Diabeti në stinën e dimrit

Diabeti në stinën e dimrit

Diabetikët dhe sidomos ata që vuajnë nga diabeti i sheqerit tip 2, mund të shfaqin ndërlikime serioze gjatë stinës së dimrit, nëse nuk tregohen të kujdesshëm.

Mjekët shpjegojnë se me çfarë mund “të ndeshen” diabetikët gjatë ditëve të ftohta, dhe japin disa këshilla se si mund të përballohet pa probleme kjo periudhë.

Diabetikët dhe sidomos ata që vuajnë nga diabeti tip 2, përveç diabetit të sheqerit kanë dhe sëmundje bashkëshoqëruese, që nuk lidhen me diabetin.

Kështu këta diabetikë mund të jenë me bronkopneumonipati kronike, d.m.th sëmundje kronike të mushkërive, të cilat gjatë dimrit acarohen duke dhënë: marrje fryme, kollë me gëlbazë, çrregullime në gjakun periferik, etj. Nëse gjatë kohës që bronkopneumonitë kronike rëndohen apo acarohen, duhet detyrimisht që të shkojnë të konsultohen me pneumologun, për të bërë një mjekim korrekt të këtyre sëmundjeve, sepse në të kundërt mos mjekimi sjell probleme me diabetin e sheqerit.

Përveç këtyre në stinën e dimrit, diabetikët mund të shfaqin shqetësime si pasojë e infeksioneve të ndryshme gastro-intestinale, apo gastro-enteriteve, të cilat ndikojnë në thyerjen e diabetit, sepse në bazën e tyre kanë një inflamacion, i cili po nuk u trajtua jep hiperglicemi.

Diabeti në stinën e dimrit
Diabetikët tip 2 gjatë stinës së dimrit shfaqin probleme edhe me sëmundjet kronike kardiovaskulare, që ose nuk lidhen drejtpërdrejt me diabetin, ose lidhen drejtpërdrejtë me të, si në rastin e sëmundjeve iskemike të zemrës (makroangiopatia e arterieve koronare të zemrës). Diabetikët që kanë dhe sëmundje gjatë dimrit, mund të kenë kriza të shpeshta të angina-pektoris ose të shfaqin edhe infarkt i miokardit.

Këto dy shqetësime në këto raste favorizohen dhe percipitohen, veç të tjerave edhe nga i ftohti dhe lagështia. I ftohti thekson dhe ngushton spazmat e arterieve koronare të zemrës. Mjeku specialist për sëmundjet e sipërpërmendura jep mjekim specifik përkatës, ndërsa endokrinologu në shumicën dërrmuese të rasteve, bën kthimin e përkohshëm të mjekimit nga kokrrat (tableta) në mjekim me insulinë. Insulina është e domosdoshme në këto raste sepse është e pamundur që diabeti te këta persona të kontrollohet vetëm me tableta, të cilat ose veprojnë më pak, ose veprojnë në qelizat periferike për të rritur efektin e insulinës.

Stina e dimrit e përkeqëson dhe diabetin tip 1, që siç dihet shfaqet në mosha të reja dhe mjekohet me insulinë. Këta persona, duke qenë të rinj, mund të sëmuren shpesh nga: pneumonia, bronkopneumonia, infeksionet akute gastro-intestinale dhe infeksione të tjera, sepse këta diabetik për arsye të ndryshme dhe komplekse, kanë ulje të funksionit të sistemit imunitar (sistemi imunitar është ai që siguron mbrojtje natyrale të organizmit nga infeksione të ndryshme). Kjo do të thotë se diabetikët tip 1 gjatë dimrit pësojnë sëmundje që kërkojnë detyrimisht, konsultë me specialistin përkatës dhe natyrisht dhe me endokrinologun, për të modifikuar mjekimin e diabetit që konsiston në rritjen e dozave të insulinës.

Këshilla
Stina e dimrit favorizon shfaqjen e mjaft sëmundjeve të tjera, dhe ndërlikime serioze. Prandaj diabetikët, qoftë atyre që vuajnë nga diabeti tip 1, ashtu dhe tip 2, duhet të jenë mjaft të kujdesshëm të mos neglizhojnë edhe kur te ata shfaqen shenja apo simptoma sado të lehta të sëmundjeve të sipërpërmendura.

Këshillohet që krahas endokrinologut, që mjekon diabetin, të kenë lidhje të vazhdueshme dhe me specialist të tjerë, kur është fjala për sëmundjet kronike që ata mund të kenë. Në stinën e dimrit, diabetikët mund të shfaqin shqetësime si pasojë e infeksioneve të ndryshme gastro-intestinale, apo gastro-enteriteve, të cilat ndikojnë në thyerjen e diabetit, sepse në bazën e tyre kanë një inflamacion, i cili po nuk u trajtua jep hiperglicemi.

Komento