jo të mbeteni shtatzënë.

Një nga mënyrat e mjekimit janë pilulat kontraceptive. Këto pilula kanë hormone të cilat bëjnë që endometriumi të jetë i hollë. Njëkohësisht cikli menstrual rregullohet dhe dhimbjet menstruale janë më të vogla. Ka disa lloje të këtyre pilulave, prandaj patjetër duhet të konsultoheni me gjinekologun para se të vendosni të merrni këtë mjekim.

Mënyrë tjetër është vendosja e spirales brenda në mitër. Ekziston një lloj i spirales e cila liron hormone dhe rrjedhimisht në mënyrë të konsiderueshme e zvogëlon gjakrrjedhjen.

Për të ndalur gjakrrjedhjen ndonjëherë bëhet edhe dilatimi dhe kyretazhi. Kjo procedurë kryhet nën anestezion të përgjithshëm. Me kyretazhe gërryhet brendia e mitrës dhe materiali dërgohet për ekzaminim histologjik. Nëse gjakrrjedhja është e madhe, kyretazhi ka dy funksione, ajo edhe e ndalë gjakrrjedhjen, por ndihmon edhe në gjetjen e shkakut të saj.

Histerektomia është një operacion gjatë të cilit hiqet mitra. Kur hiqet mitra, një grua nuk do të ketë më gjakrrjedhje dhe nuk do të mund të mbetet shtatzënë.

Histerektomia është operacion madhor i cili kryhet nën anestezion të përgjithshëm dhe pas të cilit duhet të qëndroni për disa ditë në spital.

Ablacioni i endometriumit është në procedurë kirurgjike gjatë së cilës shkatërrohet endometriumi. Për dallim nga histerektomia, gjatë kësaj procedure nuk hiqet mitra. Pas ablacionit të endometriumit shumica e grave nuk do të kenë menstruacione, ndonëse disa mund të kenë gjakrrjedhje të lehtë.

Edhe pse pas ablacionit të endometriumit gjasat për shtatzëni janë të vogla, megjithatë gjinekologu do t’ju rekomandojë edhe ndonjë metodë për t’u mbrojtur nga shtatzënia (zakonisht pas ablacionit insertohet spiralja Mirena e cila liron hormone).

Ablacioni i endometriumit është një procedurë shumë e përshtatshme, sepse pas kësaj procedure ju mund të shkoni në shtëpi menjëherë. /Telegrafi/

Komento