Facebook do të “zhduket” brenda tetë vitesh?

Facebook do të “zhduket” brenda tetë vitesh?

Analisti Eric Jackson nga kompania investuese, Ironfire Capital, beson që Facebook do të zhduket deri në vitin 2020 – dhe kur thotë “zhduket” ai në të vërtetë mendon që kjo kompani do të shkrihet mu sikurse është shkrirë edhe Yahoo.

Dhe, kur thotë që do të “shkrihet”, ai në të vërtetë mendon që do të bie në mënyrë drastike vlera e aksioneve dhe ndikimit, dhe jo numri i shfrytëzuesve aktivë.

Si arsye për rënien e vlerës së Facebookut Jackson thekson që ky rrjet shoqëror do të luftojë në mënyrë të pasuksesshme për të fituar në tregun mobil. Madje, Facebook pak para daljes problematike në bursë bëri të ditur që pret fitim më të vogël dhe rezultate më të dobëta financiare pikërisht për shkak të vështirësive që të fitojë përmes shërbimeve të veta në pajisjet mobile.

Përveç kësaj, studimi më i ri i kryer nga agjencia e lajmeve Reuters dhe shtëpia analitike Ipsos, për sjelljen e amerikanëve në Facebook ka zbuluar që vetëm një e pesta e shfrytëzuesve amerikanë të këtij shërbimi janë të prirë për blerje online – dhe kanë blerë diç si rezultat i reklamave ose komenteve në Facebook. Madje, muajin e kaluar General Motors kishte tërhequr reklamat e veta me vlerë dhjetë milionë dollarë nga ky rrjet shoqëror, me arsyetimin që ato nuk kanë efekt (edhe pse është e çuditshme që kushdo në këtë kompani të ketë menduar që Chevroletët e rinj duhet reklamuar tek shfrytëzuesit e Facebook).

Megjithatë, me 900 milionë shfrytëzues aktivë, është vështirë të paramendohet që Facebook nuk do të gjejë një mënyrë që të fitojë para, përkundër prognozave negative.

Komento