Diabeti, këshilla e receta për të luftuar sëmundjen

your-doctor-and-you-large

Rrallë ndonjë sëmundje tjetër në dukje kaq “e butë” krijon ndërlikime kaq të shumta e të rënda sa diabeti. Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa ai arrin të prekë e të dëmtojë aq heshtazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut duke krijuar aksidente kaq dramatike e madje tragjike. Çudia është se vetëm pak të sëmurë me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë. Nuk dihet ende se cili është numri i saktë i të sëmurëve me diabet, por personat që ankohen për shqetësimet që të sjell kjo sëmundje shtohen çdo ditë e më shumë. Ndërkohë që nuk ka ende një kurë të për diabetin, doktorët shprehen se mbajtja e një diete të rregullt, respektimi i saj në çdo detaj, është mënyra më e mirë për të mbajtur nën kontroll gjendjen. Diabeti arrin mjaft shpesh t’i mashtroje viktimat e tij. Si, në ç’mënyrë? “Tirana Observer” sjell në suplementin e fundjavës një paketë këshillash për të parandaluar dhe kuruar diabetin. Në këtë speciale ju do të njiheni me simptomat që e shoqërojnë, shkaktarët, faktorët parandalues, recetat popullore kuruese dhe disa medikamente mjekësore. Cilat janë ushqimet që duhet të jenë pjesë e dietës tuaj të përditshme dhe cilat duhet t’i shmangni. Prej mosdijes, apo mosnjohjes së tij, shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t’i lidhin me të. Si të mos gënjeheni nga forma apo paraqitja e “butë” e diabetit. Si ndikon diabeti i pamjekuar ose i mjekuar keq krijon në shfaqjen e ndërlikimeve të ndryshme? Këto e shumë të tjera këshilla e njohuri që ju duhet t’i dini për diabetin, sëmundjen e sheqerit në gjak, në një speciale prej 6-faqesh. Recetat popullore e mjekësore për të parandaluar e luftuar sëmundjen.

 

Diabeti

Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës, apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi. Janë dy gjendje që mund të shkaktohen nga diabeti i sheqerit, hiperglicemia (niveli i lartë i glukozës) dhe hipoglicemia (niveli, i ultë i glukozës). Terapia e ilaçeve mund të parandalojë përparimin e mëtejshëm të diabetit tek miliona njerëz, të cilët kanë një stad të lart të rrezikshmërisë të sëmundjes, shumë studime sugjerojnë mënyrat e duhura për ta. Gati 5 për qind e popullsisë së botës është e sëmurë me diabet, dhe gati 7 për qind janë paradiabetikë. Kjo lloj sëmundje zhvillohet zakonisht në moshë madhore dhe tek pacientët, të cilët kanë nivel të lartë të sheqerit në gjak, sepse qelizat e tyre janë bërë rezistente ndaj insulinës, hormoni që stabilizon ngritjen e sheqerit në gjak.

Simptomat:

– Pacienti ha shumë.

– Pi shumë ujë.

– Urinon shpesh.

– Humbet peshë.

– Mund të ketë kriza të ketocidozës diabetike.

Ja disa këshilla kundër diabetit:

– Ecni sa më shumë, për shembull duke shkuar më këmbë në shkollë.

– Hani në mënyrë të shëndetshme e duke pirë sa më pak lëngje frutash të konservuara, pasi ato kanë shumë sheqer.

– Qëndroni sa më pak ulur para televizorit, kompjuterit apo video-lojërave.

– Bëni aktivitet të rregullt fizik dhe duke fjetur sa më shumë.

– Hani medoemos mëngjes.

 

Kuroni diabetin me zarzavate të gjelbra

Është vërtetuar se zarzavatet e gjelbra, veçanërisht të gjalla, për të gjithë ata që vuajnë nga diabeti duhet t’i përdorin çdo ditë, në drekë dhe darkë, në sasi të bollshme. Zarzavatet e gjelbra përmbajnë antioksidantë, vitamina, kripëra minerale dhe fibra. Të gjitha perimet përmbajnë vitaminë C në përqindje të ndryshme, sipas llojit të bimëve. Njëzetë e katër orë pas këputjes, ato humbin 10-15% të vitaminës C. Gjatë gatimit humbin jo vetëm gjithë vitaminën C, por dhe shumicën e mineraleve. Por uji në të cilin ato janë zier përmban mikromineralet e dobishme, si kaliumi, magnezi dhe zinku, prandaj dhe mund të përdoret për të gatuar supë. Nisur nga veçoritë e mësipërme, zarzavatet e gjelbra janë shumë të dobishme për diabetikët.

 

Merrni sasinë e nevojshme të vitaminës C

Dozat e larta të vitaminës C në organizëm zvogëlojnë për gati 50% rrezikun nga sulmi në kokë. Pikërisht për këtë rekomandohet që të ushqehemi me pesë deri në nëntë lugë lëng perimesh në ditë. Me sasinë e vitaminës C në trup mund të parandalohet mundësia e sulmit në tru, kjo është bërë e ditur pas një hulumtimi të gjerë të kryer me rreth 20.000 persona të moshës së mesme dhe të vjetër, të kryer në Norfolk të Britanisë së Madhe. Efektet mbrojtëse të vitaminës C kundër sulmit në tru janë të vërtetueshme duke marrë parasysh faktorët të tillë si mosha, gjinia, pirja e duhanit, alkooli, indeksi i masës trupore, shtypja, kolesteroli, aktiviteti fizik, diabeti, sulmet e menjëhershme në zemër, marrja e ilaçeve dhe statusi shoqëror.

 

Mungesa e kromit shkakton diabet

Kromi u identifikua si një nga mineralet në trupin e njeriut vetëm 30 vjet më parë. Studimet për të vazhdojnë akoma. Kromi është pjesë e një përbërje që bën të mundur insulinën të punojë. Është gjithashtu i rëndësishëm në metabolizëm dhe strukturën gjenetike. Për shkak të njohurive jo të mjaftueshme për këtë kripë minerale është e vështirë të dallohen shenja të veçanta, në mungesë të tij. Megjithatë dihet se mund të shkaktojë rritje të kolesterolit në gjak. Në studimet e bëra tek kafshët, mungesa e kromit shkakton një sëmundje, që është shumë e ngjashme me diabetin. Gjendet kryesisht tek mishi, drithërat, fasulet e thata, thjerrëzat, lajthia, peshku dhe prodhime të tjera nga deti.

 

Konsumoni kripën sa më pak të jetë u mundur

Përdoreni atë sa më pak të jetë e mundur. Mos harroni se çdo produkt i krijuar nga natyra nuk është i kripur në shijen e tij, ai është zakonisht i ëmbël ose i athët. Po ashtu kripa gjendet te uji i detit i cili nuk rekomandohet të pihet veç rasteve kur personi është i etur dhe nuk ka si të veprojë ndryshe. Shtoni lakrat në dietën tuaj ditore. Konsumoni gjethet jeshile të spinaqit, sallatës për sëmundjet e zemrës dhe diabetit. Thjerrëzat po ashtu janë të pasura me lëndë ushqyese si dhe përbërës tonike të domosdoshme për organizmin.

 

Hiqni dorë nga pijet me ngjyrë

Shkencëtarët në Boston, kanë zbuluar se, duke pirë rregullisht pije freskuese të ngjyrosura çdo ditë, ju dyfishoni rrezikun e sindromës së metabolizmit, sindromë e cila, përfshin një sërë shqetësimesh, siç janë: tensioni i lartë, vlera të larta të insulinës, shtimi në peshë, që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Shkaktari i tyre mund të jetë substanca ngjyruese e këtyre pijeve, e cila ka rritur rrezikun e kësaj sindrome në eksperimentet që janë bërë tek kafshët. “Shkencëtarët, gjithashtu, mendojnë se, ata që pinë të tilla pije, janë të prirur të zgjedhin gjithmonë ushqime të ëmbla, të cilat çojnë drejt shtimit në peshë”, – thotë Vasan S. Ramachandran-i, M.D.,profesor mjekësie në Universitetin e Bostonit, në të cilin ka qenë udhëheqësi i studimit.

 

Manual i ri me këshilla për diabetikët

 

Shoqata amerikane e diabetit publikoi një manual të ri me këshilla dietetike për 16 milionë personat që vuajnë nga sëmundja e sheqerit në shtetet e bashkuara. Për herë të parë, Kjo shoqatë po rekomandon ushtrimet fizike si një mënyrë për mbajtjen e diabetit nën kontroll. Ndërsa këshillat synojnë përmirësimin trajtimin dhe të parandalimin e diabetit, Ato përqendrohen veçanërisht në ndryshimin e jetës së pacientëve. Zbatimi i këshillave do të ndikojë ndaj krejt mënyrës së jetesës. Për herë të parë, shoqata rekomandon ushtrime për të 16 milionë amerikanët që vuajnë nga diabeti. Ushtrimet pakësojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe parandalojnë diabetin tek të rriturit e rrezikuar. Shoqata thotë gjithashtu se diabetikët nuk kanë nevojë të shmangin ëmbëlsirat, Si tortat apo akulloret, Për sa kohë që tregohen të përmbajtur në ngrënie dhe ekuilibrimin e tyre me sasinë e duhur të insulinës. Shumë specialistë diabeti i këshillojnë tashmë pacientët e tyre se mund të hanë ushqime me sheqer, Në qoftë se marrin masa për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Në manual theksohet se nuk ka ndonjë dietë apo mënyrë jetese që mund funksionojë për të gjithë diabetikët. Por një dietë e planifikuar si kjo që përdor ky njeri, duhet të përshtatet për secilin me ndihmën e mjekut. Pra, të mbajë nën kontroll gjendjen e tij duke kontrolluar çfarë ha.

 

Çaji i manaferrës për diabetikët

 

Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: Merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.

 

 

Kujdesi për pacientët me diabet të tipit 2

 

Shumë mjekë u rekomandojnë pacientëve me diabet të tipit 2 që ta masin vetë nivelin e sheqerit në gjak. Por studimet e fundit tregojnë se një gjë e tillë mund t’i sjellë pacientit më shumë dëme sesa të dobi. Tashmë është bërë e zakonshme që njerëzit me diabet të tipit 1, ta masin vetë nivelin e sheqerit në gjak dhe të marrin vetë insulinë sipas nevojës, por shumë pacientë vuajnë nga Diabet i tipit 2 që zhvillohet më vonë në jetë. Shërbimet e shëndetit shpenzojnë miliona dollarë për t’i mësuar diabetikët se si të kujdesen për veten. Por gjatë një studimi, mjekët vëzhguan 184 pacientë të diagnostikuar me Diabet të tipit 2.

 

Meshkujt më të prekur nga diabeti

Kohët e fundit specialistët e shëndetësisë kanë arritur në përfundimin se meshkujt janë më të predispozuar për t’u prekur nga sëmundja e sheqerit. Gjithashtu përkrahësit e punës kërkimore në fushën e qelizave zanafillëse thonë se klonimi mund të çojë në kura shumë të efektshme për sëmundje si diabeti. Sipas specialistëve mosha ndikon shumë në shfaqjen e diabetit. Diabeti tip 1 zë rreth 10 % të të sëmurëve me diabet, ndërsa diabeti tip 2 zë një përqindje më të vogël se i pari dhe është më i shpeshtë se ai. Diabetikët me diabet tip 2 si rregull kanë ndërlikime kronike. Sipas të dhënave të OBSH, në botë në vitin 2025 do jenë rreth 300 milionë diabetikë, ndërkohë që numërohen rreth 170-180 milionë diabëtike. Aktualisht në vendin tonë numri i diabetikëve është gjithmonë në rritje dhe nga 0.7 dhe 0.8 për qind që ka qenë në shekullin e kaluar, ka arritur rreth 2-3 për qind dhe kjo shifër do jetë gjithmonë në rritje.

 

Kuroni diabetin, duke rregulluar gjumin

 

Të kurosh diabetin, duke zgjidhur problemet që mund të keni me gjumin. Kjo është këshilla më e fundit që japin shkencëtarët, pas një sërë ekzaminimesh dhe analizash pa fund që bëjnë një lidhje mes sëmundjes dhe gjumit jo të mirë që bëhet gjatë natës.

Zbulimi, bërë në një studio të madhe të ADN-së, mori në shqyrtim më shumë se 36 mijë evropianë, diabetikë ose jo diabetikë, të të gjitha moshave. Ekspertët zbuluan një lloj mutacioni në gjenin “MTNR1B” që për shkencëtarët u etiketua si “hormoni i gjumit”. Melatonina është një rregullues i rëndësishëm i ritmit gjumë/zgjim, dhe prodhohet gjatë natës, duke arritur një lloj kulmi gjatë kësaj kohe, ndërkohë që gjatë mëngjesit nis e pakësohet. Përkundër kësaj, insulina hormoni që rregullon sheqerin në gjak prodhohet gjatë ditës, ndërkohë që gjatë natës prania e saj vjen duke u zvogëluar. Prej kohësh dihej se të flije pak bën keq për shëndetin dhe kjo ishte e lidhur më rrezikun e diabetit, por nuk diheshin deri më tani arsyet. Studimi, i drejtuar nga Philippe Froguel arriti të bënte lidhjen mes dy problemeve.

 

Lidhjet e diabetit me depresionin

 

Një studim i ri vendos lidhjen midis diabetit dhe depresionit. Studimi i kryer nga shkencëtarët pranë universitetit Xhons Hopkins në Meriland, thotë se njerëzit që vuajnë nga depresioni kanë më shumë gjasa të preken nga diabeti dhe anasjelltas. Shkencëtarët pranë shkollës mjekësore të universitetit Xhons Hopkins në Baltimore thonë se disa pacientë mund të kenë nevojë të trajtohen njëkohësisht për diabet e depresion. Kjo për arsye se gjatë studimit ata gjetën një lidhje midis këtyre dy sëmundjeve. Mjekja Sherita Golden dhe një grup shkencëtarësh vëzhguan 5 mijë pacientë për një periudhë 3-vjeçare. Ata vunë re se pacientët që nuk flinin mirë ose nuk kishin oreks, të gjitha këto simptoma të depresionit, ishin më në rrezik të prekeshin nga diabeti sesa të tjerët pa këto simptoma. Mjekja Golden thotë se depresioni duket se i parandalon njerëzit për t’u kujdesur për shëndetin e tyre. Këto qëndrime shtojnë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2. Gjatë studimit, shkencëtarët gjithashtu vunë re se personat me diabet të tipit 2 ishin më shumë në rrezik të prekeshin nga depresioni sesa ata që nuk vuanin nga diabeti. Mjekja Golden thotë se personat që trajtohen për diabet janë më në rrezik të preken nga depresioni dhe kur preken, kjo gjendje ndikon në aftësitë e tyre për të luftuar diabetin.

 

Ushqimet që përdoren për të luftuar diabetin

 

Nuk dihet ende se cili është numri i saktë i të sëmurëve me diabet, por personat që ankohen për shqetësimet që të sjell kjo sëmundje shtohen çdo ditë e më shumë. Ndërkohë që nuk ka ende një kurë të për diabetin, doktorët shprehen se mbajtja e një diete të rregullt, respektimi i saj në çdo detaj, është mënyra më e mirë për të mbajtur nën kontroll gjendjen. “Marrja parasysh e lëndëve të përbëra natyrale, është një alternativë që mund të evitojë deri diku rekomandimin e ilaçeve”, thotë Richard A. Andreson, drejtor i shkencës në departamentin e Agrokulurës në Beltseville. “Mesazhi që po përpiqemi të dërgojmë, është se nuk duhet të mbështetemi vetëm në ilaçet që mund të ngadalësojnë apo parandalojnë diabetin, duhet në mënyrën më maksimale që të përpiqemi të ndryshojmë zakonet e të ngrënit”, shton ai.

Çfarë duhet të konsumoni?

1. Çaj. Kimikatet e njohura si “fonifenol” të gjetura në jeshilen, të zezën, ngrenë aktivitetin e insulinës.

2. Kanellë. Më pak se gjysmë luge çaji në ditë rrit metabolizmin e sheqerit në qelizat e shëndetshme.

3. Hejdë. E përdorur tradicionalisht, hejda përmban përbërës kimikë që ulin nivelin e sheqerit në gjak.

4. Qershitë. Qershitë përmbajnë kimikate të quajtura “antokine” që rrisin prodhimin e insulinës.

5. Gujava. Ekstraktet e mollës së gujavës ulin nivelin e sheqerit në gjak.

6. Kakao. Ul rezistencën e insulinës.

 

Karbohidratet dhe diabeti

Karbohidratet janë një nga tri mikroushqyeset e gjetura në ushqim, dy të tjerat janë yndyrnat dhe proteinat. Karbohidratet mund të jenë të thjeshta dhe të komplikuara. Karbohidratet e thjeshta, ose sheqernat, kanë emra të ndryshme si fruktoza, laktoza dhe surkoza. Karbohidratet e thjeshta gjendjen në qumësht, fruta dhe, sigurisht, në sheqer. Karbohidratet e ndërlikuara janë niseshteja, të cilat janë të përbëra nga shumë përbërje glukozash të përziera, ku mund të përmenden buka, ëmbëlsirat, makaronat. Saktësisht rritja e sheqerit në gjak është në përpjesëtim të drejtë me konsumimin e karbohidrateve. Disa drithëra dhe fruta përmbajnë fibra, të cilat në këtë rast janë një element shumë i rëndësishëm, sepse sa më shumë prezent të jenë fibrat, aq më pak e mundur është që ushqimi të prekë nivelin e sheqerit në gjakun tuaj. Disa drithëra të tjera janë lehtësisht të shndërruara në trupin tuaj në sheqer.

 

Ilaçet

1-Tiazolidinedionet – veprimi është i menjëhershëm, por në disa raste mendohet se ulin rezistencën periferike ndaj insulinës.

2-Glinidet – ky lloj bari shkakton sekretim të shpejtë të insulinës. Merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale (pas ngrënies).

3-Akarboza – është frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes të glukozës në gjak.

 

Diabeti, ndërlikon edhe organet e tjera

 

Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrnat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak, dhe kur këto janë respektivisht të menjëhershme, të sëmurët bien në gjendje kome ose në gjumë të thellë. Por sëmundja e diabetit ndikon gjithashtu dhe prek arteriet e zemrës, nga ku mund të shfaqen edhe infarkte, të cilat janë sëmundje tepër të rrezikshme ose kur dëmtohen arteriet e këmbës, shfaqet gangrena e këmbës, kur dëmtohen arteriet e syrit, shfaqet një ndërlikim nga i cili sëmuren të dy sytë edhe i sëmuri mund të humbasë edhe shikimin, kur dëmtohen arteriet e veshkës, shfaqet një dëmtim që në popull njihet me termin azotemia.

 

 

 

Medikamentet që luftojnë diabetin

 

Diabeti është një sëmundje që karakterizohet nga nivel i lartë glukoze (ose sheqeri) në gjak. Ky nivel i lartë glukoze është i shkaktuar nga paaftësia e organizmit për të përdorur insulinën e vet për të tretur sheqerin. Mjekësia akoma nuk e di me saktësi përse ndodh një gjë e tillë dhe e kanë quajtur shkakun sindroma x, por përgjithësisht besohet se faktorët kryesore që çojnë në diabet janë gjenet e predispozuara, ushqim jo i ushqyeshëm, mungesë aktiviteti fizik, mbipesha.

 

Simptomat dhe kurimi i diabetit

Historikisht mjekimi i diabetit është bërë duke luftuar pasojat (simptomat) dhe jo shkaqet që e shkaktojnë atë. Kjo tregon se shume ilaçe për diabetin parandalojnë atë që diabeti shkakton si për shembull etjen e tepruar, urinë, urinimin, irritimin, dobësinë dhe lodhjen. Këto ilaçe i lehtësojnë këto simptoma por ato nuk funksionojnë duke bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj insulinës, që është shkaku i 95 % të rasteve të diabetit tipi 2. Shumica e këtyre ilaçeve funksionojnë duke rritur sasinë e insulinës së prodhuar nga organizmi, ngadalësuar çlirimin e glukozës nga mëlçia ose duke ngadalësuar thithjen e ushqimit nga zorrët. Përderisa këto ilaçe nuk e rrisin ndjeshmërinë e organizmit ndaj insulinës këto ilaçe nuk e fitojnë dot luftën kundër diabetit ato veçse ju ndihmojnë në një betejë të humbur. Diabetikët që mbështeten shumë në ilaçe përgjithësisht nuk e kontrollojnë mirë nivelin e glukozës në gjak. Në fakt sa herë që glukoza lëviz në zonën e rrezikshme (200 mg/dl) më shumë dëm i bëhet trupit dhe mundësia për komplikacione rritet. Kjo u provua në testimin e madh 10-vjeçar që instituti kombëtar amerikan i shëndetit bëri mbi kontrollin e glukozës tek diabetikët. Studimi tregoi se hiperglicemia (nivel i lartë i sheqerit në gjak) çon në dëm nervor dhe vaskular që nga ana e tyre rrezikojnë sytë, nervat dhe veshkat. Megjithëkëtë studimi nxori se kontrolli i kujdesshëm i glukozës me anë të një regjimi të rreptë dhe ushtrime fizike e ul rrezikun për komplikacione nga 50 % deri në 75 %.

 

Ilaçet kundër diabetit

Doktorët kanë 5 kategori ilaçesh për trajtimin e diabetit tipi 2, të gjithë ato kanë efekte anësore. Dhe nuk ndihmojnë nëse përdoren të vetëm kundra sëmundjes. Të gjitha këto ilaçe kërkojnë që së bashku me to të merren masa të tjera për luftimin e diabetit (dieta + ushtrimet fizike etj). Nëse nuk përfshihet të paktën dieta dhe ushtrimet fizike ju veçse po luftoni një betejë të humbur kundër një sëmundje që nuk ndalet kurrë pavarësisht se ju mund të përdorni ilaçin më të fuqishëm që ekziston.

 

SULFONILURET

Sulfoniluret luftojnë sëmundjen

 

Ky lloj ilaçi ka dalë në qarkullim prej vitesh. Është mjekim nga goja. Ai bën të mundur stimulimin e pankreasit duke rritur në këtë mënyrë sasinë e insulinës që derdhet në gjak. Kjo insulinë shtesë e detyron glukozën të hyjë në muskuj me sforcim. Problemi me këtë ilaç është se ato nuk e rrisin ndjeshmërinë e organizmit ndaj insulinës, por ato rrisin thjesht sasinë e insulinës. Ky ilaç veçse sa rrit sasinë e insulinës në gjak. Por disa diabetikë e kanë nivelin e insulinës shumë të lartë edhe pa e marrë ilaçin. Nivel që mund të shkoje deri në 5 herë më tepër se normalja. Procesi i rritjes së insulinës në gjak u shkakton shumë diabetikëve hipoglicemi (nivel i ulet sheqeri në gjak) për këtë arsye një nga pasojat e ilaçit është se të shtyn të hash sa më shumë. Disa diabetikë për shkak të uljes së nivelit të sheqerit në gjak kanë pasoja si marramendje, hutim deri në humbje ndjenjash. Rezultati i hipoglicemisë është të ushqyerit e tepruar ose e thënë ndryshe mbi-ushqimin, që çon në rritje të peshës trupore.

 

BIGUANIDET

Ilaçet me këtë përbërje janë zhvilluar në vitin 1994. Ato veprojnë nga një drejtim i ndryshëm në krahasim me sulfoniluret. Në vend që të rrisin nivelin e insulinës ato ngadalësojnë sasinë e glukozës që prodhohet nga mëlçia dhe zorrët e vogla ku tretet ushqimi. Këto ilaçe janë më të përparuara se te sulfoniluret sepse nuk shkaktojnë rritje peshe ose ndonjë sëmundje zemre. Por këto ilaçe megjithëse janë më të përparuara kanë disa efekte anësore. Shkaktojnë probleme stomaku, diarre, ndjenjën e ngopjes abdominale, etj. Njerëzit që vuajnë me zemër, mëlçi ose veshka këshillohen të mos e marrin këtë ilaç. Ilaçi tipik që përmban biganide quhet metformin.

 

ALFA GLUKOZË NDALUES

Disa nga këto ilaçe si për shembull Acarbose, ngadalësojnë shpërbërjen e sheqernave në zorrët e vogla duke ndërhyrë në enzimën me të njëjtin emër, enzimën alfa glukozë. Kjo enzimë bën shpërbërjen e sheqernave që ndodhen në ushqimet që hamë. Duke ndaluar këtë enzimë nga funksionimi nuk bëjmë gjë tjetër veçse parandalojmë rritjen e sheqerit në gjak. Efekte anësore: gazra dhe dhimbje të abdomenit, po ashtu diarre. Nuk i këshillohet veçanërisht të sëmurëve me ulcera ose kolitis, gjithashtu shkakton punë të tepruar të mëlçisë që mund të shkojë në dëmtim të saj.

 

THISCOLIDINIDION

Ilaçi më i ri i dalë në treg. Emri në kutinë e ilaçit është rezulin. Ky është ilaçi i parë që ndihmon trupin që ta përdorë më mirë insulinën duke stimuluar disa pjesët thithëse të indeve të ashtuquajturat “vendkalimi” nëpërmjet të cilave glukoza hyn në qelizë nga gjaku. Nga studimet e bëra në pacientë që përdoren këtë ilaç dhe ilaçin e parë (sulfoniluret) rezultoi se megjithëse kishte ulje të glukozës përsëri kishte rritje në peshën trupore. Ky ilaç ka efekte anësore kryesisht në mëlçi, ka pasur bile edhe vdekje prej tij. Si dhe shkakton dhimbje, infeksion dhe dhimbje koke.

 

INSULINA – E REJA DHE E VJETRA

 

Insulina është përdorur gjithnjë në diabetin tipi 1, në njerëzit të cilët nuk prodhojnë dot insulinë. Ndërsa në diabetin tipi 2 insulina përdoret si mundësia e fundit e mbetur. Në fakt rreth 29 % e diabetikëve të tipit 2 mjekohen me injeksion insuline. Dihet se praktikisht diabeti tipi 2 me anë të dietës dhe ushtrimeve fizike nuk duhet të arrijë në këtë pikë të injeksionit të insulinës. Pacienti që ka arritur në atë fazë që duhet patjetër injeksion insuline edhe sikur ta kuptojë më së miri rëndësinë e dietës dhe aktivitetit fizik tashmë nuk gjejnë dot forca në personalitetin e tyre që ta fillojnë luftën nga e para. Ata ja lënë çdo gjë në dorë ilaçeve. Insulina e zbuluar më 1922 vepron shpejt, brenda disa orësh pasi është marrë. Insulina detyron mëlçinë të ndalojë prodhimin e glukozës dhe të fillojë përdorimin e saj, detyron muskujt të thithin glukozën. Ka shumë rëndësi sasia dhe momenti i injektimit të insulinës.

 

Bimët medicinale natyrale pa efekte anësore

 

Ekziston një bimë e kuqe e madhe sa një kokërr portokalli që njihet në botanike me emrin Garcina Cambogia. Kjo bimë thahet dhe bluhet duke e bërë në këtë mënyrë pluhur. Ky pluhur ka pasur përdorime të ndryshme për shumë e shumë vite me radhë. Në Indi përdoret për infeksione të ndryshme. Gjithashtu është përdorur si punë çamçakëzi për të mbajtur të shëndetshëm dhëmbët dhe mishin e dhëmbëve. Në Indi gjithashtu përdoret si erzë në gatim sidomos në gjellët e famshme indiane Keri. Në disa vende bima është përdorur si afrodiziak (nxitës i epshit seksual). Në Kinë përdorët në diabetin tipi 2, në disa sëmundje mëlçie dhe për parazitë. Duke parë efektet e bimës farmakologët u interesuan shumë e më shumë se si vepronte kjo bimë mbi sëmundje të ndryshme. Në vitin 1965 dy studiues zbuluan se lënda vepruese në këtë bimë ishte acidi hidroksicitrik ose shkurt AHC. Pas kësaj kërkimet u përqendruan në këtë përbërës kimik të veçantë dhe u pa se ky përbërës po jepte rezultate shumë të papritura. Një farmakolog i universitetit amerikan i Brandeisit Watson zbuloi i habitur se ky përbërës detyron qelizat që të mos thithin yndyrën, çka do të thotë se në këtë mënyrë kemi më pak yndyrna rreth mëlçisë dhe në përgjithësi në trup. Në vitet 70 u bënë shumë eksperimente në minj për të vërtetuar zbulimin e Watsonit. Pas analizave dhe eksperimenteve të kryera në laboratorët e firmave të mirënjohura të ilaçeve Hoffman-L Roche u konkludua se HCA shkakton uljen e prodhimit të yndyrës në kafshët. Pas kësaj filluan të hidhen idetë se ky përbërës kimik ka veti që të ulë peshën trupore të njeriu. Eksperimentet në kafshë vazhduan më tej. Duke zbuluar se kafshët nuk shtuan peshë si më parë pas trajtimit me këtë përbërës kimik. Studimet konkluduan se HCA bllokon në fakt depozitimin e yndyrës në trup. Në trup ndodh një proces kimik që quhet “cikli i Krebsit”, ky proces në fakt është procesi gjatë të cilit prodhohet yndyra e trupit që depozitohet në pjesë të ndryshme të tij. HCA e ndërpret këtë cikël. Kur në trup hyn ushqim kalorik me shumicë ky proces bën që energjia nga ushqimi të kthehet në yndyrë. Përbërësi HCA duke ndërprerë këtë cikël bën të mundur që yndyra të mos të depozitohet në trupin tonë.

 

 

Këshilla për diabetikët

Diabeti është një sëmundje që karakterizohet nga niveli i lartë i glukozës (ose sheqerit) në gjak. Ky nivel i lartë glukoze është i shkaktuar nga paaftësia e organizmit për të përdorur insulinën e vet për të tretur sheqerin. Mjekësia akoma nuk e di me saktësi persë ndodh një gjë e tillë dhe e kanë quajtur shkakun: Sindroma x, por përgjithësisht besohet se faktorët kryesorë që çojnë në diabet janë gjenet e predispozuara, ushqim jo i ushqyeshëm, mungesë aktiviteti fizik dhe mbipesha. Prandaj, mjekët rekomandojnë që mjekimi i diabetit duhet duke luftuar pasojat (simptomat) dhe jo shkaqet që e shkaktojnë atë. Kjo tregon se shumë ilaçe për diabetin parandalojnë atë që diabeti shkakton, si për shembull etjen e tepruar, urinë, urinimin, irritimin, dobësinë dhe lodhjen. Këto ilaçe i lehtësojnë këto simptoma, por ato nuk funksionojnë, duke e bërë në këtë mënyrë organizmin më të ndjeshëm ndaj insulinës, që është shkaku i 95 % të rasteve të diabetit tipi 2.

 

Sëmundja

Diabeti i sheqerit (diabetes mellitus) është sëmundje që ka si tipar rritjen e nivelit të glukozës në gjak. Diabet do të thotë “urinim i shpeshtë”. Në diabetin e sheqerit, nivelet e rritura të glukozës në gjak shkaktojnë rritje të sasisë të glukozës në filtratin parësor të prodhuar nga glomeruli; efekti osmotik që shoqërohet me sasinë e shtuar të glukozës dhe shkakton rritje të sasisë të urinës dhe urinim të shpeshtë. Diabeti insipid është sëmundje krejt tjetër. Në diabetin insipid, urinimi i shpeshtë shkaktohet nga mungesa e hormonit antidiuretik ose nga paaftësia e veshkave për t’iu përgjigjur hormonit antidiuretik.

 

Diabeti tipi I

Prek zakonisht moshat e reja. Ai njihet edhe si diabet që s’trajtohet dot pa insulinë (anglisht insulin dependent diabetes mellitus). Shkaktohet nga shkatërrimi i qelizave beta të ishujve të Langerhansit prej sistemit imun. Shenjat dhe simptomat janë: pacienti ha shumë, pi shumë, urinon shpesh, humbet peshë dhe mund të këtë kriza të ketoacidozës diabetike.

 

Diabeti tipi II

Prek zakonisht moshat e rritura, të sëmurët shpesh kanë histori familjare me këtë sëmundje. Njihet edhe si diabet që nuk varet nga insulina (anglisht non insulin dependent diabetes mellitus). Shkaktohet nga mosfunksionimi i mirë i qelizave beta, nga rezistenca e indeve ndaj insulinës; ishujt e Langerhansit fillimisht përpiqen të kapërcejnë rezistencën periferike ndaj insulinës, duke prodhuar më shumë insulinë. Me kalimin e kohës, ishujt e Langerhansit bëhen të paaftë për të prodhuar insulinë (plaken para kohe). Shenjat dhe simptomat: Dehidrim, polidipsi, polifagi, poliuri, humbje peshe, lodhje.

 

Këshillat

1. Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën.

2. Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara dhe duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë. Yndyrat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit).

3. Erëza orientale, që përdoren në mjekësinë popullore indiane, shërbejnë për kurimin e sëmundjes së diabetit.

4. Diabetikët duhet të bëjnë ushtrime fizike 3-6 herë në javë.

 

Shenjat

1- Dhimbje barku

2- Frymëmarrje të ngadalta e të thella

3- Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë

4- Urinim i shpeshtë

 

Agimi i diellit dhe efekti “Somogyi”

Specialistët kanë arritur në përfundimin se rreth orës 5-8 të mëngjesit niveli i glukozës në gjak rritet. Mendohet se kjo është pasojë e sekretimit të hormonit të rritjes në këto orë. Dukuria “Dawn” ndodh në njerëzit normalë, në ata me diabet tip II, dhe në 75 % të atyre me diabet tip I. Efekti “Somogyi”: Dozat e larta të insulinës në darkë mund të shkaktojnë hipoglicemi gjatë natës; përgjigjja hormonale kompensatore e trupit, pastaj shkakton hiperglicemi rreth orës 7 të mëngjesit. Si dukuria “Dawn” dhe efekti “Somogyi” shkaktojnë hiperglicemi në mëngjes. Për të dalluar njërën nga tjetra, bëhet matja e glukozës gjatë natës. Nëse niveli i glukozës gjatë natës është i lartë, shtohet doza e insulinës në darkë. Nëse niveli i glukozës gjatë natës është i ulët, duhet ulur doza e insulinës në darkë.

 

Dieta për diabetin e tipit 2

 

Personat me diabet të tipit 2 mund të përfitojnë nga një dietë me nivel të ulët glycemie apo sheqeri, që përbëhet nga ushqime të tilla si fasule, makarona, të cilat nuk e ngrenë nivelin e sheqerit në gjak aq shumë sesa patatet ose biskotat. Një studim i ri tregon se pacientët me diabet të tipit 2 që ndoqën dietën me nivel të ulët glycemie për 6 muaj, patën një kontroll më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak në krahasim me pacientët që ndoqën dietë me ushqime të pasura me fibër. Ndërkohë, një studim i kohëve të fundit tregon se dhënia e një recetë për fizkulturë mund ta nxisë a motivojë pacientin që të kryejë ushtrime fizike për rreth një vit.

 

Statistikat

Sipas statistikave qeveritare, rreth 65 përqind e amerikanëve të rritur nuk kryejnë masën e rekomandueshme të ushtrimeve fizike. Kryerja rregullisht e ushtrimeve fizike pakëson rrezikun për t’u prekur nga sëmundje të zëmrës dhe kanceri, por megjithatë shumë vetë vazhdojnë të mos i kushtojnë rëndësi. Sipas një studimi në Zelandën e Re, rekomandimi me recetë i ushtrimeve fizike mund t’i ndihmojë njerëzit të bëhen më aktivë. Autorët e studimit, vëzhguan një mijë gra të moshës nga 40 në 74 vjeç, të cilat e pranonin se bënin një jetë të plogësht. 500 prej tyre nuk iu dha asnjë udhëzim, ndërsa 500 të tjerave iu dha recetë me rekomandimin që të kryenin ushtrime fizike të paktën 150 minuta në javë. Këshillues me telefon i ndihmuan këto gra për të vendosur llojin më të mirë të ushtrimeve fizike për arritur objektivin e tyre. Pas një viti, 43 përqind e grave që iu dha recetë për fizkulturë, kryenin 30 minuta ushtrime fizike në 5 ditë të javës, krahasuar me 30 përqind të grave që nuk ishin udhëzuar. Gjithashtu, gratë që kryenin ushtrime fizike ishin më mirë se të tjerat përsa i përket shëndetit fizik e mendor.

 

Dieta dhe diabeti

 

Një ndryshim i vogël në dietë mund t’i ndihmojë personat me diabet për të patur një kontroll më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak. Sipas një studimi, kryer nga shkencëtarë pranë universitetit të Torontos, pacientët me diabet të tipit 2 që ndoqën dietën me nivel të ulët glicemie, patën një përmirësim në nivelet e sheqerit në gjak sesa pacientët që ndoqën dietën me ushqime të pasur me fibër. Dieta me sheqerna të pakta, përbëhet nga ushqime që nuk shkaktojnë rritje të ndjeshme të nivelit të sheqerit në gjak dhe përbëhet nga fasule të zeza, makarona dhe shumë fruta e perime. Dieta me nivel të lartë fibre përbëhet nga ushqime ngjyrë kafeje si patatet me lëkurë, oriz ngjyrë kafeje dhe buka e zezë. Pas 6 muajsh, pacientët që ndoqën dietën me nivel të ulët glycemie kishin nivele të ulëta glukoze dhe në periudhë afatgjatë një nivel më pak të luhatshëm sheqeri në gjak. Ata gjithashtu ranë nga pesha 1 kilogram më shumë sesa pacientët që iu nënshtruan dietës me ushqime të pasura me fibër. Kjo rënie nga pesha duket se shpjegon edhe përse shëndeti i tyre u përmirësua më shumë. Ekspertët thonë se ushqimet me nivele të ulëta glycemie, tretën më ngadalë nga organizma duke bërë që sheqernat të çlirohen më ngadalë, gjë që ndihmon në rastet me diabet të tipit 2.

 

Diabeti rrezik për sëmundje të tjera

Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla. Janë më karakteristike e më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre.

 

Ndërlikimet në sy, probleme të shikimit

Së pari, këto dëmtime shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në atë shtresë të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve. Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçarë, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojnë retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë. Ky ndërlikim quhet retinopatia diabetike dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestarë që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. Është koha që gjithçka mund të ndreqet. I vetmi “ilaç” për të mjekuar retinopatinë sidomos në fazat e fillimit, është mjekimi korrekt e shembullor i diabetit, normalizimi me fanatizëm i glikemisë. Po nuk u bë kjo, sytë janë në “dorë të fatit”. Përveç mjekimit të mirë të diabetit, ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin asnjë ilaç të rekomanduar për arsye të tjera pa u konsultuar me mjekun diabetolog. Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po që i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar. Duhet pasur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit). Veç këtyre tek të sëmurët me diabet mund të ndodhin turbullime dhe deri humbje të papritura të pamjes.

 

Ndërlikimet në veshka

Në veshka behët filtrimi i vazhdueshëm i gjakut. Me anë të këtij filtrimi organizmi eliminon e flak jashtë në urinë, tërë helmet, mbeturinat e “skorjet” që nxjerrin “makineritë” qelizore gjatë punës së tyre. Diabeti si pasojë e hiperglicemisë të vazhdueshme për një kohë të gjatë dhjetëra vjeçare mund të dëmtohen kapilarët e hollë të glomerulave dhe kështu pengohet filtrimi dhe funksionimi i veshkës në tërësi. Ky ndërlikim quhet nefropatia diabetike. Nefropatia, sidomos në fazat e përparuara të saj, kur thuajse bllokohet filtrimi është një ndër ndërlikimet më të rënda e tragjike të diabetit. Për fat të keq me gjithë progresin në mjekimin e diabetit ky komplikacion dramatik vazhdon të mbetet mjaft i shpeshtë. Vetë fillimi i retinopatisë është sinjal i parë alarmi që dëshmon se procesi i dëmtimit të kapilarëve tashmë ka filluar dhe asgjë s’garanton që ai nuk do të prekë e shtrihet edhe në kapilarët e veshkave. Në këtë fazë të parë të hershme avancimi mund të parandalohet me efikasitet thjesht me mjekimin e saktë të diabetit. Dëmtimi që zhvillohet në ta nuk “dhëmb”. Prandaj jo rrallë procesi përparon derisa shfaqet një sinjal i dytë. Ky sinjal vjen tashmë nga veshkat e dëmtuara, ku në urinë shfaqet mikroalbumina.

 

Ndërlikimet nervore

 

Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njëhershmi në nervat periferikë, ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme. E para, shfaqet në formë dhimbje, mpirje, djegie në formë neuriti. Ulët ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës, sidomos në orët e natës. Në faza më të avancuara nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të padijshëm, nuk përcjellin dot as dhimbjen as të nxehtin, të ftohtin apo prekjen. Kjo krijon një ndërlikim me rrezik të jashtëzakonshëm për dëmtimin dhe shfaqjen e gangrenës në këmbë, që njihet me emrin këmba diabetike. Dëmtimi i nervave ndodh jo vetëm tek ato të ekstremiteteve, por edhe nervave të organeve të brendshme. Ato mund t’u shkaktojnë uljen e papritur të tensionit arterial, me ndjenjë të fikti në çastin kur ngrihen nga shtrati në këmbë. Mund të shfaqen çrregullime të urinimit, çrregullime të stomakut me anoreksi dhe vjellje e sidomos diarre, daljet e shpeshta jashtë, të cilat përsëriten shumë herë gjatë ditës, por karakteristikë është që ato theksohen e bëhen më tepër shqetësuese e gati torturuese gjatë orëve të natës.

 

Ndërlikimet arteriale të zemrës dhe trurit

Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga pleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndenjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia, etj. Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinëzakë dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhëmb.

 

Ndërlikimet infeksioze të diabetit

Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura të tilla si infeksione të tjera qelbësuese të lëkurës, infeksione urinare, tuberkuloz, infeksione në organet gjenitale, mukoza, infeksione të mishrave të dhëmbëvë, të bajameve, sinusit e sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve, etj. Diabetikët janë më “delikatë”, ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi. Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti, duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin. Mbrojtja arrihet thjesht me anë të tre masave paraprake. Së pari: respektimi i rregullave të higjienës së trupit, ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korrentet e erës, etj. Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin. Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij. Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre.

 

Ushqime që mund të përdoren pa kufizim

Zarzavate:

Domate, Kastravecë

Karota

Sallatë jeshilë

Lulelakër

Speca

Panxhar i kuq

Qepë

Rrepë, Lakër e bardhë

Lëngjet:

Ujë mineral

Ujë i gazuar

Lëngje zarzavatesh

Kafe ose çaj pa sheqer

7 Comments

  1. naat pelqejn keshillat

  2. mrmb cdiete duhet te perdor per semundjen e diabetit?

  3. a eshte shelgu kurus i mir per diabet

    • shum sherues dhe mjaft efektiv ne zbritjen e sheqerit ne gjak preferohet per te gjitha moshat eshte krejt natyrale e kam nga pervoja me shum pacient

  4. Pershendetje!
    Si perdoret shelgu per uljen e sheqerit ne gjak,ju lutem?

  5. a eshte lengu bamjes kuruese diabetin 25o g bamje e ziejm me 1 5 uje dhe mbetet 05 leng

  6. I see your page needs some fresh posts. Writing manually takes a lot of time, but there is tool for this time consuming task, search in google:
    murgrabia's tools

Komento