Çfarë është lumturia

Çfarë është lumturia

Çfarë është sot lumturia? Po ta gjykosh nga numri i librave të botuar në të gjithë botën gjatë këtyre viteve të fundit dhe nga debatet e organizuara në lidhje me këtë temë, një gjë është e qartë: që njerëzit vazhdojnë pafundësisht të pyesin në lidhje me lumturinë dhe mënyrën për të qenë të lumtur.

Madje mund të thuhet pa frikë që është një nga argumentet që trajtohet gjithnjë me shumë pasion. Ndoshta sepse askush nuk e di me saktësi se çfarë është lumturia, ose nga ana tjetër askush nuk ka ndërmend që të heqë dorë prej saj. Të gjithë dëshirojnë, ëndërrojnë, aspirojnë që të jenë të lumtur.

Sakaq, objekti i dëshirës vazhdon që të mbetet “i errët”. Nuk jemi më në epokën e Platonit, kur lumturia nuk fshihte mistere: ishte pasoja e nevojshme e një jete të mirë, një jete të kaluar në kërkim të mençurisë dhe virtytit. Por si mund të jemi të lumtur kur vetë domethënia e fjalës “virtyt” sot është pak e paqartë? Kur edhe zgjidhja epikuriane, “një njeri është i lumtur kur ka arritur të kënaqë nevojat e tij natyrore”, duket se nuk arrin dot që të bindë ndokënd? Nga njëra anë secili ka një perceptim të tijin për atë që është e mirë, që nuk përputhet thuajse kurrë me atë të fqinjit.

Nga ana tjetër, përparimet në mjekësi dhe në teknikë kanë shfytyruar nocionin klasik të natyrës: bota bashkëkohore është mbretëria e natyrës “artificiale”. Dhe nuk mbaron këtu. Boshllëku që kanë krijuar utopitë e dështuara politike të shekullit të kaluar është mbushur në mënyrë progresive nga një imperativ kategorik: ji i lumtur dhe përfito nga kënaqësitë që të fal jeta!

Por çfarë do të thotë të jesh i lumtur? Kur lumturia nuk është më vetëm një aspiratë personale, por një detyrë kolektive?

Në Francë, në mars u mblodhën disa dhjetëra filozofë dhe ekonomistë, psikologë dhe politikanë, për të diskutuar pikërisht për lumturinë individuale dhe atë kolektive. Duke marrë nxitje nga thënia e famshme e Saint-Just, që në mesin e Revolucionit Francez deklaronte se “lumturia është një ide e re në Europë”, forumi ka mbajtur ndezur shpresat e atyre që e ndoqën në lidhje me gjetjen më të fundit të “formulës” magjike të lumturisë.

Në forum u diskutua në lidhje me faktin që lumturia nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë përballë tragjikes së jetës dhe se njerëzit duhet të jenë të aftë që të gëzojnë dhe të jetojnë plotësisht çdo moment të ekzistencës, veçanërisht kur ajo është pozitive. Po a mund të mendohet në të vërtetë lumturia sipas skemës: çdo njeri duhet të luftojë për të qenë i lumtur, pra edhe unë, duke qenë njeri, duhet që të bëj një luftë të tillë?

Kur niset një diskutim i tillë, të gjithë vijnë me ide pozitive, por ato jo gjithmonë mjaftojnë. Vitet e fundit ka pasur një dyndje të vërtetë publikimesh me “receta” se si mund të arrihet lumturia, përse shpesh nuk është e lehtë që të jemi të lumtur, cilët janë hapat që duhen ndjekur për ta pasur e kështu me radhë.

Rreziku i një shoqërie që ushqehet me fjalime tepër vullnetare dhe që feston çdo ditë triumfin e terapive të shkurtra që synojnë të edukojnë besimin në vetvete, të menduarit pozitiv dhe që mundohen t’i bindin njerëzit që janë ata fajtorë për moslumturinë e tyre, është i madh. Me këtë nuk nënkuptohet se njerëzit duhet të rrinë duarkryq dhe të presin t’u zbresë lumturia nga qielli. Ne të gjithë jemi përgjegjës të zgjedhjeve tona, edhe pse lumturia nuk varet plotësisht prej nesh. Na takon të gjithëve që të zgjedhim se si të përballemi me gëzimet dhe dhimbjet me të cilat na përball jeta.

Lumturia tashmë nuk është më një çështje vetëm personale. Tashmë bëhet fjalë për një çështje sociale. Atëherë nuk ka asgjë për t’u çuditur kur shohim se me këtë çështje tanimë nuk merren ekskluzivisht vetëm filozofët, por edhe ekonomistët. Kësisoj, përse të mos krijohet, të gjendet një mënyrë që “të masë” cilësinë dhe sasinë e lumturisë?

Po rritet gjithnjë e më tepër numri i atyre që mendojnë se dilema e lumturisë mund të zgjidhet duke përdorur kategorinë e mirëqenies. Një mirëqenie jo vetëm psikofizike, por edhe ekonomike dhe sociale.

Sigurisht që kur vuajmë nga një sëmundje fizike apo psikike, ose kur nuk kemi mjetet materiale për të mbështetur plotësimin e kërkesave minimale të jetesës, është shumë e vështirë që të jesh i lumtur. Por qeniet njerëzore janë ende, e mbi të gjitha, të karakterizuara edhe nga dëshira, dhe dëshira, pavarësisht të gjithave, përbëhet edhe nga pakënaqësia.

Falë dëshirave dhe tentativave për t’i kënaqur këto dëshira, gjen shprehje energjia dhe fuqia personale. Dhe kësisoj ne kalojmë momente në mos të lumtura, të paktën të gëzuara. Pavarësisht të gjitha sforcimeve të ekonomistëve, këtë lloj gëzimi është shumë e vështirë që ta matësh. Disa prej tyre kanë propozuar madje që në këtë rast të përdoret një përllogaritje e ngjashme me atë që përdoret për të llogaritur prodhimin kombëtar bruto të një vendi.

Në rastin e lumturisë, do të bëhej fjalë për matjen e mirë të qenies së shoqërisë. Në një raport të famshëm, hartimi i të cilit u kërkua nga vetë Presidenti i Francës, Sarkozi, që u publikua në shtator të vitit 2009, nënvizohet me të drejtë se si mirëqenia kolektive nuk është e lidhur vetëm me gjërat materiale. Sipas 3 ekonomistëve që e kishin hartuar, përveç konsumit, duhen marrë në konsideratë koha e lirë, marrëdhëniet shoqërore, ndjenja e sigurisë që kanë njerëzit për jetën e tyre personale dhe atë të shoqërisë ku jetojnë në përgjithësi.

Por a përbëhet lumturia vetëm nga mirëqenia?

Eseja e Derek Bok, “Politika e lumturisë”, e sapopublikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pretendon një gjë të tillë. Madje Bok mbështet teorinë se detyra kryesore dhe më e rëndësishme e demokracive bashkëkohore është pikërisht ajo e shtimit të lumturisë kolektive, përmes promovimit të barazisë, duke u krijuar mundësi çifteve dhe familjeve që të stabilizohen, duke përmirësuar shëndetin publik. Por në disa pika nuk kundërshtohet. Çdo demokraci e denjë për të mbajtur një emër të tillë duhet jo vetëm që të promovojë barazinë, por edhe të krijojë kushtet e duhura për individët, në mënyrë që ata të kenë mundësi të çojnë përpara projektet e tyre për të qenë të lumtur.

Lumturia është individuale dhe asnjë qeveri, sado e përsosur qoftë, nuk mund ta zgjidhë e vetme këtë problem për banorët e saj, nëse ata nuk e marrin vetë një vendim të tillë. Në këto kushte, ai që mbetet problemi thelbësor e qendror është: të kuptuarit në mënyrë të pavarur se çfarë dëshirojmë dhe duam në të vërtetë si individë. Lumturia nuk është absolute dhe nuk ekziston një rrugë dhe vetëm një e vetme që mund të të çojë drejt saj.

Lumturia, siç thoshte Lao Tseu, ka të bëjë më shumë me kërkimin e rrugës individuale, duke ia lënë fatit në dorë, ndonjëherë edhe rastësisë. A nuk është vallë ky motivi që të paktën në Francë janë të shumtë ata njerëz që i janë dhënë budizmit dhe konfucizmit për të gjetur pikërisht shenjat e duhura e për të ndjekur rrugën që do t’i çojë drejt lumturisë?
Fjala

Ekstazë, mrekulli apo Nirvanë…

Kur kërkohet lumturia, kërkimi nuk ka të bëjë me gjetjen e vendndodhjes së diçkaje, por me zbulimin e domethënies së saj. E nëse bëhet fjalë për një fjalë të vetme, lumturia nënkupton një tërësi ndjenjash, emocionesh, përjetimesh. Lumturia përbëhet nga: ekzaltimi, mrekullimi, gëzimi, alegria, kënaqësia, ekstaza, e shumë ndjesi të tjera që bashkëjetojnë të gjitha në një komunitet unik, si vetë ndjenja që përfaqësojnë.

Lumturia është një e vetme, por mënyrat se si e përjetojmë dhe kur e përjetojmë janë të ndryshme. Për t’u orientuar mjafton ta pozicionojmë lumturinë ndaj një ngjarjeje të dhënë: kështu, kemi lumturinë pararendëse, atë që përjetohet ndërsa jemi në pritje të diçkaje që e duam me gjithë zemër; lumturinë pasrendëse, që përjetohet pasi kemi arritur me shumë mundim realizimin e një objektivi të vështirë; lumturinë e atyre që janë tërhequr nga realiteti mondan për të përjetuar ekstazën e filozofisë, mistikës. Por lumturi mund të quhet edhe një gjendje mirëqenieje shpirtërore e materiale që zgjat në kohë, apo qoftë edhe një moment kalimtar, qoftë edhe përkëdhelja e një rrezeje dielli.

Në këtë rast kemi të bëjmë me lumturinë me intensitet maksimal, por me kohëzgjatje të vogël, me lumturinë e sekondave që mund të të mbajnë gjallë dhe me dritë një jetë të tërë, siç mund të jetë lumturia e përjetuar kur takojmë dikë kaq të veçantë e kaq pranë zemrës sonë, qoftë edhe për disa çaste të vetme në këtë jetë. Ndërkaq, Primo Levi shkruante: “Të duash punën, përbën edhe përafrimin më të madh me lumturinë në kushtet e tokës”./Gazeta Shqip/

Komento