Dispepsia funksionale – Arsyet e vërteta të një tretje të keqe

Dispepsia funksionale - Arsyet e vërteta të një tretje të keqe

Dispepsia funksionale - Arsyet e vërteta të një tretje të keqeDispepsia funksionale është term mjekësor për dhimbje stomaku ose diskonfort stomaku dhe regjionin mbi umbilikus, afër dhe poshtë brinjëve. Kjo gjendje paraqitet kohë pas kohe, varësisht nga ushqimet e përdorura dhe gjendja psikosomatike.

Dr. Arbër Veliu, specialist
Gastroenterolog – Hepatolog
tel. 044 165 624

Në shumicën e rasteve shkaktari kryesor i dispepsisë nuk identifikohet asnjëherë.

Simptomat e dispepsisë funksionale
* Diskonforti ose dhimbja e stomakut (lukthit)
* Diskonfort ose dhimbje në regjionin umbilikal
* Fryrje barku
* Ndjenja e ngopjes menjëherë pas marrjes së ushqimit
* Nauze (mundim për vjellje), vjellje, humbje oreksi ose rënie në peshë

Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore
Nëse gjatë kësaj periudhe paraqiten edhe simptomat tjera, si psh: vjellja me gjak, vjellja që nuk ndalet përkundër terapisë; nëse rënia në peshë është e shpejtë dhe e gjatë; nëse më jashtëqitje keni ngjyrë të zezë dhe vështirësi në gëlltitje dhe dhimbje

Shkaktarët e dispepsisë
Zakonisht nuk dihet shkaku i dispepsië funksionale, sidoqoftë shkencëtarët janë fokusuar në disa faktorë që mund të nxisin dispepsinë.

Probleme motorike ose nervore – Procesi i tretjes së ushqimit përfshin sistemin nervor dhe muskulor të traktit digjestiv. Problemet që mund të shfaqen në këto sisteme mund të përcillen me probleme në stomak duke ndikuar në zbrazjen e ngadalësuar të përmbajtjes gastrike që shfaqet me mundim (nauze) dhe vjellje, ndjenjën e ngopjes dhe fryrjes së barkut. Sidoqoftë, jo të gjithë që kanë ngadalësim të zbrazjes së stomakut, kanë edhe dispepsi.

Sensitiviteti i dhimbjes – Stomaku gjatë marrjes së ushqimit dhe tretjes krijon lëvizje të muskujve dhe këto lëvizje për disa persona mund të krijojnë ndjenjë të dhimbjes. Ende nuk dihet qartë pse ndodh kjo dukuri.

Infeksioni – Helicobakter pylori( H.pylori) është infeksion bakterial i stomakut që krijon inflamacion (gastritis) të stomakut ose ulcerë (i thatë). Janë bërë disa studime ku tregohet qartë lidhshmëria në mes të dispepsisë dhe infeksionit me HP. Sidoqoftë, jo të gjithë të infektuarit me HP kanë dispepsi.

Faktorët psikologjik dhe social – Personat më dispepsi, shpeshherë kanë probleme me emocione, gjendje ankthi, stresi dhe depresioni. Duke shëruar këto sëmundje, edhe dispepsia mund të largohet dhe përmirësohet.

Diagnoza e dispepsisë
Një grup ekspertësh ndërkombëtarë ka rekomanduar këto teste diagnostike:
Nëse personi është më i vjetër se 50 vjet dhe ka simptome serioze, si p.sh., dhimbje të vazhdueshme të barkut, vjellje të shpeshta, rënie në peshë, vështirësi në gëlltitje, në këto raste është e nevojshme të bëhet ekzaminimi endoskopik (esofagogastroduodenoskopia-gastroskopia). Ky është ekzaminim endoskopik ku përmes një tubi fleksibil me kamerë në maje të saj vizualizohet pamja e brendshme e ezofagut, stomakut dhe duodenit.

Nëse personi është nën moshën 50 vjeçe dhe nuk ka simptome serioze, si test fillestar është Testi për Heicobakter pylori që bëhet përmes ekzaminimit endoskopik (biopsisë), serologjik përmes testit të gjakut dhe Ig G, testi përmes fecesit duke ekzaminuar antigjenin e HP, dhe testi më sinjifikant dhe i saktë “Urea Breath test”, që ekzaminohet HP përmes ekspirimit të ajrit.

Trajtimi i dispepsisë

Dieta
Dieta dhe ushqimi i rregullt luan nja rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e dispepsië, duke pasur një ushqim cilësor simptomat e dispepsisë tek shumë pacientë reduktohen në masë të madhe. Dieta konsiston në atë që: të largohet sa më shumë përdorimi i ushqimeve pikante (djegës) dhe ushqime të yndyrshme (ngase kjo ngadalëson zbrazjen e stomakut) dhe si pasojë kemi fryrje dhe dhimbje stomaku. Racionet e ushqimeve duhen të jenë të vogla dhe të shpeshta, në vend që të merren tre racione në ditë ajo të bëhet me pesë ose gjashtë racione në ditë. Të largohen gjitha ato ushqime që ju mendoni se ju pengojnë dhe krijojnë ndjesi të ngopjes dhe dhimbjes.

Individët me refluks gastrik dhe hiperaciditet duhet të largojnë sa është e mundur ushqimet pikante, salcat e ndryshme, lëngjet e portokallit dhe lëngjet e gazuara, makiato, nescafe, qepa e freskët, hudhra dhe ëmbëlsirat. Lakra dhe fasulja gjithashtu krijojnë fryrje barku dhe dhimbje. Racionet e natës duhet të largohen, racioni i fundit të jetë në ora 19 dhe gjumi 2-3 orë pas marrjes së ushqimit. Alkooli, vera e kuqe dhe duhani e rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Personat që kanë konstipacion duhet të marrin më shumë ushqime me fibra dhe produkte te tyre, misër, bizele, perime, kivi, etj.

Medikamente që zvogëlojnë aciditetin
PPI, inhibitorët e pompës protonike kanë efekt të shkëlqyer ne zvogëlimin e hiperaciditeti, refluksit dhe dhimbjes. PPI më të shpeshtë janë omeprazoli, pantoprazoli dhe lansoprazoli, gjenerat më e re është edhe esomeprazoli. Bllokuesit histaminik si Ranitidina dhe Famotidina kanë efekt të vogël dhe nuk japin shërim të plotë.
Antacidët si maaloxi nuk janë shumë të dobishëm në dispepsinë funksionale.

Mjekimi i infeksionit me H.pylori
Nëse jeni diagnostikuar me H.pylori ose me ulcerë gastrike apo duodenale, mjekimi i saj ndihmon me sukses në zvogëlimin dhe eliminimin e simptomave të dispepsisë. Trajtimi i H.pylori bëhet përmes terapisë “treshe” duke përdorur dy antibiotikë si (klaritromicina dhe amoksicilina) dhe një PPI si (omeprazoli ose pantoprazoli etj) për 7-10 ditë. Gjithmonë terapia të merret pas konsultës me gastroenterologun.

Gjendjet e ndryshme psikogjene dhe depresive duhet të mjekohen dhe trajtohen nga psikiatri dhe psikologu. Gjendja e qetë shpirtërore dhe psikike në masë të madhe zvogëlon simptomat e dispepsisë funksionale. /Telegrafi/

Komento