Disa nga gabimet që i bëjmë në dietë!

Disa nga gabimet që i bëjmë në dietë!

Në mënyrë që të mos vuani urie dhe të mos humbni edhe kohë pa kurrfarë rezultati të dobishëm, ju sjellim disa nga gabimet më të shpeshta që i bëjmë derisa jemi në dietë.

Përzgjedhja e artikujve ushqimorë

Jeni përcaktuar për dietën, e cila ju shkon për shtati, por një nga artikujt ushqimorë nuk është sipas shijes suaj, prandaj e keni zëvendësuar për diçka më të shijshme. Një gabim të tillë nuk guxoni ta bëni. Për një dietë dhe për rezultate të mira punojnë shumë ekspertë, të cilët njohin fare mirë trupin e njeriut dhe punën e tij. Nëse dëshironi të arrini ndikim maksimal shmangni zgjidhjet tuaja dhe përcillni udhëzimet.

Uria

Secila dietë e shëndetshme duhet të ketë së paku katër deri pesë shujta. Shujtat e vogla, por të shëndetshme nuk do ta mbingarkojnë lukthin tuaj, ndërsa që trupit tuaj do t’i ofrojnë atë për të cilën ka nevojë. Duke vuajtur urie arrihet një efekt jetëshkurtër dhe që shumë shpejt kalon në mbipeshë, e që njëherësh mund edhe të jetë i rrezikshëm për shëndetin tuaj. Bëhuni të mençur dhe informohuni.

Humbja eksprese në peshë

Edhe pse reklama të shumta për dieta dhe prodhime dietale ofrojnë humbje eksprese në peshë, jini real. Kilogramët nuk fitohet gjatë natës, prandaj është shumë logjike që me atë shpejtësi as nuk mund t’i largoni. Mos prisni çudinë se ajo nuk do të ndodhë, së paku jo në mënyrë të shëndetshme. Zgjidhni datën e fillimit të dietës dhe çdo javë matni peshën tuaj.

Dietë dhe vetëm dietë

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për faktin se ushtrimet janë mënyra më e shpejtë për heqjen e kilogramëve, por pikërisht shkaku i ritmit të jetës, në të cilin jetojmë është e vështirë të gjejmë kohë për këtë hobi të shëndetshëm. Receta më e mirë për heqjen e kilogramëve janë ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik. Nëse tashmë jeni përcaktuar për një regjim rigoroz të ushqimit, provoni që së paku t’i ndani gjysmë ore për një shëtitje të lehtë. Kjo do ta përforcojë qarkullimin dhe do ta përshpejtojë metabolizmin.

Numërimi i kalorive

Numërimi i kalorive shpeshherë është më e mundimshme se sa vetë dieta. Përmbajuni ushqimit të caktuar, shëtisni sa herë të mundeni dhe peshën përdoreni më së shumti një herë në javë. Jepni kohë vetes dhe keni besim në veten tuaj.

Heqja dorë

Tri ditët e para të dietës janë më të vështirat dhe pikërisht këto janë momentet, ku në shprehje vjen karakteri juaj i fortë. Nëse mendoni se nuk do ta përjetoni këtë ndjenjë të tmerrshme të urisë, zbrazeni frigoriferin tuaj dhe mbusheni vetëm me ushqimet që i keni në meny. Nëse ndieni ngërçe, si pasojë e urisë, atëherë mashtrojeni lukthin dhe konsumoni dy decilitra ujë.

Komento