Home » Shëndetësi » Çrregullimet në zemër

Çrregullimet në zemër

Stenoza e valvulës mitrale është shembull i prekjes së një valvule nga ethja rheumatike. Stenoza është ngushtimi i vrimës së valvulës.

Stenoza e valvulës mitrale e bën të vështirë kalimin e gjakut nga veshorja e majtë në barkushen e majtë.

Veshores i duhet të krijojë presione më të larta për ta pompuar gjakun përtej ngushtimit. Rrjedhimisht, veshorja e majtë pak nga pak zmadhohet dhe pëson hipertrofi. Si pasojë e hipertrofisë, miocitet e veshores së zmadhuar furnizohen me vështirësi me gjak, dhe prandaj bëhen vatra aritmie (fibrilim dhe flutter atrial).

Me kalimin e kohës, veshorja e zmadhuar bëhet e paaftë të pompojë gjak — tejzgjatja e miofibrileve e bën tkurrjen të paefektshme (pasojë e ligjit Frank-Starling); rrjedhimisht, gjaku lëviz ngadalë brenda veshores.

Fibrilacioni dhe lëvizja e ngadaltë e gjakut brenda veshores bëhen shkak për formimin e trombeve brenda veshores. Trombet atriale mund të arrijnë në barkushe, në aortë, dhe pastaj mund të shkaktojnë infarkte në tru, veshka, shpretkë, gjymtyrë, zemër, etj.

Njëkohësisht, rritja e presionit në veshoren e majtë shkakton rritje të presionit në venat pulmonare; kjo sjell rritje të presionit në kapilarët e mushkërisë, dhe edemë në indin lidhor përreth bronkeve (kjo mund të shihet në egzaminimin me rreze X).

Edema peribronkiale pakëson epshmërinë e mushkërive, dhe prandaj vështirëson frymëmarrjen. Pra, mushkëria vuan si nga perfuzioni i pakësuar dhe nga ajrosja e pakësuar. Si pasojë, kapilarët pulmonarë ngushtohen (sepse hipoksia i ngushton kapilarët pulmonarë). Kjo shpie në rritje të presionit në arterien pulmonare.

Gjithashtu, hipoksia bën që qelizat endoteliale ta humbasin formën e tyre të sheshtë dhe të rrumbullakosen, të marrin formën e sferës. Kjo shkakton daljen e proteinave në indin lidhor peribronkial. Në këtë fazë, sasia e edemës është aq e madhe, saqë i sëmuri mund të vdesë “i mbytyr” nga eksudati.

Me kalimin e kohës, eksudati proteinik riorganizohet dhe pak nga pak ngurtëson mushkërinë. Kjo ndodh sepse eksudatet proteinike në mushkëri nxitin aktivitetin e proteazave (sistemi koagulues, sistemi i komplementit, etj.)

Kjo shkakton inflamacion të paktë, por që me kalimin e kohës e ngurtëson mushkërinë; në ngurtësimin e mushkërisë ndikon edhe hipertrofia e medias së arterieve pulmonare, që vjen si pasojë e hipertensionit kronik pulmonar; nga ana tjetër, dalja e eritrociteve në intersticiumin e mushkërisë dhe gëlltitja e tyre nga makrofagët u jep mushkërive ngjyrën e ndryshkut (induratio bruna = ngurtësimi bojë kafe).

Rritja e presionit në arteriet pulmonare mbingarkon zemrën
Rritja e presionit në arteriet pulmonare shpie në mbingarkesë të anës të djathtë të zemrës; ventrikuli i djathtë i mbingarkuar pëson hipertrofi, muri i tij trashet dhe përkohësisht arrin ta pompojë gjakun në presione më të larta; me përparimin e sëmundjes, ventrikuli i djathtë zmadhohet akoma më shumë dhe bëhet i paaftë të pompojë. (Shkaku numër një i pamjaftueshmërisë së anës së djathtë të zemrës është pamjaftueshmëria e anës së majtë.) Kjo shpie në rritje të presionit në veshore dhe në venën cava.

Rritja e presionit në venën kava të poshtme shoqërohet me vështirësim të qarkullimit të gjakut (kongjestion) në mëlçi. Nga kjo dëmtohen më shumë hepatocitet që gjenden përreth kanaleve qendrore (në qendër të gjashtëkëndëshit), të cilat vrasin veten (pësojnë apoptozë); hepatocitet që janë afër triadave portale e durojnë pak më mirë kongjestionin.

Hepatocitet që ndodhen në pjesën e mesme (midis triadave dhe kanalit qendror) pësojnë steatozë (grumbullojnë lipide të cilat ngecin brenda qelizës). Pamja që merr mëlçia si pasojë e kongjestionit kronik është karakteristike: në të shihen zona të kuqe (grumbullim gjaku) dhe zona të verdha (steatozë); në anglisht kjo pamje njihet si nutmeg liver.

Rritja e presionit në venën kava të poshtme shoqërohet gjithashtu me vështirësim të qarkullimit të gjakut në gjymtyrët e poshtme; kongjestioni shkakton edemë të këmbëve dhe shton vështirëson shërimin e plagëve në këmbë.
Si përfundim, stenoza mitrale shkakton ndryshime në zemër, mushkëri, mëlçi, dhe në periferi.

Edhe në rast riparimi të stenozës mitrale me operacion, i sëmuri prapë nuk do ndjehet mirë sepse i ka mushkëritë të shkatërruara nga fibroza. Operacioni për riparimin e stenozës mitrale duhet bërë herët në mënyrë që të shmanget dëmtimi i mushkërive.

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!

Komentoni

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress