Home » Këshilla për Prindër » Dalja e dhëmbëve tek foshnjat

Dalja e dhëmbëve tek foshnjat

Dhëmbët e parë që i dalin fëmijës quhen dhëmbët e qumështit ose dhëmbë të përkohshëm. Quhen kështu pasi ata zëvendësohen nga viti 5-6 nga dhëmbët e përhershëm. Dhëmbët e qumështit janë 20, ndërsa dhëmbët e përhershëm janë 32.

Kur fillojnë të dalin dhëmbët
Tek fëmijët e shëndetshëm zakonisht fillojnë të dalin nga muaji i 6-të megjithëse ka raste që dalin edhe në muajt e 7-të e 8-të edhe kur fëmija është plotësisht i shëndetshëm.

Vërehen edhe raste të jashtëzakonshme kur fëmija lind edhe më dhëmb në gojë. Kjo nuk flet për zhvillim të parakohshëm të fëmijës.

Si dhëmbët e shfaqur që në lindje ose ata që dalin shumë shpejt ka mundësi të bëhen shkak për dëmtimin e gjirit të nënës. Dalja e dhëmbëve me vonesë, pas muajit të nëntë krijon shqetësim tek prindërit dhe është e drejtë që ata të këshillohen me mjekun. Ka raste kur ky fenomen është i lidhur më rakitin, më çrregullime të kockave ose të disa gjëndrave të brendshme.

Radha e daljes së dhëmbëve
Në shumicën e rasteve, në fëmijët e shëndetshëm, nga muaji i 6-të deri në muajin e 12-të dalin 8 dhëmbët prerës. Që janë katër poshtë dhe katër lart. Së pari dalin dy dhëmbët prerës të poshtëm që zënë vendin qendror dhe pas tyre dalin dy të sipërmit. Më pas dy prerësit anësorë të sipërm dhe dy anësorët e poshtëm. Nga muaji i 12-të deri në muajin e 18-të dalin katër dhëmballët e para, dy lart dhe dy poshtë. Nga muaji i 12-të deri në muajin e 24-t dalin katër dhëmbët e syrit. Nga muaji i 24-t deri në muajin e 30-të dalin katër dhëmballët e dyta. Ka raste kur nuk ndiqet kjo radhë dhe ky ndryshim mund të ndodhë pa ndonjë shkak të veçantë.

Rëndësia e dhëmbëve për shëndetin e fëmijës
Si dhëmbët e qumështit, ashtu edhe dhëmbët e përhershëm kanë rëndësi shumë të madhe për shëndetin e fëmijës. Dhëmbët kanë veprimin e tyre kryesor për përtypjen dhe përpunimin e mirë të ushqimeve. Veprimtaria e përtypjes fillon nga muajt e fundit të vitit të parë dhe vazhdon për gjithë jetën. Çrregullimet, dëmtimet dhe sëmundjet e dhëmbëve pengojnë përpunimin e tretjen e mirë e të plotë të ushqimeve dhe kështu bëhen shkak për dëmtime të aparatit tretës dhe të gjithë organizmit. Çrregullimet e dhëmbëve mund të pengojnë të folurit qartë. Ato mund t’i japin fytyrës pamje jo të hijshme, kjo gjendje vërehet veçanërisht kur përputhja e dhëmbëve të sipërm më ata të poshtmit nuk është e plotë.

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!

1 Response to " Dalja e dhëmbëve tek foshnjat "

  1. anastasia says:

    nuk e kisha menduar ndonjehere qe femija lindka me dhembe

Komentoni

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress