Dietat, efektet qe kane ne organizem

Dietat, efektet qe kane ne organizem

Besohet se në bazë të grupeve të ndryshme që kemi, mund të maksimalizohen efektet e një diete, duke ndjekur atë që për trupin është më e efektshmja.

Nga studimet e mëtejshme, mësohet se grupi i gjakut ka një lidhje të ngushtë jo vetëm me metabolizmin tonë, por edhe me sëmundjet që mund të na prekin.

Kështu, siç u publikua sot në revistën shkencore “Lancet”, nga një studim i kryer me 20 mijë persona, u mësua se njerëzit që kanë grupin e gjakut O, janë më pak të prirë për t’u goditur nga infarkti.

Sipas një prej drejtuesve të studimit, Muredach Reilly, fakti që personat me grupin O janë më të mbrojtur prej infarktit, mund të çojë kompanitë farmaceutike në eksplorimin e metodave të reja për prodhimin e ilaçeve.

Ai beson se duke u studiuar më thellësisht gjenetika e grupit O, do të jetë e mundur të krijohet gjeni i vetëm që është në gjendje të reduktojë riskun. Duke shkuar më tej, kërkuesit theksojnë se cili prej katër grupeve të gjakut që ekzistojnë kanë pikën e tij të forcës, por edhe pikat e tij të dobëta.

Personat me grupin zero kanë një imunitet më të lartë ndaj sëmundjeve, por janë më të prirë për t’u prekur nga ulcera apo epidemitë, si kolera. Për sa i përket grupit A, është arritur të zbulohet se personat që kanë këtë grup, kanë një risk më të madh për t’u prekur prej tumorit të stomakut. Për t’u dobësuar, personat me këtë grup duhet të hanë ushqime vegjetariane, ndërsa ata me grupin zero, humbasin peshë në mënyrë më efektive duke u bazuar në dietat me mish.

Ndërsa studimi për grupin B dhe AB është ende duke u thelluar, është zbuluar edhe diçka tjetër befasuese për personat që kanë grupin A të gjakut. Ata tresin me shumë vështirësi yndyrat dhe proteinat, nëse ato bashkohen bashkë.

Personat me grupin A, mund të tresin shumë lehtë një sallatë të shoqëruar me një fetë djathë. Por, nëse sallatës dhe djathit i shton dhe një biftek, atëherë për stomakun misioni i tretjes ndërlikohet shumë.

Konsumimi i djathit, rrit shanset për sëmundje

Te personat që konsumojnë më shumë se 53 gramë djathë në ditë rreziku nga paraqitja e kancerit të fshikës urinare është për 50% më i madh, derisa sasitë më të vogla se kjo nuk paraqesin rrezik, thonë shkencëtarët britanikë.

Studimi i tyre ka përcjellë shprehitë ushqimore të 200 pacientëve me kancer të fshikës urinare, si dhe të 386 vullnetarëve. Me këtë rast, janë marrë parasysh edhe faktorët e tjerë që mund ta rrisin apo zvogëlojnë rrezikun nga kanceri, ku është parë se përdorimi i përditshëm i vajit të ullirit ndikon ndjeshëm në zvogëlimin e rrezikut nga paraqitja e kancerit.

Në anën tjetër, është parë se qumështi, peshqit, mishi i pulës, vezët dhe margarina nuk rrisin rrezikun nga paraqitja e këtij kanceri. Gjatë dekadave të fundit njerëzit janë duke konsumuar gjithnjë e më shumë djathë, kështu që derisa në vitin 1997 njerëzit mesatarisht hanin 103 gramë djathë në javë, në vitin 2009 është vërejtur një rritje deri në 116 gramë djathë në javë. Rezultatet e studimit janë botuar në revistën “European Journal of Cancer”.

Kafe, sheqer dhe kripë pse janë të dëmshme

Sasia e rritur e kripës së konsumuar bllokon gjëndrat që prodhojnë adrenalinë, e cila ju ofron energji shtesë dhe është e rrezikshme.

Do të jeni nervoz, të lodhur dhe përsëri shumë shpejt të uritur. Marrja e tepruar e sheqerit shkakton rënien e përqendrimit, rrahjet e shpejtuara të zemrës, harresën, madje edhe vështirësi me shikimin por edhe agresivitet.

Nëse ëmbëlsirat i hani në mbrëmje vështirë do të flini, ndërsa të mos përmendim edhe që do të humbisni dëshirën për seks pasi që “injeksioni” i forcës do të veprojë shumë shkurt. Do të zhduket ende pa arritur te shtrati. Konsumimi afatgjatë i sasive shkakton tendosjen e pankreasit dhe sjell deri te diabeti.

Ushqimet që e përshpejtojnë organizmin, sikur xhenxhefili apo speci, janë të mira, por nëse merren me masë. Assesi nëse jeni në ndikimin e stresit. Pas marrjes së ushqimit djegës organizmi fiton energji të re dhe atë e përzien me stresin me çka edhe e rrit më shumë.

Përveç kësaj, ushqimi djegës ua humb gjumin, kështu që mos gaboni ta hani në mbrëmje para fjetjes. Pija e zezë është burim i stimuluesve, kafeinës (nxit krijimin e hormonit të stresit, kontribuon në mbledhjen e yndyrës rreth belit, dëmton zemrën dhe trurin), teobrominit dhe teofilinit (ju kthjellin, dhe këta mund të shkaktojnë probleme me gjumin).

Komento