Dieta kunder te nxehtit

Dieta kunder te nxehtit

Prej pak javësh i nxehti i madh ka ardhur zyrtarisht, por nëse nga pikëpamja e modës është një avantazh pasi lehtësohemi nga rrobat e dimrit, nuk mungojnë edhe dizavantazhet, që janë të shumta si: dehidratim, vështirësi me tretjen e ushqimeve dhe shqetësime me barkun e stomakun.

Për të qenë të përgatitur, një dietologe ju udhëzon përmes disa rregullave të thjeshta në mënyrë që të shmangni rreziqet e kësaj stine dhe të shijoni vetëm bukurinë e saj.

Rregulli i parë: mos e teproni me kaloritë

Me të nxehtin energjitë tona pakësohen me 200-300 kalori në ditë, trupi nuk duhet të luftojë të ftohtin dhe si pasojë djeg më pak, kështu që bëni kujdes me racionet dhe yndyrnat.

Rregulli i dytë: hani lehtë

Me verën dhe rritjen e temperaturave edhe proceset e tretjes “shkojnë me pushime” dhe bëhen më pak efikase. Sekreti është të hani pak e shpesh dhe kryesisht ushqime që treten lehtë. Reduktoni mishin e kuq dhe shtoni konsumin e peshkut, që tretet lehtë nga stomaku, sepse ka pak kalori dhe është i pasur me acide yndyrore që luftojnë kolesterolin e keq. Shmangni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe ato me shumë erëza, por jo të gjitha, sepse disa lloje erëzash edhe mund t’ju ndihmojnë në tretje. Të tilla janë menta, qimnoni, shafrani dhe kardamomi (nëse nuk u pëlqejnë të gjithëve, kujdes me sasinë!); speci djegës, xhenxhefili dhe piperi i zi e rrisin temperaturën e brendshme, nxisin djersitjen dhe japin një ndjenjë freskie (mund të provoni gjithashtu ujë me gjethe nenexhiku).

Rregulli i tretë: kujdes me përhapjen e baktereve

Me rritjen e temperaturave shtohet edhe rreziku i infektimit të ushqimeve nga agjentët patogjenë. Për të shmangur rreziqet e mundshme duhet të rrisni konsumin e kosit që mbron dhe forcon mbrojtjet natyrore të organizmit. Gjithashtu ndihmon edhe në përthithjen më mirë të vitaminave dhe mineraleve. Kosi mund të përdoret si përbërës në përzierjet e frutave të freskëta.

Rregulli katërt: kompensimi i mineraleve të humbura

Është normale që me të nxehtin të rritet djersitja. Kundër humbjes së kripërave dhe lëngjeve të trupit duhen pirë të paktën dy litra ujë në ditë; të konsumohen shumë perime (kastraveca, selino, rrepka, domate) dhe fruta të freskëta (kajsi, rrush, pjeshkë, kumbulla) që përmbajnë shumë ujë, 75% deri në 95% (si në rastin e pjeprit dhe shalqirit). Shmangni zierjen e zarzavateve, sepse kështu i “zhvishni” nga vitaminat dhe kripërat minerale. Gjithashtu nuk duhen konsumuar pijet e gazuara dhe ato me sheqer që shtojnë kaloritë dhe janë të pasura me substanca të dëmshme për trupin. Mos e teproni me kafenë dhe pijet me kafeinë që rrisin vazokonstruksionin dhe diurezën, duke shkaktuar dehidratim. Bëni kujdes edhe me ushqimet që janë shumë të nxehta ose shumë të ftohta, sepse ndikojnë negativisht në mekanizmat e rregullimit të temperaturave. Ndalohen pijet alkoolike, sepse rrisin djersitjen e mund të shkaktojnë dehidratim dhe ç’është më kryesorja kufizojnë përthithjen e vitaminave, sidomos të B-së që ka një rol thelbësor në shndërrimin e kalorive në energji.

Rregulli i pestë: kujdes fëmijët dhe të moshuarit

Personat e rritur janë më të prirur ndaj dehidratimit, sepse me kalimin e viteve mekanizmi që rregullon ndjesinë e etjes mund ta humbasë efikasitetin. Ndaj është e këshillueshme që ta rregullojnë dietën e tyre me kalium e magnez, duke konsumuar shumë fruta dhe zarzavate, sidomos banane, kajsi, bajame, fara luledielli, marule dhe ushqime integrale. E rëndësishme është që në pjatë të jenë të gjitha substancat e nevojshme dhe të eliminohen ushqimet e kripura, sepse “sekuestrojnë” ujin. Për fëmijët është normale që gjatë verës të kenë mungesë oreksi dhe nuk duhet të sforcohen shumë që të hanë sepse janë mekanizmat e tyre rregulles, tepër të saktë, që sillen ndryshe nëse kanë shumë vapë.

Rregulli i gjashtë: jo akullores në vend të vaktit

Të zgjedhësh akulloren si një prej vakteve kryesore mund të bëni vetëm një herë në të rrallë. Mos e bëni zakon, sepse edhe nëse nuk keni uri ose ju hahet shumë, ky ushqim është i paekuilibruar, nuk ka vitamina dhe është shumë i pasur me karbohidrate dhe yndyrna. Është më mirë të konsumoni një vakt më të lehtë (një të dytë me zarzavate) dhe pastaj nëse dëshironi mund të shijoni një racion të vogël akullore.

Dhe në fund, një dietë që mund ta ndiqni për një ditë dhe mund të përdoret nga të gjithë: të rritur, fëmijë, të moshuar.

Mëngjesi: kos ose qumësht, drithëra dhe fruta të freskëta, ose bukë (më mirë nëse është integrale) dhe marmelatë

Dreka: një pjatë me sallatë dhe oriz (ose makarona); ose shumë perime të freskëta dhe pak proteina si vezë ose fasule, duke përfunduar me një sallatë frutash

Darka: një racion peshk i shoqëruar me patate, sallatë domate ose me karota të ziera

Mesdita dhe zemra: fruta të thjeshta (edhe ato të fundvaktit mund të konsumohen në një moment tjetër nëse shkaktojnë probleme)ose përzierje molle, banane dhe luleshtrydhesh me akullore e mjaltë

Komento