Facebook na e ndërron strukturën e trurit?

Facebook na e ndërron strukturën e trurit?

Personat me listën e gjatë të miqve në Facebook kanë struktura më të mëdha dhe më të dendura në tri regjionet e trurit për dallim nga ata që kanë vetëm disa miq online.

Shkencëtarët e kanë hulumtuar, por ende nuk e kanë zgjidhur enigmën nëse pjesa e trurit përgjegjëse për jetën sociale ndikon që njerëzit të cilët kalojnë mjaft kohë në Facebook të kenë më shumë miq, apo shfrytëzimi i shpeshtë i atij rrjeti shoqëror ka çuar deri tek ndryshimet në tru.

Duke studiuar trurin e shfrytëzuesve të Facebook hulumtuesit kanë konstatuar që personat me listën e gjatë të miqve në këtë rrjet kanë struktura më të mëdha dhe më të dendura në tri regjionet e trurit për dallim nga ata që kanë vetëm disa miq online.

Siç përcjell AFP-ja, bëhet fjalë për lobin e sipërm temporal dhe gjirusin e mesëm temporal i cili lidhet me perceptimin social siç është vënia re e shikimit të huaj ose shprehjes së fytyrës tek të tjerët, dhe korteksit entorinal i cili lidhet me mbajtjen mend të fytyrave dhe emrave.

Çështja është nëse madhësia e pjesës “sociale” të trurit nxit njerëzit të kenë më shumë miq në Facebook apo ajo pjesë u nënshtrohet ndryshimeve gjatë përdorimit të shpeshtë të rrjetit shoqëror, ka thënë udhëheqësi i hulumtimeve, Geraint Rees, neurolog, profesor i Kolegjit universitar në Londër, duke theksuar që janë të nevojshme të kryhen hulumtime të reja për të ardhur deri tek përgjigja.

Më herët edhe Susan Greenfield, e cila në Oxfiord merret me hulumtime shkencore në fushën e neurologjisë, ka ngritur pluhur të madh duke pohuar që mendja njerëzore thjesht do të bëhet më “fëmijërore”, dhe do të jetë e paaftë për koncentrim dhe empati më të gjatë, do të anojë kah sensacionalizmi dhe do të ketë ndjenjë të përzier të identitetit.

Komento