Çka i nevojitet lëkurës çdo ditë?

Çka i nevojitet lëkurës çdo ditë?

Lëkura është organi më i madh njerëzor. Sipërfaqja e lëkurës te një person mesatarisht i gjatë është 1.7m², ndërsa peshon rreth 18 për qind të peshës së përgjithshme trupore.

Prandaj, ka shumë kuptim që raftet e një numri të madh të njerëzve janë të mbushur me preparate për kujdesin e lëkurës. Megjithatë, shumica e atyre produkteve në të vërtetë është e padobishme dhe madje mund të bëjë më shumë dëm se sa dobi.

Epidermën, respektivisht pjesën e ekspozuar të lëkurës, shpesh e trajtojmë me losione, kremra, tonerë dhe mjete për pastrimin e lëkurës. Epiderma është më ndjeshmja në ndikimet e jashtme. Në epidermë shfaqen rrudhat dhe shenjat e para të plakjes. Disa persona janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha parash në trajtime të cilat do ta bëjnë lëkurën më të bukur, më të shëndetshme, më të shkëlqyeshme dhe më të re.

Në fakt, lëkura ka nevojë vetëm për një varg trajtimesh për të qëndruar e bukur dhe e shëndetshme, ndërsa shumica nga këto trajtime përfshijnë materiet e njëjta që i nevojiten organizmit në përgjithësi për të funksionuar si duhet. Produktet e tjera nuk janë domosdo gjë e keqe, por për shumicën e njerëzve kujdesi për lëkurën është proces i thjeshtë dhe i arritshëm.

 

Pastrimi

Pastrimi është pjesa thelbësore e kujdesit të lëkurës. Përveçse do t’i largojë pisllëkun dhe vajrat nga epiderma, lëkura më lehtë do të absorbojë të gjithë materiet ushqyese të cilat i aplikoni pas pastrimit. Kur vëni losione ose qumësht për trup, më së miri është ta pastroni lëkurën para se t’i aplikoni që lëkura të absorbojë të gjithë materiet ushqyese nga losionet.

Megjithatë, nuk janë të gjitha mjetet për pastrim të njëjta. Mjetet për pastrim të fytyrës duhet gjithmonë të jenë pa sapun, sepse ai është shumë i ashpër për fytyrën. Te shumica e produkteve për lëkurën duheni ta zgjidhni atë që i përgjigjet më shumë tipit tuaj të lëkurës. Për lëkurë jashtëzakonisht të thatë më të mira janë mjetet në formë kremi për pastrim, ndërsa për lëkurë të thatë ose ndejshme më të mira janë mjetet që nuk përmbajnë alkool. Për lëkurë të yndyrshme më të mira janë produktet me acid alfa hidroksid (AHA) për të reduktuar yndyrat që mund të shkaktojnë bllokimin e poreve.

 

Uji

Trupi i njeriut përbëhet nga 55 deri 76 për qind ujë i cili shpërlan toksinat nga trupi, u mundëson qelizave të absorbojnë materiet ushqyese dhe sistemit tretës të punojë pa penguar. Megjithatë, niveli i ujit nuk është konstant. Në shumicën e proceseve thelbësore trupore, siç janë frymëmarrja dhe djersitja, uji shpenzohet. Kështu, për t’ia mundësuar organizmit funksionimin në mënyrë të duhur duhet të pimë shumë ujë për të kompensuar atë që shpenzon organizmi.

Lëkura nuk dallon nga pjesa tjetër e trupit kur bëhet fjalë për hidratimin. Uji ndihmon edhe te largimi i pastërtive të lëkurës të cilat mund të shkaktojnë puçrra, uji hidraton lëkurën, e bën më të shëndetshme dhe shkëlqyeshme. Që lëkura juaj të jetë e hidratuar, duheni të pini të paktën dy litra ujë në ditë.

 

Acidet yndyrore esenciale

Janë pjesë e rëndësishme e çdo ushqimi, ndihmojnë te mbajtja e shëndetit të membranës qelizore, e cila ka merita për mbajtjen e ujit dhe të materieve ushqyese në qeliza. Acidet yndyrore esenciale do të ndihmojnë te mbrojtja e lëkurës nga rrezatimi UV dhe ndotësit. Pa acidet yndyrore esenciale, membrana qelizore nuk mund të punojë në mënyrë efikase. Lëkura bëhet e dehidruar, e thatë, e ndezur, e prishur dhe do të fillojnë të paraqiten plasaritjet e thata.

Acidet yndyrore esenciale të cilat ju nevojiten janë omega 3 dhe omega 6. Omega 6 gjendet në shumicën e ushqimeve, duke përfshirë mishin e pulës, drithërat dhe vajin për ngrënie kështu që ka shumë gjasa që konsumoni sasinë e mjaftueshme të acideve yndyrore omega 6. Megjithatë, acidet yndyrore omega 3 do t’i gjeni pak më vështirë, gjenden në ushqimet siç janë salmoni, sardelet, vaji i lirit, fasulet, arrat ose spinaqi.

 

Mbrojtja nga dielli

Kur përdorni mbrojtjen nga dielli parandaloni sëmundjet e ndryshme, në mes tjerash edhe kancerin e lëkurës, por edhe shenjat e plakjes së lëkurës të cilat shfaqen në mënyrë të sforcuar për shkak të ekspozimit të tepruar në diell. Lëkura e cila është shumë shpesh e ekspozuar në diell para kohe bëhet më pak elastike dhe e rrudhur.

Për të mbrojtur lëkurën nga rrezatimi UV, zgjidhni mjetin i cili përmban oksid zinku ose dyoksid titani. Kërkoni mjetin për mbrojtje me faktorin mbrojtës më të madh se 15 ose aplikojeni të paktën 20 minuta para ekspozimit në diell. Në këtë mënyrë përbërësit aktivë do të kenë kohë të bëhen efektivë para se t’i ekspozoheni rrezatimit UV.

 

Antioksidantet

Janë të dobishme për shëndetin e sistemit kardiovaskular dhe për parandalimin e kancerit. Antioksidantet mund t’i gjeni në të gjitha llojet e ushqimit, duke përfshirë pemët, perimet, frutat e detit dhe vajrat. Ato reduktojnë numrin e radikaleve të lira, të cilat mund të dëmtojnë qelizat e organizmit. Antioksidantet janë të shkëlqyeshme për qelizat e organizmit në tërësi, pra edhe për qelizat e lëkurës.

Edhe pse të gjitha antioksidantet mund të jenë të dobishme për lëkurën, kushtoni vëmendje të veçantë në:

– Vitaminën C – luan rol të rëndësishëm në prodhimin e kolagjenit, ndërsa do ta gjeni në drithërat e papërpunuara, molla dhe në frytin e citrusit. Më së miri do të ishte sikur çdo ditë të konsumoni 75 mg vitaminë C.

– Vitaminën E – mbron membranën qelizore dhe është e shkëlqyeshme në mbrojtjen nga rrezatimi UV. Do ta gjeni në vajin nga embrioni i grurit, bajame dhe gjalpin e kikirikut. Sasia e nevojshme ditore është 15 mg në ditë.

Komento