Çka është Sëmundja e Crohn-it?

Çka është Sëmundja e Crohn-it?

Çka është Sëmundja e Crohn-it?Sëmundja e Crohn-it është sëmundje inflamatore kronike me etiologji të panjohur e cila mund të paraqitet në çdo pjesë të traktit digjestiv duke filluar nga goja e deri në anus.

Kjo sëmundje shoqërohet me episode të rishfaqjes me ataqe mjaft të vështira të paraqitjes.

Sëmundja zakonisht shfaqet në dy gjinitë në mënyrë të barabartë dhe mosha më e shpeshtë e paraqitjes është ndërmjet 15-40 vjeçare.

Sëmundja e Crohn-it manifestohet në pesë tipe të ndryshme në pjesë të ndryshme të traktit gastrointestinal (sipas lokalizimit) ato janë:

-Ileokoliti e cila paraqitet në pjesën e fundit të zorrëve të holla-ileum përfshirë edhe zorrën e trashë.

-Ileiti e cila paraqitet në ileum.

–Gastroduodeniti i Crohn-it që paraqitet në lukth dhe zorrën dymbëdhjetëgishtore.

– Jejunoileiti që paraqitet në zorrë të holla jejunum dhe ileum dhe

– Coliti i Crohn-it që paraqitet në zorrën e trashë.

Cilat janë shenjat dhe simptomat ?

Sëmundja e Crohn-it karakterizohet me dhimbje të barkut të cilat mund të shoqërohen me barkqitje të shpeshta dhe ujore ,me ngushtim të zorrëve dhe fistulizim. Poashtu sëmundja karakterizohet me shpërthime të paparashikueshme dhe afatgjata.

Shenjat dhe simptomat tjera përcjellëse të Crohn-it janë: ethe, humbje peshe, anoreksi, të përziera, të vjella, kequshqyerje, lodhje e përgjithshme, humbje e vitaminave, dobësim i eshtrave, gjakderdhje nga zorra e trashë, pastaj ndryshimet psikosociale si: depresion, ankth, vështirësi për përballimin e gjendjes.

Si bëhet diagnostifikimi?

Për diagnostifikimin e sëmundjes së Crohn-it duhet të veprohet si më poshtë:

Shenjat vitale: zakonisht janë normale, por takikardia mund të haset te pacientët me anemi ose te dehidrimi, por mund të jetë edhe lodhja kronike.

Gastrointestinale: mund të ndryshojnë nga normale në ato të abdomenit akut, vlerësimi i tonusit të sfinkterit rektal, trashja jonormale e mukozës rektale, prania e hematohezisë.

Urogjenitale: përfshijnë ndryshimet e ngjyrës së lëkurës, fistulizimet, ulcerat, absceset, gungëzimet në regjionin perianal, nefrolitiaza, hidronefroza, fistula enterovesikale.

Muskuloskeletale: artralgjia dhe artriti, sidomos i nyjeve të mëdha.

Dermatologjike: zbehje e lëkurës apo shfaqje e ikterit, aftet zakonisht në mukozën e gojës, ulcerat mukokutane, eritema nodoze apo pioderma gangrenoza te rastet më të rënda.

Oftalmologjike: vërehet episkleriti por është i mundur edhe uveitis.

Vonesa në rritje dhe zhvillim: shpejtësia e rritjes së shtatit është më e ulur, puberteti i vonuar e poashtu edhe zhvillimi i karakteristikave sekondare seksuale.

Hematologjike: gjendje e hiperkoagulopatisë.

Cilat janë testet laboratorike?

Per diagnostifikim të Crohn-it kërkohet pasqyra e gjakut (hemoglobin, leukocitet), sediment i eritrociteve, proteina C reaktive (CRP), testet funksionale të mëlçisë, kalprotectina, albuminat , imunoglobulinet pANCA, ASCA. Ndërsa nga metodat imazherike ndihmojnë rentgeni me barium, kollonoskopia, enteroskopia, endoskopia përfshirë këtu kapsulendoskopia, CT e abdomenit dhe pelvikut, rezonanca magnetike e abdomenit dhe pelvikut, ekoendoskopia, scintigrafia, PET scan, por që diagnoza definitive vendoset me biopsi materiali i së cilës mirret në vendin e paraqitjes së sëmundjes dhe rezultatit histopatologjik.

Si trajtohet sëmundja e Crohn-it?

Trajtimi i sëmundjes së Crohn-it duhet të bëhet me dietë të ushqimeve dhe pijeve të caktuara, duke përdorur medikamente farmakologjike, imunologjike-biologjike, dhe intervenimi kirurgjik. Në fakt dieta specifike te sëmundja e Crohn-it nuk ka dhe ndryshojnë nga një person në tjetrin. Megjithatë ushqimi i shëndetshëm kalorik i pasur me vitamina dhe proteina është mjaft i rëndësishëm për evitimin e malnutricionit dhe humbjes së peshës. Lloje të caktuara të ushqimeve mund të shkaktojnë diarre dhe fryerje të barkut, sidomos gjatë fazës aktive të sëmundjes. Sugjerimet për dietë në periudhen e sëmundjes përfshijnë: hani shpesh dhe ngapak, pini më shumë ujë (konsumimi i shpeshtë dhe i pakët gjatë gjithë ditës).

Shmangni ushqimet me përmbajte të lartë të fibrave (krunde,fasule, arra, kokoshka). Shmangni ushqimet e pasura me yndyrna dhe pikante dhe me salca të ndryshme (gjalpë, me shumë krem). Shmangni ose ndërpreni përfundimisht alkoolin, konsumimin e kofeinës. Te pacientët të cilet është shfaqur bllokimi i zorrëve të holla është mirë të largohen frutat dhe perimet e papërpunuara. Pacientët që kanë problem me përpunimin e laktozës preferohet shmangja e produkteve të qumështit. Është e preferueshme të merren ushqime të pasura me Fe, calcium, vitamin D, vitamin B 12 per prevenim të anemisë.

Terapia medikamentoze përfshin barnat antidiarreike për parandalimin e episodeve të barkqitjeve të shpeshta si psh. tab. Loperamid. Aminosalicilatet janë barnat të cilat kontrollojnë inflamacionin (sulfasalazine, mesalamina), antibiotikët aplikohen kur kemi të bëjmë me infeksione tjera përcjellese por nuk ka të dhëna për efektivitetin e tyre gjatë sëmundjes, kortikosteroidet jepen në fazën akute të sëmundjes për të luftuar inflamacionin dhe edemat e segmenteve të prekura. Në rastet e keqësimit të sëmundjes përdoren edhe preparate imunomodulatore si : Azatioprina ose 6 mercaptopurina, methotrexate. Anti TNF terapia gjatë fazës aktive dhe fistulizimeve (infliximab, adalimumab, certozilumab pegol, ustekinumab).

Në rastet kur kemi ngushtim të plotë të lumenit të zorrëve apo zorrës së trashë (Ileus) vie në konsiderim intervenimi kirurgjik.

Komento