Home » Këshilla të ndryshme » Disa keshilla per te kontrolluar tensionin e larte

Disa keshilla per te kontrolluar tensionin e larte

Nëse interesoheni të dini se a mund të rregulloni tensionin e gjakut pa marrë ilaçe, përgjigja është tepër optimiste.

Sipas specialistëve, në disa raste tensioni i lartë i gjakut, hipertensioni jo shumë i lartë, mund të përballohet me sukses duke realizuar disa ndryshime në jetën e përditshme, si dhe në regjimin ushqimor.

Të njëjtat udhëzime vlejnë edhe për rastet e hipertensionit të mesëm dhe atij shumë të lartë, por gjithmonë në kombinim me terapitë mjekësore për të pasur rezultat më të mirë.

Simptomat dhe rreziqet

Hipertensioni zakonisht zhvillohet pa shumë ndërlikime, por në raste të tensionit të lartë paraqet simptoma të tilla si: dhimbje koke, marramendje, dhimbje dhe ndjenje rëndesë në gjoks, pagjumësi, urinim i shpeshtë, etje e madhe, dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri. Rreth 40 për qind e të sëmurëve me tension rrezikojnë të pësojnë hemorragji cerebrale. Ndërsa 16 për qind e tyre rrezikojnë të pësojnë infarkte në zemër. Sëmundja kërcënon organe të trupit sikurse veshkat etj. Pjesa më e madhe e të sëmurëve me hipertension nuk i nënshtrohen udhëzimeve për përmirësimin e tensionit të tyre, fakt që kushtëzohet nga mungesa e përditshme e ilaçeve, kostoja e lartë e tyre, frika nga reaksione të mundshme të terapisë me ilaçe (rënie e shpejtë e tensionit, kollë etj.) si dhe nga mungesa e komunikimit dhe besimit tek i sëmuri dhe mjeku. 95 për qind e rasteve me hipertension nuk i dedikohen ndonjë sëmundje tjetër (p.sh. çrregullime nervore, probleme hormonale).

Humbisni kilet e tepërta

Mungesa e peshës është një hap tepër i rëndësishëm në normalizimin e hipertensionit. Madje nuk është e rastit që shpesh personat që vuajnë nga hipertensioni përfshihen në kategorinë e njerëzve me mbipeshë. Rreziku nga kilogramët e tepërt është më i madh kur mbipesha është grumbulluar në disa pjesë të trupit, konkretisht në bark dhe kraharor. Të mirat e mungesës së mbipeshës janë të shumta. Përveç se ajo ndikon në uljen e tensionit të lartë arterial, vepron edhe në rënien e nivelit të kolesterolit etj. Gjithashtu, ndihmon në rregullim e niveleve të sheqerit në gjak në rast diabeti. Mos harroni se kombinimi i tensionit të lartë, i kolesterolit në rritje dhe diabetit përbën një faktor tepër rëndues për funksionimin normal të sistemit kardiak.

Shëtisni

Specialistët ju këshillojnë të sëmurëve me tension të lartë që të ecin të paktën 2-3 herë në javë për 45. Përkundrazi, ata ndalojnë ushtrimet me peshë pasi në këtë mënyrë rritet shumë presioni arterial dhe vonon që të vijë në nivele fiziologjike. Ndërkaq, nuk përjashtohet që një i sëmurë me hipertension të kryejë ushtrime me pesha, por kjo do të realizohet vetëm pasi ai të ketë nisur tashmë një program aerobie, sipas këshillave të mjekut të tij dhe në bazë të rezultateve të analizave të domosdoshme.

Ndërprisni duhanin

Duhani shkakton çarjen e kapilareve dhe ndikon në humbjen e elasticitetit të tyre. Është provuar se akoma edhe një cigare është e aftë të shkaktojë çarje dhe kjo sepse presioni i gjakut, që qarkullon në brendësi të kapilarëve, rritet. Përveç tensionit të gjakut, shpeshtohen edhe rrahjet e zemrës pasi kjo e fundit është e detyruar të punojë më tepër me qëllim që të mbulojë nevojat e organizmit me oksigjen. Me ndërprerjen e duhanit muret e kapilareve bëhen më elastike, ndërsa zemra punon me ritëm normal dhe nuk lodhet.

Kontrolloni stresin

Megjithëse kjo këshillë është e vështirë që të zbatohet, pasi stresi është i pranishëm në jetën tonë të përditshme, e vërteta është se nëse dëshironi ta përballoni me sukses hipertensionin duhet të kontrolloni stresin. Me fjale të tjera, stresi funksionon sikurse duhani, duke çuar në rritjen e tensionit të gjakut. Personat e brezit të tretë janë më të prekur nga hipertensioni pasi kapilarët e tyre janë më të fortë, më shumë pak elasticitet, për shkak të moshës.

Kujdesuni për regjimin ushqimor

Preferoni peshk dhe zarzavate. Peshqit si sardelet, salmoni etj. përmbajnë tre përbërje yndyrore të cilat është provuar se ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Studimet rreth kësaj çështje janë realizuar në popuj të cilët konsumojnë shumë peshk, si p.sh. eskimezët. Natyrisht që efekti i këtyre përbërjeve tek ju varet nga shpeshtësia e konsumimit të peshkut. Mirë është që të preferoni të hani peshk dy herë në javë dhe të kufizoni konsumin e mishit të viçit; derrit, pulës etj. deri në një herë në javë. Frutat dhe zarzavatet kanë në përbërjen e tyre lëndë të cilat ndihmojnë në ruajtjen e kapilarëve në gjendje sa më të mirë. Pjesa e brendshme e tyre “sulmohet” nga tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli dhe diabeti. Në sajë të lëndëve të vlefshme që përmbajnë frutat dhe zarzavatet, kapilarët qëndrojnë hapur duke lehtësuar qarkullimin sa më normal të gjakut. Specialistët propozojnë që vaktet tuaja të kenë në përbërjen e tyre fruta, zarzavate dhe pak yndyrë mishi.

Rregulloni temperaturën e shtëpisë

I ftohti është një faktor rëndues për hipertensionin, megjithëse shumë e injorojnë. Nuk është e rastit që në verë kardiologët zvogëlojnë sasinë e ilaçeve kundër hipertensionit, për shkak se nxehtësia ul tensionin. Përkundrazi, ndenja në të ftohtë rrit presionin arterial. Ndaj është e rëndësishme që shtëpia juaj të jetë e ngrohtë.

Simptomat

Simptomat me të cilat shfaqet hipertensioni arterial:

– Dhimbje koke
– Marramendje
– Dhimbje dhe ndjenje rëndese në gjoks
– Pagjumësi
– Urinim i shpeshtë
– Etje e madhe
– Dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri.

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!

Komentoni

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress