Gjendet ilaçi kundër zukatjes në veshë?

Gjendet ilaçi kundër zukatjes në veshë?

Tinitusi, zukatja praktikisht e pashërueshme në veshë, e cila përkeqëson jetën e atyre që vuajnë nga ajo, mund të lehtësohet në mënyrë të konsiderueshme me terapinë e kombinuar, kanë theksuar ekspertët nga Universiteti Mastricht në Holandë.

Tretmani bëhet në grupe më të vogla, ndërsa përbëhet nga seancat te psikologu dhe audio-terapitë, me çka arrihet reduktimi i sikletit për shkak të tingullit këmbëngulës dhe largimit të vëmendjes dhe mendimeve nga ky problem, ka transmetuar agjencia franceze e lajmeve, AFP.

Ekipi holandez këtë terapi e ka aplikuar në 245 pacientë të rritur, ndërsa në grupin kontrollues ka pasur 247 pacientë, të cilët i janë referuar terapisë tradicionale te otorinolaringologu.

Pas një viti, pacientët nga grupi i parë kanë raportuar përmirësimin prej 33 për qind të problemit lidhur me formën më të rëndë të tinitusit, derisa pacientët nga grupi kontrollues kanë raportuar përmirësim prej vetëm 13 për qind.

Te pacientët nga grupi parë, me ndihmën e pyetësorëve të verifikuar shkencërisht, është vërtetuar përmirësimi i dukshëm i kualitetit të jetës dhe reduktimi i nivelit të stresit.

Edhe pse ende e dëgjojnë tingëllimën në vesh, pacientët nga grupi i parë theksojnë që ndihen të shëruar, sepse kanë mësuar që të mos i kushtojnë vëmendje problemit.

Deri një e pesta e njerëzve të rritur në botë vuajnë nga tingëllima apo zukatja në veshë në ndonjë periudhë të jetës.

Shërimi i këtij çrregullimi është i shtrenjtë dhe me rezultat të pasigurt.

Komento