Çfarë janë karbohidratet?

Çfarë janë karbohidratet?

Karbohidratet apo sheqernat janë produkte të përbërë nga karboni, hidrogjeni dhe oksigjeni. Karbohidratet organizohen në struktura unazore të cilat mund të lidhen njëra pas tjetrës për të formuar produkte komplekse të vargëzuar apo të degëzuar.

Karbohidratet më të thjeshtë përbëhen nga një unazë e vetme dhe quhen monosakaride – d.m.th. sheqerna të përbërë vetëm nga një unazë.

Shembuj të monosakarideve janë sheqeri i frutave (fruktoza) dhe një nga sheqernat e qumështit (galaktoza). Kur dy monosakaride lidhen së bashku ato formojnë disakaridet. Shembulli më i njohur këtu është sheqeri i zakonshëm i prodhuar nga kallami i sheqerit i cili quhet sukrozë. Edhe laktoza – sheqeri kryesor i qumështit – është një disakarid.

Bimët dhe kafshët i përdorin karbohidratet si një burim të rëndësishëm energjie, ndërsa sasitë e tepërta i depozitojnë në brendësi të qelizave. Duke qenë se karbohidratet kanë vetinë të tërheqin pas vetes molekula të shumta uji, ruajtja e karbohidrateve të tipit mono- dhe di-sakarid është e papërshtatshme për të depozituar sasi të mëdha energjie: qeliza do të thithte aq shumë ujë sa do të bymehej deri në shpërthim. Ky është shkaku i depozitimit të karbohidrateve në formë polisakaridesh – zinxhirë ose vargje jashtëzakonisht të gjatë të përbërë nga mijëra unaza.

Në rastin e bimëve polisakaridet që përdoren për ruajtjen e karbohidrateve janë amilaza dhe amilopektina. Amilaza është një polisakarid i organizuar në formë vargu, ndërsa amilopektina në formë degësh. Forma e organizimit ka rëndësi shumë të madhe nga pikëpamja e ushqyerjes. Vlera e Indeksit Glicemik – karakteristika më e rëndësishme që dallon karbohidratet më të shëndetshme nga ato më pak të shëndetshme – varet pikërisht nga fakti në se produkti që konsumohet ka përmbajtje më të lartë amilaze apo amilopektine. Sa më tepër të degëzuara të jenë polisakaridet në një ushqim, aq më lehtë shpërbëhet ai nën veprimin e enzimave dhe aq më shpejt përthithet në organizëm – kjo garanton Indeks Glicemik të lartë të produktit në fjalë.

Tek njeriu karbohidratet depozitohen në formë glikogjeni – një polisakarid me strukturë të degëzuar, të ngjashme me amilopektinën. Glikogjeni është një përshtatje jashtëzakonisht e dobishme për mbijetesën, sepse në rast rënie të nivelit të glukozës në gjak, organizmi arrin brenda një kohe shumë të shkurtër të zbërthejë molekulat komplekse të glikogjenit dhe të garantojë nivelin e duhur të glukozës në gjak. Depozitat më të mëdha të glikogjenit në organizëm janë në mëlçi dhe në muskuj.

Nga pikëpamja shëndetësore, njohja e depozitimit të glikogjenit në organizëm ka rëndësi të veçantë për të kuptuar “dredhinë” që fshihet pas të ashtuquajturës dietë proteinike. Gjatë dietës proteinike rekomandohet përdorimi i çdo lloj ushqimi me përjashtim të ushqimeve që përmbajnë karbohidrate. Si rrjedhojë, organizmi mobilizon depozitat e veta të glikogjenit duke humbur brenda pak ditëve të gjithë sasinë e glikogjenit rezervë dhe të ujit bashkëshoqërues. Në terma “dietetikë” kjo përkthehet në humbje të disa kilogramëve brenda pak ditëve. Problemi qëndron se kjo rënie zgjat po aq sa zgjat edhe dieta – me rifillimin e marrjes së karbohidrateve në dietë, organizmi ri-organizon depozitat e glikogjenit dhe pesha rikthehet në vlerat e mëparshme.

One Comment

  1. sheqernat ne sa grupe ndahen

Komento