Fëmijët mbajnë mend edhe kur duket se kanë harruar

Fëmijët mbajnë mend edhe kur duket se kanë harruar

Para 15 vjetësh në librin për zhvillimin njerëzor është përmendur që fëmijët gjashtëmuajsh apo edhe më të vegjël nuk kanë ndjenjën e “përhershmërisë së objekteve” – termi psikologjik, i cili shpjegon besimin e foshnjave që ndonjë objekt ekziston edhe atëherë kur nuk është para syve.

Kjo do të thotë që kur nëna dhe babai nuk janë në hapësirën e njëjtë me fëmijën, atëherë fëmija nuk e ka ndjenjën që prindërit e tij janë pjesë e botës së tij.

Tani psikologët e dinë që kjo nuk është e vërtetë. Për fëmijët e vegjël jashtë shikimit nuk nënkupton automatikisht edhe atë jashtë mendimeve. Pyetja e duhur është se sa mbajnë mend fëmijët për botën që i rrethon dhe cilat detaje truri i tyre duhet t’i absorbojë për t’u ndihmuar të përcjellin këto gjëra?

Hulumtimi i ri i kryer nga ana e psikologëve dhe ekspertëve për zhvillim të fëmijëve në Johns Hopkins ka shtuar disa pjesëza në misterin aktual. I publikuar së fundi në revistën “Psyhological Science”, ky studim ka zbuluar që edhe pse fëmijët e vegjël mund të mbajnë mend detajet për objektet që u janë treguar dhe pastaj fshehur, truri i foshnjave ka një set të “treguesve” të ndërtuar që i ndihmojnë të mbajnë besimin që diçka që kanë parë ekziston akoma edhe pse nuk mund ta shohin më.

“Ky studim është marrë me një problem klasik në studimin e zhvillimit të foshnjave: Cilat informata për ndonjë objekt duhet t’i mbajë mend foshnja për të ditur akoma që ai objekt ekziston edhe kur nuk e kanë para syve?”, thotë Melissa Kibbe, hulumtuese e post-doktoraturës në Departamentin për shkencë psikologjike dhe tru, në  Johns Hopkins Krieger School. Gjatë hulumtimit ajo ka bashkëpunuar me kolegun Alan Leslie nga Universiteti Rutgers. Përgjigjja të cilën e kanë marrë është e shkurtër: “Shumë pak.”

Ekipi ka zbuluar që edhe pse foshnjat nuk mund të mbajnë mend format e dy objekteve të fshehura, ata janë të befasuar kur ato objekte zhduken tërësisht. Përfundimi? Foshnjat me të vërtetë mbajnë mend ekzistimin e objektit pa u kujtuar se çka kanë qenë.

Kjo është e rëndësishme, ka shpjeguar Kibbe, sepse hedh dritë në mekanizmin e trurit, i cili i kontribuon memories tek foshnjat.

“Rezultatet tona tregojnë që  truri ka një set “të treguesve” që përdoren për mbledhjen e gjërave për botën që duhet t’i mbajmë mend”, tha Kibbe, e cila ka kryer shumicën e hulumtimeve gjatë kohës së studimeve të doktoraturës në Leslie’s laboratory në Rutgers. “Treguesit vetvetiu nuk japin asnjë informatë për atë se çka tregojnë, por na thonë që diçka gjendet aty. Foshnjat përdorin të gjitha shqisat për të përcjellë objektet pa mbajtur mend se çfarë janë ato objekte.

Hulumtimi mund të ndihmojë hulumtuesit të përcaktojnë shkallën e përshtatshme kohore të zhvillimit mental dhe fëmijëve.

Më studim, djali gjashtëmuajsh ka përcjellë trekëndëshin e fshehur pas pëlhurës dhe pastaj objekti (disku) tjetër është vënë pas pëlhurës tjetër. Hulumtuesit pastaj kanë larguar pëlhurën e parë për të zbuluar, ose trekëndëshin, ose diskun, ose asnjërin objekt, sikur trekëndëshi është zhdukur papritmas.

Ekipi pastaj ka përcjellë reagimet e foshnjave, duke matur se sa gjatë ata shikojnë rezultatet e pritura kundrejt të papriturave.

Në situatën kur janë zëvendësuar objektet, fëmijët janë dukur sikur mezi e vënë re dallimin, ka thënë Kibbe, duke theksuar që ata nuk e kanë ruajtur memorien në formë të objekteve. Në mendjet e tyre trekëndëshi dhe disku kanë qenë virtualisht të ndërrueshëm njëri me tjetrin.

Sido që të jetë, kur njëri nga objektet është zhdukur, fëmijët kanë qenë  të befasuar dhe në mënyrë kureshtare kanë shikuar gjatë në hapësirë, duke bërë të ditur që kanë pritur diçka në vend të asaj që është gjetur atje.

“Shkurt, ata kanë ruajtur indikacionin e zbehtë të ekzistimit të ndonjë objekti”, ka thënë Leslie.

Komento