Fëmijët, mjaft me gishtin në gojë

Fëmijët, mjaft me gishtin në gojë

Disa foshnja, që në muajt e parë të jetës, marrin një zakon që prindërit i shqetëson: mbajnë gishtin e madh të dorës në gojë.

Kjo është një mani e ëmbël, që zakonisht e bën beben t’i ngjajë një kukulle, por ndonjëherë bëhet shqetësuese, sepse mund t’i dëmtojë dhëmbët kur të dalin dhe qiellzën. Thithja e gishtit është një ndër reflekset natyrore të foshnjës.

Në atë mënyrë qetësohen kur janë të lodhur, të uritur, të mërzitur apo kur dëshirojnë të flenë. Shkencëtarët pohojnë se thithja e gishtit u dhuron kënaqësi, sikurse të kenë ngrënë apo në atë mënyrë mundohen të kompensojnë mungesën e ushqimit në biberon. Në fakt situata nuk është aq dramatike sa duket: nëse ky ves nuk vazhdon më gjatë se deri në moshën tre vjeç, nuk ka pasoja. Natyrisht që rreziku është i pranishëm, por gjërat duhet të merren shtruar.

Ideale do të ishte që gishtin ta zëvendësonte me një shami ose biberon, një objekt që ndryshe nga gishti, në momentin e duhur mund të zhduket si me magji nga qarkullimi. Foshnjat lindin me nevojën për të thithur dhe te disa, kjo gjë është tepër e dukshme. Për të përmbushur këtë nevojë, disa bebe thithin gishtin dhe disa të tjera biberonin. Megjithatë asnjëherë nuk dihet nëse metodat e veçanta për të shmangur thithjen mund të shkaktojnë efekte të kundërta.

Por çfarë duhet bërë nëse kjo manovër nuk funksionon? Gjëja e parë që duhet të bëni është të kuptoni nëse thithja ndodh vetëm në momentet kur foshnja do të qetësohet ose të ngushëllohet. Fëmijës nuk i duhet bërtitur, sepse dëshira e tij mund të shtohet nga kjo mënyrë. Në vend të kësaj, mund të shikoni se kur dhe në çfarë kohe bebja thith gishtin. Nëse kjo gjë ndodh gjatë kohës që sheh televizor, jepini një top në dorë, kukull apo ndonjë lodër tjetër që mund t’ia tërheqë vëmendjen.

Nëse thithja e gishtit ndodh kur ai është i frikësuar apo i nevrikosur, mundohuni ta bindni që ai t’i shprehë ndjenjat me anë të fjalëve. Nëse është i uritur, jepini ndonjë mollë ose karotë. Çelësi i suksesit është që ta zbuloni se kur e thith gishtin dhe t’i jepni ndonjë gjë tjetër pa ju kuptuar.

Në këto raste, ideale do të ishte t’i ofronit një objekt tjetër, që e ndihmon vërtet të plotësojë nevojat psikologjike të qetësisë, në një mënyrë tjetër. Në këtë moment, gishti në gojë nuk është një ves, por një pasazh i rritjes ku mësohet të shkëputet nga nëna dhe të jetë më i pavarur. Prandaj nëse kjo fazë zgjat për shumë kohë, atëherë duhet të kërkoni një zgjidhje tjetër të tipit psikologjik. Për shembull, fëmija ka nevojë që të tjerët ta dëgjojnë më shumë ose mund të mos jetë në gjendje të përballojë momentet e para të autonomisë.

Është gjë tjetër pastaj, nëse bebja thith gishtin nga mërzia. Në këtë rast, gjatë viteve të para të jetës, bebja e heq vetë këtë zakon. Rreth moshës katërvjeçare, nëse vazhdon ta mbajë gishtin në gojë, atëherë flisni me të dhe shpjegojini se çfarë po ndodh.

Nëse as kjo mënyrë nuk funksionon, zgjidhni mënyra të tjera, si për shembull lyejani gishtin e madh me manikyr, ose vendosini një dorezë në dorë, por gjithashtu mund t’ia lyeni gishtin me piper, spec djegës. Duhet të jeni të qartë se nuk po e ndëshkoni, por po e ndihmoni. Për këtë arsye, në fazën e parë është e vlefshme që ta shpërbleni fëmijën nëse mban premtimin për të mos e futur gishtin në gojë. Ekzistojnë dy mënyra si thithin foshnjat gishtin.

Foshnjat, të cilat e thithin gishtin në mënyrë pasive, ku gjasat janë më të vogla që të kenë probleme me dhëmbët, dhe foshnjat të cilat këtë e bëjnë në mënyrë agresive dhe nevrike. Ky është një ves normal, por mundohuni që t’ia hiqni atë para se t’i dalin dhëmbët e përhershëm. Nëse ky ves vazhdon të jetë i pranishëm pas moshës 5-6-vjeçare, atëherë zgjidhja e vetme është vizita te një dentist. Ekzistojnë trajtime të ndryshme për të parandaluar thithjen e gishtit gjatë natës, që ndoshta do t’i bëjnë netët e para më të sikletshme, por do t’u shpëtojnë dhëmbët dhe të folurën./bebaime/

One Comment

  1. ajo eshte e vertet qe femijet e vogel e majn gishtin ne goje kur ta qorton prinderit e tij ( asaj)

Komento