Frikë nga jeta?

jeta

Horas Kaleni, filozof amerikan njëherë pat thënë: ” Ekzistojnë njerëz që e ndryshojnë jetën e vet ngase i frikohen vdekjes dhe njerëz që atë e bëjnë ngase i gëzohen jetës. Grupi i parë jeton duke vdekur, përderisa grupi i dytë vdes duke jetuar. Pa marr parasysh se kur vdes, kam ndërmend të vdes duke jetuar!” Pra cili është kuptimi i të jetuarit. Unë nuk mendoj se kuptimi i të jetuarit është të shkruash libra të rëndësishme apo të grumbullosh pasuri të madhe, të eksponosh fuqinë dhe ndikimin tënd. Unë mendoj se shumë njerëz nuk e njohin artin e të jetuarit, e cila megjithatë është ART. Shumë për fat të keq vegjetojnë, e këtë më së miri e ilustron thënia nga shkrimi i Daut Demakut: “Njeriu nuk rron dy herë, por ka shumë nga ata që nuk dinë të jetojnë as një herë…” Kuptimi i jetës është në thënien: “Duaj dhe bëhu i dashur”. Duaje edhe ushqimin, kënaqu në të, edhe rrezet e diellit edhe hënën. Nuk ka kënaqësi në jetë dinamike, në shkuarje të shpejtë në zyre. Shikoje perëndimin e diellit, mënyrën e veçantë të komunikimit me njerëzit, kuptoje krijesën tjetër njerëzore, ëndërro me të, jeto dhe kënaqu emocionalisht, fizikisht, me mendime dhe me shpirt. Çdo dashuri e re, çdo miqësi, çdo fshehtësi e mësuar neve vetëm na pasuron, na bënë krijesa më të vlefshme se që kemi qenë. Jetën duhet shikuar si proces të mbledhjes së pasurisë së përjetshme. Nuk duhet rezistuar jetës, dashurisë, miqësisë. Çdo çast kur t’i mund t’i ofrosh dikujt dashuri, kënaqësi është pasuri. Vet jeta është si një roman i mire në të cilën sa më tepër thellohesh aq më shumë ka kuptim. Me kalimin e kohës plotësohet karakteri i njeriut dhe ngjarjet e kaluara e marrin kuptimin që për momentin ai kuptim mungon. Me kalimin e kohës gjithçka qartësohet. Nëse sot nuk e ke të qartë se pse do të duhej të investosh në dashuri, miqësi, nëse sot ti nuk e gjen PSE-në e madhe të jetës sate, PSE-ja ka për të gjetur nesër ty!? Jeta megjithatë ka kuptim, nëse ai kuptim ju mbush me gëzim dhe hare të cilën me zemërgjerësi do t’ia ofroni të tjerëve. Fisnikëria është virtyt i madh. Mos iu frikoni jetës. Mos kërkoni këshillë nga frika e juaj. Nuk është dështim nëse je rrëzuar, dështim është nëse rrëzohesh dhe nuk ngritesh më. Dështimi më i madh në jetë është vet frika nga dështimi. Frika nga jeta.

Komento