Drite dhe energji per nje fytyre te qeshur

Drite dhe energji per nje fytyre te qeshur

Në vjeshtë dhe dimër, lëkura e fytyrës, qafa dhe dekolteja kanë nevojë për trajtime që të stimulojnë ndërrimin e qelizave dhe për ta bërë lëkurën elastike, të shkëlqejë dhe më të tonifikuar.

I ftohti, armiku i lëkurës

Vjeshta dhe dimri e vënë në provë të vështirë lëkurën tonë, sidomos atë të fytyrës, qafën dhe dekoltenë, zonat më të zbuluara ndaj sulmit të agjentëve të jashtëm që janë: era, i ftohti, lagështira e tepërt ose e pakët për shkak të ndodhjes globale. Mjafton të shiheni në pasqyrë gjatë stinëve vjeshtë-dimër dhe do t’i vëreni vetë ndryshimet, duke filluar që nga ngjyra e lëkurës, e cila është më gri dhe në zonat kritike indet e kanë humbur elasticitetin. Çfarë të bëni?

Hapi i parë – Pastrohuni brenda

Filloni me një çaj pastrues dhe dezintoksikues. Për efektin e dëshiruar pini çdo ditë, për një javë rresht, një çaj të përgatitur me 40 gr gjethe karçofi, 20 gr rrënjë luleradhiqe, 10 gr gjethe mështekne, 20 gr gjethe bliri e 10 gr rrënjë rrodhe (pjesën më të madhe të këtyre mund ta gjeni në farmaci). Hidhni në një çajnik një lugë gjelle nga përzierja e mësipërme, pastaj shtoni një litër ujë dhe vendoseni në zjarr. Pasi uji të marrë valë, hiqni kapakun e çajnikut, mbulojeni me një letër kuzhine dhe lëreni 15 minuta në qetësi. Pasi të jetë ftohur pak, kullojeni dhe pijeni, duke e ëmbëlsuar sipas dëshirës me pak mjaltë. Këshillohen dy filxhanë në ditë pas vakteve.

Hapi i dytë – Lëmimi i lëkurës

Tani veproni mbi lëkurë duke përdorur bimët që ndikojnë në zbardhjen e saj. Ky infuzion me shtatë bimë aromatike ka dy funksione: mund të përdoret si tonik pastrues (aplikohet mbi lëkurën e fytyrës me kompresa pambuku), por edhe si çaj. Përgatitet me disa gjethe dhe lule shajore, me disa lule dhe gjethe luleshtrydheje, një dorë petalesh trëndafili të kuq, një dorë lule sherbele, një dorë glikanxo, një dorë lule livando dhe një majë luge borzilok. Të gjitha barishtet e mësipërme futini në një litër ujë. Kjo përzierje mund të përdoret për të larë fytyrën, ose në formën e kompresave, duke i vendosur në fytyrë në mbrëmje. Gjithashtu mund ta përdorni edhe si çaj pastrues.

Fara gruri, kos dhe fruta për një lifting natyror

Faza e dytë e “operacionit” përfshin dy maska rigjeneruese dhe ushqyese, që duhet të përdoren vetëm për fytyrën, qafën dhe dekoltenë. Këto dy trajtime bio të bëra vetë përmbajnë ekstrakte frutash (tuli i mollës), vajra vegjetale (fara gruri), farë kosi (qumësht dhe kos), gjurmë elementë (argjilë): të gjitha këto janë substanca natyrore që stimulojnë përtëritjen e qelizave në thellësi dhe veprojnë si “lifting”. Rezultatet janë menjëherë të dukshme.

Hapi i tretë – Rigjallërimi

Një ëmbëlsirë i jep fytyrës ton dhe elasticitet. Pasi lëkura është pastruar brenda dhe jashtë, ka nevojë që të ushqehet. Ja receta e një ëmbëlsire të vërtetë rigjallëruese për epidermën. Përzieni dy lugë gjelle vaj farash gruri, dy lugë gjelle lëng limoni dhe 2 lugë argjilë. Përziejeni deri sa të krijohet një masë kremoze. Masën aplikojeni mbi lëkurën e fytyrës, duke shmangur zonat përreth syve. Pas 15 minutash shpëlajeni fytyrën me ujë të ngrohtë.

Hapi i katërt – Largoni stresin

Maska me mollë është hapi i fundit për rigjallërimin e lëkurës së fytyrës. Për të plotësuar “programin rigjallërim”, provoni një maskë me mollë që eliminon qelizat e fundit të vdekura, largon gjurmët e stresit dhe shfaqjen e rrudhave të para. Merrni një kokërr mollë, lajeni mirë, futeni në shtrydhëse, shtojini pak qumësht ose kos dhe përziejeni deri sa të fitoni një masë kremoze për ta vendosur mbi fytyrë. Lëreni të veprojë për 15 minuta dhe pastaj shpëlajeni me ujë të ngrohtë.

Komento