Dumreja, perla karstike e Mesdheut

Dumreja, perla karstike e Mesdheut

Mrekullitë natyrore të Shqipërisë janë të shumta, një prej të cilave edhe Dumreja e Elbasanit, e njohur si një nga perlat karstike më të bukura të Mesdheut.

Dhurata më e çmuar që natyra i ka bërë kësaj zone janë 85 liqenet karstike, ndërsa pozicioni gjeografik i saj ka premisa për t’u zhvilluar e për t’u bërë një zonë e lakmueshme si nga turistët, por edhe për biznesin.

Për këdo që dëshiron të shohë nga afër mrekullitë që natyra i ka falur zonës së Dumresë, nuk është aspak e vështirë. Pasi ke kaluar Elbasanin nuk duhen më shumë se 45 minuta udhëtim që të futesh në zonën Dumresë, qe shtrihet në një sipërfaqje prej 21500 hektarë, ku 3 për qind të saj e zënë liqenet karstike, numri i të cilëve shkon në 85.

Vëllimin më të madh të ujit në to e ka liqeni i Merhoes, nderkohe qe të mëdhenj konsiderohen edhe liqeni i Çestinjës me 97 hektarë, Seferani 87,5 hektarë, i Degës 37,5 hektarë, ndërsa më i vogli është liqeni i Çartallozit me 0.5 hektarë. Ndërsa më të thellë janë Merhoja 61 metra, Peraska 51 metra, Çërraga 29 metra, Seferani 20.8 metra etj dhe thellësia më e vogël zbret në 10 metra.

Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë është se ato janë liqene me regjim shiu dhe mbushja me ujë e gropave të tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore. Sipërfaqet e këtyre liqeneve janë afro 14.2 km2 me një aftësi ujëmbajtëse 26 milion m3. Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht.

Në rrugët e qytezës së Belshit të zë syri peshkatarë që shesin torfën, e cila rritet në liqenet e saj. Ndërkohë që të gjitha këto liqene janë shumë të përshtatshëm për zhvillimin e florës dhe faunës ujore e bregliqenore.

“Përparimet shihen kudo dhe nga Dumreja askush nuk ka ndërmend të largohet për në drejtim të kryeqytetit apo drejt bregdetit. Madje drejt Dumresë po e marrin rrugën edhe disa investitorë të huaj. Ata janë duke e studiuar me kujdes perspektivën dhe ndoshta që gjatë këtij viti mund të konkretizohen investimet e para serioze të huaja”, thotë kryetari i bashkisë, Asqeri Kuqja.

Ditët e fundit buzë liqeneve të vogla ka nisur edhe një fushatë nga inspektoriati ndërtimor për prishjen e të gjitha objekteve pa leje, të cilat i kanë dhënë liqenit një tjetër pamje.

Zona e Dumresë shtrihet midis lumejve Devoll në jug dhe Shkumbin në veri dhe fillon aty ku mbaron fusha e Pazhokut në Cërrik dhe përfundon atje ku fillon fusha e Myzeqesë. Kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë është Belshi dhe rilindasi i madh, Sami Frashëri, e kishte projektuar që ai të ishte kryeqyteti i Shqipërisë.

Ideja e tij për të qenë Belshi kryeqytet i Shqipërisë ishte nxitur nga fakti se kjo zonë është kërthiza e vendit tonë dhe se bukuritë natyrore të saj janë vërtetë të pazakonta. Prania e kodrave të rrumbullakosura e me lartësi të njëjtë, që ndahen nga njëra tjetra nga lugina të vogla, i kanë dhënë pllajës së Dumresë një pamje të valëzuar që e bën atë mahnitëse.

Dumreja e “pushtuar” historikisht nga vapa ka shanse të bëhet ashtu sikurse e ëndërrojnë banorët e saj. Emri Dumre është formuar nga thirrjet “Duam re”, pasi mungesa e ujit ka qenë vuajtja torturuese që i ka shoqëruar përjetësisht këta banorë, por që tashmë nuk po ndjehet më kaq e rëndë, pasi me ndërtimin e ujësjellesave etja po vjen duke u zbutur.

Komento