Faktorët që ndikojnë negativisht në dëshirat tona seksuale

Faktorët që ndikojnë negativisht në dëshirat tona seksuale

Për të pasur një raport të shëndetshëm duhet vazhduar të kontribuohet përmes disa zgjedhjesh që do të thotë angazhim dhe përpjekje për të rifreskuar herë mbas herë këtë marrëdhënie. Intimiteti në një marrëdhënie nuk mund të jetë pjesë e të shkuarës.

Një shprehje në lidhje me këtë çështje thotë: “Jeta pa seks është si një llogari bankare bosh”. Sipas studimeve ka rezultuar se seksi jo vetëm shton gëzimin tek njerëzit por edhe përmirëson shëndetin, madje kontribuon edhe në zgjatjen e jetës.

Thuhet se në disa marrëdhënie, intimiteti nuk vdes kurrë, ndërsa në disa të tjera dëshira për seks bie shumë shpejt. Sipas psikologëve që kanë trajtuar tematika të tilla dëshira për seksin lidhet me pasionin i cili herë mbas here edhe mund zhduket. Çfarë e karakterizon këtë intimitet ndryshon nga personi në person. Megjithatë është argumentuar se sa më shumë të zgjasë një marrëdhënie aq më shumë ulet dëshira për seksin. Kjo gjendje është akoma më problematike kur në një marrëdhënie njëri nga partnerët ka një orientim të lartë seksual dhe tjetri shumë të ulët. Mënyra se si e konceptojnë ata realizimin e dëshirave të tyre intime është i ndryshëm. Martesat e lumtura nuk vijnë aksidentalisht në fakt. Eksperienca dhe kërkime dekadash kanë treguar se në kulturën lindore, marrëdhëniet e shëndetshme dhe të gjata janë më së shumti të ndërtuara mbi inteligjencën emocionale. Dhe e mira është se ndryshe nga inteligjenca e përgjithshme, inteligjenca emocionale edhe mund të mësohet. Ajo që ne dimë rreth martesës dhe marrëdhënieve intime vjen nga eksperiencat e hershme, nga familja dhe origjina jonë. Por të tilla eksperienca ende edhe sot i lënë të papërgatitur çiftet ndaj sfidave dhe të papriturave që dalin gjatë udhës së përbashkët, e që natyrisht një pjesë e mirë e kësaj udhe janë edhe marrëdhëniet seksuale.
Faktorë që ndikojnë në dëshirat tona seksuale
Janë të njohur disa faktorë që ndikojnë në dëshirat seksuale si: faktori biologjik, medikamentet, alkooli, mosha dhe gjinia.
Dëshira seksuale ndikohet nga shumë komponentë psikologjikë por edhe ata biologjikë gjithashtu. Megjithëse mund të mos shquhet që në rini, seksi është një sistem biologjik shumë delikat që ndikohet lehtë nga gjendja jonë shëndetësore. Po ashtu ilaçet më të zakonshme që mund të krijojnë efekte në dëshirën seksuale janë antidepresivët ose medikamentet kundër ankthit. Në fakt medikamente të ndryshme ndikojnë tek njerëzit në mënyra të ndryshme, pra jo të gjithë njerëzit mund t’i nënshtrohen efektit të tyre. Edhe alkooli është konsideruar si një komponent që ndikon në dëshirën për marrëdhënie seksuale dhe e dëmton funksionimin seksual. Përdorimi i tepërt i alkoolit ul dëshirën seksuale si tek burrat ashtu dhe tek gratë. Shumë njerëz mund të kenë një përgjigje problematike seksuale teksa vitet kalojnë. Megjithatë mund të jetë një periudhë e shkurtër në jetën tuaj që trupi mund të pësojë rënie të oreksit seksual. Shumë gra përballen me simptomat e “paramenopauzës” për shumë vite para ardhjes së menopauzës. Dhe kjo e redukton në minimum dëshirën seksuale. Gratë tashmë janë duke i përjetuar shenja të tilla shumë herët. Ndërkohë që dhe burrat përballen me ndryshime hormonale gjithashtu. Në raste të tilla do ishte shumë i dobishëm konsultimi me një specialist.

Ndikimi i aktivitetit seksual në menopauzë
Sipas teorive të disa kërkuesve, trupi mund të përgjigjet në nivele më të larta të aktivitetit seksual duke prodhuar më shumë hormone. Studiuesja australiane, Lorraine Dennerstein, është kujdesur gjithmonë për çështje që lidhen me “fundosjen” e femrave që bëjnë seks çdo ditë. Ajo ka zbuluar se nuk ka rëndësi se në cilin grup kurimi janë këto femra, ato nuk shfaqin asnjëherë probleme vaginale. Ekspertë të tjerë të seksit kanë zbuluar rezultate të ngjashme. Sipas ekspertëve çdo femër e cila po shkon drejt fazës së menopauzës duhet të bëjë çdo ditë seks, pasi tregon ndikimin pozitiv tek menopauza mbajtja e rregullt e aktivitetit seksual. Është e rëndësishme të kuptohet se si meshkujt edhe femrat kanë tendencën të ndjejnë më pak dëshirën për seks pas disa vjetësh. Me kalimin e kohës ata kuptojnë se kanë shumë vështirësi në arritjen e orgazmës. Shumë çifte zbulojnë sesi marrëdhënia rregullohet nëse ata bisedojnë mes tyre për pengesat.

Ndikimi i faktorëve emocionalë në seksualitet
Çrregullimet seksuale janë dëmtime që ndodhin gjatë ndonjë stadi të ciklit seksual, nga ndikimi i disa faktorëve të cilët pengojnë partnerët të shijojnë kënaqësinë që lind gjatë aktivitetit seksual. Faktorët emocionalë përfshijnë probleme të të dy partnerëve si p.sh. disharmonia e partneritetit, mungesa e besimit tek partneri apo e komunikimit të hapur midis tyre; kurse faktorët psikikë përfshijnë ato brenda individit si depresioni, faji apo frika seksuale, traumat nga seksi etj. Në shkaqet fizike përmenden edhe drogat e ndryshme (narkotikët, stimulantët, alkooli, nikotina, antihistaminikët), çrregullime të lidhura me dhimbjen e mesit, prostatën, traumat, çrregullimet endokrinë kryesisht tiroide, hipofize dhe gjëndrës mbiveshkore, si dhe sëmundjet e ndryshme. Një risk i shtuar ndodh tek diabetikët, njerëzit që abuzojnë me alkoolin e drogat e ndryshme dhe ata që kanë disharmoni kronike me partnerin apo mjedisin përreth.

Çrregullimet seksuale dhe faktorët ndikues
Tri janë simptomat karakteristike të shfaqjes së impotencës te meshkujt. Në rastin kur ata kanë çrregullime seksuale, sipas specialistëve të fushës, problemet lidhem me ereksionin. Ndërsa dy janë simptomat karakteristike për gratë që kanë çrregullime seksuale. Ndryshe nga meshkujt, femrat vuajnë më shumë stresin dhe problemet e përditshmërisë. Pothuajse tek të dy partnerët e çiftit vihet re mungesa e interesit ose dëshirës për seks, paaftësia për t’u ndjerë i kënaqur. Tek meshkujt shfaqen simptoma të tilla si paaftësia për të arritur ereksionin, paaftësia për të mbajtur ereksionin gjatë gjithë aktit, vonesa ose mungesa e ejakulacionit, paaftësia për të kontrolluar ejakulacionin në kohën e nevojshme (orgazmës mashkullore). Ndërsa tek femrat vihen re simptoma të tilla si paaftësia për t’u përqendruar, paaftësia për të arritur orgazmën femërore, etj./T.O/

Komento