Çfarë është ADHD-ja?

Çfarë është ADHD-ja?

Çfarë është ADHD-ja?ADHD-ja është një ndër problemet më të mirënjohura të zhvillimit të fëmijës, që karakterizohet nga pavëmendja, aktiviteti i shtuar dhe impulsiviteti. Ajo që dihet është se këto shenja vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në moshë të rritur.

ADHD-ja është çrregullimi i zhvillimit të kohëzgjatjes së vëmendjes (në përshtatje me moshën), kontrollit, nxitjes, mungesës së qetësisë dhe sjelljeve drejtuese, që zhvillohet në periudhën e vonë të foshnjërisë ose gjatë fëmijërisë së parë (deri në moshën 6 vjeç). Fëmijët me ADHD kanë vështirësi në vëmendje dhe përqendrim, nuk qendrojnë dot urtë e nuk presin radhën e tyre, mund të bërtasin kur duan të përgjgjen në klasë, ndërkohë që fëmijët e tjerë ngrenë dorën. Ndonjëherë ata janë të paorganizuar, të hutuar dhe harrojnë. Mund të humbasin gjërat e sendet personale dhe nuk arrijnë të përfundojnë detyrat.

ADHD-ja është një çrregullim biologjik dhe neurologjik, që shfaqet në problemet me neurotransmetuesit, të cilët çojnë mezashet në tru, ndaj dhe trajtimi i ADHD (nëse rezulton ky çrregullim) duhet të jetë i gjithanshëm dhe multidimensional. “Shumë prindër, – shpjegon psikiatrja Dobi – po t`i pyesësh nëse mendojnë se fëmija i tyre është hiperaktiv, do të të përgjigjen: – Po”. Fëmijët duhet të jenë aktivë, po kjo nuk do të thotë se ata janë “hiperaktivë”. ADHDja përfshin një model të qendrueshëm të hiperaktivitetit, impulsivitetit dhe pavëmendjes”.

HIPERAKTIVITETI:
♦ Lëvizje të qendrueshme të trupit (fëmijët lëvizin duart, prekin gjithçka, lëvizin këmbët kur rrinë ulur)
♦ Vështirësi për të qendruar ulur (rri gjysmë ulur, kur punon në tavolinë ose ngrihet shpesh)
♦ Vrapime eksesive (të tepruara dhe të shumta)
♦ Vështirësi për të luajtur qetësisht
♦ Duket gjithmonë sikur është “në prizë”, në rrymë lëvizjeje, gjithnjë “me vrap”
♦ Flet vazhdimisht, ndërpret të tjerët në bisedë

IMPULSIVITETI:
♦ Përgjigjet pa e dëgjuar pyetjen deri në fund
♦ Vështirësi për të qendruar në rresht e për të pritur radhën
♦ Ndërpret dhe ndërhyn vazhdimisht në çdo gjë

PA VËMENDJA:
♦ Pamundësi për t`u kushtuar vëmendje detajeve; tendencë për të bërë gabime; të pakujdesshëm në shkollë apo aktivitete të tjera
♦ Vështirësi në përqendrim lidhur me detyrat dhe aktivitete të ndryshme
♦ Probleme të dukshme të dëgjimit (jo shurdhë, por nga pavëmendja nuk dëgjojnë se ç`u thuhet ose ngaqë flasin vetë gjatë gjithë kohës)
♦ Vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve
♦ Vështirësi në organizimin e detyrave dhe aktiviteteve
♦ Shmangie apo pakënaqësi ndaj detyrave që kërkojnë përpjekje mendore (dhe përqendrim)
♦ Tendencë për të humbur gjëra si lodrat, fletoret dhe detyrat e shtëpisë
♦ Hutim.
♦ Harresë e aktiviteteve të përditshme

Zakonisht fëmijët me ADHD identifikohen nga mësuesit, kur fillojnë sistemin parashkollor (e me rastet më të vështira, që në kopsht). Ka një sërë shkaqesh biologjike dhe neurologjike të cilat, të vetme ose të kombinuara, bëjnë që individi të mos arrijë t`u kushtojë vëmendje situatave dhe të jetë “superaktiv”. Ky çrregullim nuk shkaktohet nga aftësi të varfra prindërimi apo nga të ngrënët e tepërt të sheqerit, siç jemi mësuar të dëgjojmë rëndom, pavarësisht se ky i fundit, pra, sheqeri, duhet të jetë i kufizuar në këto raste.

Si ndikon ADHD-ja në jetën e përditshme/shoqërore të fëmijës?
Hiperaktiviteti ka efekte në zhvillimin e fëmijës dhe mund të vështirësojë marrëdhëniet e tij me moshatarët dhe të tjerët, marrëdhënie këto që kontribuojnë në lumturinë e fëmijës dhe lidhen pazgjidhshmërisht me zhvillimin e tij. Fëmijët me vështirësi në marrëdhëniet me moshatarët mund të refuzohen prej tyre ose e kanë të vështirë te kënë një shok/shoqe të ngushtë; mund të jenë më të prekshëm nga çrregullimet emocionale dhe ato të sjelljes. Prindërit e fëmijëve me ADHD në përgjithësi nuk e raportojnë faktin që fëmija i tyre nuk përfshihet në punët në grup. Këta fëmijë zakonisht shihen si të turpshëm dhe të tërhequr nga moshatarët e tyre, të cilët i refuzojnë për shkak të sjelljeve agresive me shenja impulsiviteti e hiperaktiviteti.

Si mund ta ndihmojmë fëmijën me hiperaktivitet?
Kur kemi të bëjmë me një fëmijë që shfaq probleme të hiperaktivitetit, duhet bërë një punë shumë e madhe dhe e përbashkët nga të gjithë aktorët e jetës së fëmijës. Ekzistojnë strategji për t`i ndihmuar këta fëmijë, për t’u marrë me vështirësitë e tyre të brendshme dhe kufizimet sociale. Para së gjithash, duhet të njihet mirë aspekti biologjik- neurologjik dhe ai social e të dy këto aspekte të trajtohen njëkohësisht dhe me një punë të përbashkët mes mjekut psikiatër, neurologut, psikologut, psikomotoricienit, edukatorit të specializuar, mësuesit, logopedistit dhe familjarëve.

Shkëputur nga revista Living nga Amarilda Duraj, Psikiatër Florida Dobi *Përgjegjëse e Qendrës Komunitare e Shëndetit Mendor Nr.1

Komento