Gjithçka duhet të dimë mbi shfaqjen e sëmundjeve të rrugëve urinare

Gjithçka duhet të dimë mbi shfaqjen e sëmundjeve të rrugëve urinare

Thuajse çdo ditë dëgjojmë njerëz që të ankohen për shqetësimet që u sjellin infeksionet e rrugëve urinare. Stina e ftohtë ndikon në acarimin e këtyre problemeve, prandaj mjekët japin disa këshilla se si mund të parandalohet shfaqja e këtyre problemeve.

Zbulimi i faktorëve të rinj që ndikojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e sëmundjeve, simptomat e para, trashëgimia, kurat dhe shumë të tjera si këto vazhdojnë të jenë në qendër të punës së shkencëtarëve.

Për ta ka ende shumë punë deri në evidentimin e të gjithë arsyeve që shkaktojnë dëmtimin e njërit e organeve në trupin e njeriut, përhapjen e infeksioneve të rrugëve urinare dhe në fund kurimin e plotë të saj. Në suplementin e sotëm “Tirana Observer” sjell gjithçka duhet të dimë mbi shfaqjen e sëmundjeve të rrugëve urinare, mënyrat e parandalimit e kurimit, dhe këshillat e mjekëve. Në disa raste, në vend të simptomave, janë dhënë këshilla ose mënyra të reja mjekimi që specialistët sugjerojnë për të prekurit. Një trajtim jo i duhur i infeksioneve urinare mund të çojë në kronicizim të tyre, e mandej në atrofi (zvogëlim) të veshkave, rritje të shifrave të tensionit arterial, prishje të funksionit të veshkave dhe azotemi. Por si mund ta parandalohet ky problem dhe cilët persona janë më të predispozuar për t’u prekur? Si të përgatisni çajrat me fruta për të kuruar infeksionet e rrugëve urinare dhe veshkave. Cila është gjinia më e prekur. Rrushi pastron veshkat. Lëngu i mollës shmang infeksionet. Efektet e hurmës, fikut dhe përgatitja e çajrave kuruese. Si të shmangni sëmundjet që prekin aparatin tretës dhe hipertensionin. Këto e shumë të tjera në një speciale prej pesë faqesh, me këshillat dhe rekomandimet e mjekëve, ushqimet që duhet të konsumojmë dhe kurat popullore për të parandaluar e luftuar sëmundjet e traktit urinar.

Cilët janë shkaktarët e infeksioneve urinare

Shkaktarët më të shpeshta të infektimit të rrugëve urinare janë mikroorganizmat apo mikrobet: E.Coli në 80% të rasteve, proteus kronicizohen dhe bëjnë atrofi (zvogëlim) të veshkave, gjë e cila sjell rritje të shifrave të tensionit arterial, prishje të funksionit të veshkave dhe azotemi, insuficiencë renale kronike. mikrobilis në 10-15% të rasteve e më rrallë klebsiella, piocineus, stafilokoku aureus, streptokoku etj. Shkaktarë të tjerë, përveç mikrobeve, mund të jenë edhe parazitët si trikomonas, apo më rrallë viruset.

Çfarë shenjash klinike shfaqin infeksionet urinare kronike

Në rastet kronike kemi rëndim të mesit, herë pas here lodhje, dhimbje koke, si rezultat i rritjes së shifrave të tensionit arterial, urinim të shpeshtë e herë pa here me djegie e ndryshim të ngjyrës. Në analizën e urinës ka proteinuri (albuminë), e cila mund të arrijë nga gjysmë deri 1 gr në 24 orë. Densiteti i urinës ulet dhe ka leokucite në urinë si dhe cilindra leukocitarë. Në infeksionet e rrugëve të poshtme urinare si ato të fshikëzës së urinës i sëmuri ka urinim të shpeshtë, djegie e rrallë herë edhe pika gjaku në fund të urinimit. Kujdes duhet të kenë edhe meshkujt, sidomos pas vitit të 40 të jetës për shenjat e sipërpërmendura, sepse janë të prirur për infeksion të prostatës.

Kur duhet të shqetësohemi dhe t’i drejtohemi mjekut

Çdo urinim i shpeshtë i shoqëruar ose jo me djegie duhet t i shqetësojë njerëzit për të bërë një analizë urine të thjeshtë e për t u konsultuar me specialistin për të gjetur shkakun.
Por dhe çdo temperaturë tek fëmijët, nga një viroz, anginë, bronkit apo bronkopneumoni etj., që nuk trajtohet duhet të shqetësojë prindërit, që përveç analizës së gjakut, t i bëjnë fëmijës dhe një analizë urine. Në rast se infeksioni përsëritet, duhet detyrimisht të gjendet shkaku dhe të mjekohet ai. Te fëmijët e vegjël shkaku kryesor i infeksionit urinar janë reflukset veziko-urinar (rikthimi i urinës mbrapsht, si një defekt i sfinkterit ureteral).

Si ta kuptosh se vuan nga infeksionet urinare

Kur kemi infeksion të rrugëve të sipërme urinare (pyelonefrite) akute kemi një gjendje jo të mirë të sëmurit: ethe, lodhje, dobësi trupore, dhimbje koke, të përziera, të vjella, dhimbje mesi të njëanshme ose të dyanshme, që mund të përhapen edhe në bark, temperaturë të lartë, shumë herë me të dridhura. Herë pas here kemi urinim të shpeshtë, djegie gjatë urinimit dhe ndjenjën e moszbrasjes së plotë të fshikëzës së urinës. Urinat janë të turbullta dhe në analizën e urinës shihen elementët e infeksionit urinar, si leokocite me shumicë dhe herë pas here eritrocite.

Cilët persona janë të predispozuar

Të gjithë njerëzit janë të rrezikuar për t’u prekur nga infeksionet e rrugëve urinare. Kështu, më të rrezikuar janë ata pacientë që kanë anomali të lindura të veshkës, si polistoza renale, që kanë gur në aparatin urinar, anomali të kanaleve urinare (megauretar), ureter shumë të përdredhur. Por dhe njerëz me rezistencë të ulët, sidomos ata që përdorin citostatikë, kortizonikë, pacientë me infeksione gjinekologjike, diabetikët numri të cilëve vjen në rritje. Në të njëjtën kohë dhe ndërhyrjet kirurgjikale që përdorin kateter, të paralizuarit që nuk arrijnë të bëjnë zbrazjen e fshikëzës dhe personat që nuk tregohen shumë të kujdesshëm në higjienën personale.

Kush preken më shumë, burrat apo gratë

Infeksionet e rrugëve të poshtme janë më të shpeshta tek gratë se të burrat, për arsye të vetë ndërtimit të uretrës (kanalit të jashtëm) që është më i shkurtër dhe më afër anusit (kanalit të jashtëqitjes).

Si mjekohen infeksionet urinare

Mjekimi bëhet sipas shkakut dhe duhet bërë nga mjeku, sipas një urokulture (mbjellje të urinës) e të mos përdoren antibiotikë të ndryshëm të marrë pa rekomandimin e mjekut, i cili duhet të jetë i vetmi që të bëjë vlerësimin e rastit, të përcaktojë mjekimin dhe kohëzgjatjen e tij. Mjekimi pa kriter çon në kandidozë (myk) dhe dëmtim të mëlçisë, apo rezistencë mikrobiale.

Këshilla si mund të parandalohen infeksionet e traktit urinar

– Çdo individi i kërkohet të ketë një higjienë personale sa më e mirë.
– Të mos mbajë urinën, por të zbrazë fshikëzën sa herë që ndjen nevojën për të urinuar.
– Të pijë sa më shumë lëngje pa gaz.
– Të mos pijë alkool.
– Të mjekojë vatra të tjera infeksioni kudo që mund të ketë si: dhëmbë të prishur, grykët, infeksione të veshit, hundës dhe të rrugëve të frymëmarrjes.
– Të luftojë e mjekojë drejt sëmundjet e tjera favorizuese si: hipertensioni arterial, diabeti.
– Gratë shtatzëna duhet të bëjnë kontrolle të shpeshta me analizë urine dhe nuk është në gjendje të lëvizë.

Grupmoshat më të prekura nga infeksionet urinare

Infeksionet e rrugëve urinare janë të shpeshta dhe përbëjnë një problem të përditshëm. Ato prekin çdo lloj moshe, fëmijë, të rinj dhe pleq, mund të përsëriten apo të marrin karakter kronik, prandaj duhen vlerësuar me kujdes. Kur sasia e mikrobeve është më e vogël kemi të bëjmë me ndotje urinare e në këto raste përsëriten analizat pas një trajtimi me lëngje dhe higjienë më të lartë personale.

Pse duhet të vlerësohen infeksionet urinare

Tek fëmija juaj, infeksioni mund të shkaktojë sëmundje dhe tregon tendencë për t u përsëritur. Tek një pjesë e fëmijëve me ITU, tek të cilët janë prezente anomali, ata duhet të trajtohen në mënyrë adekuate, që të pengohet dëmtimi i veshkave. Që të shihet a ekzistojnë anomali te fëmija juaj, është e nevojshme që të bëhet ekzaminim me të cilin do të shihen veshkat dhe trakti urinar siç është ultra zëri ose ndoshta edhe inçizime tjera.

Cilat janë simptomat që shfaqen

Shumica e fëmijëve që kanë infeksion të fshikëzës së urinës (cistit) ankohen në simptomat që vijojnë: Parehatshmëri ose djegie gjatë urinimit, kjo quhet dizuri, saqë fëmija mund të refuzojë të shkojë në banjë për shkak të këtyre mundimeve: Urinim i shpeshtë, shkon në banjë më shpesh se sa zakonisht. Fillon të urinojë në mbathje gjatë ditës dhe natës; Urina është e turbullt dhe ka një erë të keqe (erë të fortë). Në urinë ka gjak-kjo quhet hematuri; Fëmija mund të ankohet për dhembje barku. Disa fëmijë kanë infeksion më të rëndë që i ka kapur edhe veshkat, dhe për këtë infeksioni dyshohet kur ka temperaturë të lartë, dhembje barku ose të ijeve, vjellje dhe një intoksikim të përgjithshëm (pamje të keqe).

Si shërohet infeksioni urinar

Menjëherë pas marrjes së urinës për ekzaminime duhet të fillohet me terapi antibiotike, e cila ka qëllim t i zhduk bakteret. Mjeku do të vendosë se cili antibiotik do të jepet, në varësi nga serioziteti i shfaqjes klinike të sëmundjes dhe nga rezultati i urinokulturës. Te infeksionet më të lehta barërat jepen nëpërmjet gojës dhe me kohëzgjatje më të shkurtër. Në rastet më të rënda fëmija shtrohet në spital, ku barërat jepen në mënyrë venoze, në qoftë se është e nevojshme.

Kur fëmija duhet të trajtohet në spital

Atëherë kur ka shenja se infeksioni e ka përfshirë edhe veshkën dhe ekziston rreziku nga dëmtimi i përhershëm. Në spital, fëmija vendoset në infuzion, përmes të cilit jepen mjaftueshëm lëngje dhe antibiotikët e duhur.

Faqe 20

Sa zgjat trajtimi i infeksionit urinar

Zakonisht, temperatura te fëmija juaj do të ulet dhe simptomat do të përmirësohen për 48 orë pas fillimit të trajtimit me antibiotikë. Është e mundur që mjeku të vendosë, terapinë që vijon, përmes gojës, në kushte shtëpiake. Zakonisht, terapia zgjat krejtësisht nga 10-14 ditë. Gjatë disa ditëve të para/javëve do të bëhet incizim me ultrazë. Ky ekzaminim nuk kërkon asnjë injeksion ose rrezatim. Me këtë ekzaminim paraqitet pamja e veshkave dhe fshikëzës. Më në fund, mjeku do të duhet të bëjë ekzaminime kontrolluese të urinës dhe gjakut, që të dëftohet a është shëruar infeksioni.

Ekzaminime plotësuese për infeksionin

Në situatat që vijojnë: Nëse me ultrazë zbulohet anomali e cila duhet të ekzaminohet më detalisht. Nëse ekzaminimi me ultrazë është normal, por fëmija juaj është i vogël (nën 5 vjet). Nëse ka probleme tjera, p.sh. gjithmonë urinon pa dashje ose ka infeksione përsëritëse.

Si mund të parandalohet infeksioni i ri

Që të pengohet përsëritja e infeksionit duhet të ndërmerren masat që vijojnë: Fëmija nuk guxon të jetë kaps. Fëmijët që janë kaps mund të mos e zbrazin mirë fshikëzën e urinës. Që të përmirësohet pasazha e zorrëve, është e nevojshme të konsumohet ushqim i pasur me ushqime me fije- ushqim integral, zarzavate, pemë. Ndonjëherë duhet të jepen laksativë.

Nevoja për konsumim të lëngjeve

Duhet të zmadhohet konsumimi i lëngjeve fëmija duhet të inkurajohet që të pijë më shumë lëngje dhe rregullisht dhe kompletisht ta zbraz fshikëzën e urinës. Ndonjëherë fëmijët harrojnë të shkojnë në banjë, duhet t i rikujtoni për këtë; në shkollë gjithashtu duhet të urinojnë rregullisht gjatë pushimeve, çdo 2-3 orë. Te vajzat e vogla është e rëndësishme të largohet gjithçka që e irriton regjionin e vaginës. Disa sapunë dhe shampo mund të irritojnë dhe këshilla e përgjithshme është të mënjanohen tek fëmijët e vegjël që vuajnë nga problemet rekurente. Vajzat e vogla duhet të mësohen që të fshihen në mënyrë korrekte pas kryerjes së nevojave personale (duke filluar nga para- pas). Veshja e brendshme duhet të jetë prej pambuku, e jo sintetike. Tek fëmijët meshkuj, lafsha që mbulon kokën e penisit mund të jetë burim i infeksionit, prandaj duhet të keni kujdes për higjienën e këtij regjioni. Infeksionet urinare janë më të shpeshta tek vajzat e mëdha që janë seksualisht aktive. Duhet të kontaktoni mjekun për këshillë.

A dëmtohen veshkat nga infeksioni urinar

Infeksionet urinare tek fëmijët janë relativisht të shpeshta, por për fat, pjesa më e madhe e fëmijëve nuk kanë dëmtim të përhershëm të veshkave, sidomos nëse infeksioni është i lokalizuar në fshikëzën e urinës. Vetëm tek një numër i vogël vjen ndodh dëmtimi i përhershëm i parenhimit. Është e rëndësishme që fëmija të kontrollohet sërish, nëse ka infeksion rekurent ose nëse në ekon iniciale ka diçka abnormale.

Ç’duhet bërë nëse dyshoni për infeksion

Nëse fëmija juaj ka simptoma, duhet të paraqiteni te mjeku juaj dhe të kapni ekzemplar të urinës për ekzaminim, i marrë në mënyrën e përshkruar, para se të filloni me çfardo trajtimi me antibiotikë. Edhe nëse është fundjavë, urina mund të ruhet në frigorifer dhe të dërgohet në Klinikë të hënën në mëngjes. Kini kujdes për shfaqjen e infeksioneve rekurente dhe për antibiotikët që u japin fëmijës tuaj. Nëse fëmija juaj ka infeksione përsëritëse, atëherë duhet të shkoni rregullisht për vizitë.

Llojet e infeksioneve urinare

Infeksionet e rrugëve urinare ndahen në infeksione urinare të rrugëve të sipërme, ku preken veshkat dhe quhet pyelonefrite dhe infeksionet urinare të rrugëve të poshtme. Këtu hyjnë ato të fshikëzës së urinës (cistite), infeksione të prostatës tek burrat (prostatite), infeksionet e uretrës, kanalit të poshtëm të nxjerrjes së urinës (uretrite). Infeksionet urinare mund të jenë akute dhe kronike. E rëndësishme është të theksohet se infeksionet e rrugëve urinare të rrugëve të poshtme (që janë dhe më të shpeshta) mund të kalojnë në rrugët e sipërme urinare, në rast se nuk mjekohen mirë e të japin pyelonefrite. Këto të fundit me kalimin e kohës kronicizohen dhe bëjnë atrofi (zvogëlim) të veshkave, gjë e cila sjell rritje të shifrave të tensionit arterial, prishje të funksionit të veshkave dhe azotemi, insuficiencë renale kronike.

Brokoli kuron infeksionet e rrugëve urinare

Brokoli nuk gjendet shpesh në tryezat tona sepse nuk kemi njohuri të mjaftueshme për të. Megjithatë, është mirë që këtë lloj perime ta konsumojmë më shpesh sepse është shumë i ushqyeshëm dhe se përgatitja e tij është shumë e lehtë. Brokoli mund të jetë shumë efikas në problemet që shfaqen te shumica e femrave, por edhe te meshkujt. Brokoli është treguar shumë efikas në preventivin e ndezjes së kanaleve urinare. Kjo sëmundje lajmërohet shumë shpesh te femrat, madje disa prej tyre mësohen të jetojnë me këtë problem. Mjekët deklarojnë se femrat të cilat kanë probleme me kanalet urinare duhet të hanë 200 deri 300 gramë brokoli të zier. Brokoli përmban glukinolat, të cilët janë përbërje sekondare bimore të cilat i shkatërrojnë bakteret në fshikëzën e urinës.

Vitamina “B6” lufton infeksionet

Roli i vitaminës “B6” është të prodhojë proteinat, të çlirojë glukozën e rezervuar. Të gjitha këto procese në trup janë të domosdoshme për rritje, formimin e gjakut dhe mbrojtje kundër infeksioneve. Sa më shumë ushqime me proteina të përdoren, aq më shumë vitaminë “B6” është e nevojshme. Në përgjithësi mungesë të kësaj vitamine ka tek ata njerëz që përdorin ilaçe kundër reumatizmës, tuberkulozit ose tensionit të lartë të gjakut. Simptomat janë plagë në gojë, depresion, irritim, ekzemë dhe nganjëherë dhe malcim i ndonjë nervi i cili shkakton dhimbje. Në formë natyrale vitamina “B6” gjendet tek drithërat, banania, patatja, gjeli i detit, peshku, lajthia, arra, speci e perimet si lulelakra etj.

Përdorimi i tepërt i paracetamolit dëmton veshkat

Shumë tableta që disa i gëlltisin me shumicë kundër kokëdhembjeve, për qetësimin e dhembjes së dhëmbit dhe dhembjeve tjera, përmbajnë paracetamol. Ky analgjetik, mjaft mirë zëvendëson aspirinën dhe është i përshtatshëm për personat që kanë të thatë në lukth dhe për ata te të cilët herë pas here paraqitet gjakrrjedhja në lukth. Por kujdes! Paracetamoli dëmton veshkat. Kështu, ata që e përdorin, kanë mundësi tri herë më shumë të sëmuren nga veshkat se ata që nuk e përdorin barëra që nuk kanë paracetamol.

Konsumoni sasinë e nevojshme të ujit

Një ditë në javë konsumoni ujë më tepër se zakonisht. Një ditë në muaj mundohuni të mos konsumoni fare ujë. Herë pas here në vend të kafes që ju dëmton, pini ujë të ngrohtë. Mbani gjithmonë të njëjtën masë të gotës me të cilën pini ujë, në mënyrë që t’i jepni organizmit tuaj çdo herë ujë në të njëjtën sasi. Është mirë që uji të mos të pihet menjëherë, por pak nga pak, me pushime të vogla. Po ashtu, tri herë në javë pini lëngje frutash të shtrydhura, si lëng limoni, portokalli, pjeshkë, rrushi, karotë etj.

Aloa Vera lufton infeksionet

Për këtë bimë janë gjetur shkrime të ndryshme edhe nëpër papiruse, për të cilën thuhet se është bimë shumë e dobishme dhe nga ajo janë prodhuar tableta të vogla kundër infeksioneve të ndryshme.

Stina e dimrit shton rastet e infeksioneve urinare

Gjatë periudhës së dimrit janë të shpeshta rastet e cistiteve, uretriteve, prostatitet (tek meshkujt), që futen në rrugët e poshtme urinare. Arsyet kryesore pse ndodh riakutizimi apo shfaqja e këtyre problemeve gjatë kësaj stine, lidhet me të ftohtin, virozat dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. I ftohti ndikon në spazmat e shpeshta të muskulaturës së rrugëve të poshtme urinare, duke shtuar shpeshtësinë e urinimit. Ndërsa virozat e stinës, kur zgjasin shumë, në njerëz me rezistencë të ulët, kur nuk vlerësohen sa duhet e nuk mjekohen në kohën e duhur, dhe sidomos anginat (për shkak të streptokokut, stafilokokut, etj), ndikojnë që të shfaqen, si ndërlikim infeksionet urinare.

Cilët faktorë ndikojnë në këtë stinë

Faktor tjetër është mungesa e etjes, për faktin se temperaturat janë të ulëta. Sasia e pakët e lëngjeve, bën që urinimi të jetë më i pakët, më i shpeshtë, por nuk arrin të zbrazet plotësisht. Për pasojë urina të mbetet në vezikë. Kjo urinë e mbetur për një kohë të gjatë, bëhet shkak për zhvillimin e infeksionit, pasi dihet që urina është ambient i përshtatshëm për zhvillimin e mikroorganizmave të ndryshëm. Përveç kësaj, prania e diabetit dhe hipertensionit janë faktorë risku për shfaqjen e këtyre problemeve. Dihet që diabetikët janë më të predispozuar të preken nga infeksionet urinare, më tepër se personat e tjerë që nuk kanë këtë pathologji. Faktor tjetër bëhen dhe kolikat renale dhe gurët në fshikëzën e urinës, të cilët kur rrëshqasin mund të irritojnë muret e fshikëzës. Për pasojë shfaqen dhe infeksionet urinare.

Kur duhet të drejtohemi te mjeku

Te mjeku duhet të shkohet që me shfaqjen e shenjave të para, të cilat zakonisht janë: urinimi i shpeshtë, shqetësime gjatë urinimit, urinim me djegie, rëndim në fund të barkut. Por mund të shfaqet dhe me urinim me ndërprerje, urinim të turbullt, disa herë me erë të rëndë, pika gjaku në fund të urinimit ose urinim me ngjyrë, etj. Në çdo rast që paraqiten këto shenja, ose disa prej tyre duhet t’i drejtoheni mjekut nefrolog.

Si mund të parandalohen infeksionet urinare

Parandalimi është mjaft kompleks. Kështu së pari, duhet të pihen sa më shumë lëngje, pavarësisht se nuk keni etje, rreth 1.5 litra. Duhet treguar seriozitet në trajtimin dhe të virozave apo gripërave që mund t’ju shfaqen, pasi mund të shfaqin si ndërlikim cistitet. Duhen trajtuar vatrat e mundshme të infeksionit që mund të keni si: dhëmbë të prishur, infeksione të veshit, hundës dhe të rrugëve të frymëmarrjes. Këshillë tjetër që mund të jepet është shmangia e të ftohtit: si qëndrimi në ambiente të ftohta, ashtu dhe kujdesi në veshje. Sidomos gratë që kanë pasur probleme me infeksionet urinare. Mbi të gjitha rekomandohet kujdes në higjienën personale.

Kur mund të përsëriten infeksionet

Trajtimi duhet të jetë korrekt, sepse nuk janë të rralla rastet e përsëritjes së cistitit. Kontakti me mjekun nefrolog, është i rëndësishëm, pasi në mjaft raste shkak i kronicizimit të sëmundjes, është mungesa e kontaktit me specialistin, neglizhimi i simptomave dhe mjekimin jokorrekt. Trajtimi bëhet sipas shkakut, me cikle 7-10 ditë dhe duhet bërë nga mjeku sipas një urokulture (mbjellje të urinës). Ndërsa në kushtet e shtëpisë, rekomandohen çajërat me bazë bimore: çaji i malit, kamomilit dhe i blirit, çajra me bimë popullore që shiten në farmaci, si uve-mix, lenicyst etj.

Si shfaqen infeksionet e rrugëve urinare

Gurët e aparatit urinar janë një nga patologjitë më të shpeshta dhe të vjetra në aparatit urinar. Ato krijohen nga kristalet të ndryshme që vendosen në brendësi të veshkës. Normalisht në veshkë vendoset një ekuilibër kimik që parandalon formimin e kristaleve, por te disa persona të predispozuar, ky ekuilibër nuk funksionon si duhet dhe bën që kristalet e kripërave të precipitojnë në veshkë, dhe më pas të bashkohen dhe të formojnë gurët. Këta të fundit janë variante të ndryshme të kombinimeve të kristaleve të kripërave. Shumica e tyre përmbajnë kalcium të kombinuar me oksalate dhe fosfate. Një pjesë më e vogël formohen nga infeksionet e aparatit urinar dhe një pjesë nga kripërat e acidit urik dhe cistinës.

Mandarina lufton infeksionet urinare

Duket të jetë një ndër agrumet më të preferuar të Grekëve të Lashtë, pasi vetë fruti është tepër i ëmbël dhe ka shumë lëng në përbërjen e tij. Madje shekuj më parë ekzistonte një teori, sipas së cilës mandarina ndihmon në luftimin e infeksionit. Teori e cila mbështetet edhe në ditët e sotme, madje më të vjetrit e shtrydhin këtë frut dhe e vendosin në vendin që ka marrë infeksion.

Rrushi eliminon gurët në veshka

I bardhë apo i kuq kjo nuk ka shumë rëndësi. Ajo çfarë na rekomandojnë mjekët është konsumimi i të paktën një çerek kilogrami rrush në ditë nga të gjithë personat, pavarësisht moshës. Rrushi pastron veshkat, ndihmon në eliminimin e gurëve të vegjël, pastron infeksionet në mëlçinë e zezë dhe stabilizon rrahjet e zemrës.

Dardha parandalon infeksionet

Cipa e frutave të dardhës ka veti diuretike dhe ndikon pozitivisht në pastrimin e veshkave dhe të rrugëve urinare. Për këtë qëllim përdoret çaji i përgatitur si më poshtë. Merrni 40-50 gramë cipa dardhash, i hidhni në 250 ml ujë. Këto i zieni për 20 minuta dhe lëngu i fituar pihet i ngrohtë, në mëngjes esëll, për 7-10 ditë. Gjethet e dardhës kanë veti të mira diuretike dhe antiseptikë dhe përdoren kundër sëmundjeve të rrugëve urinare, në cistitet, në gurët e veshkave, në dhëmbët e fshikëzës urinare, etj. Në këto raste këshillohet infuzi i gjetheve. Merrni 20-25 gramë gjethe dardhe dhe i zhytni në një enë me 250 ml ujë të vluar. I lini aty për 10 minuta dhe lëngu i fituar pihet një orë para buke. Kjo përsëritet 2-3 herë në ditë, ndërsa kura rekomandohet për 10-15 ditë. Frutat e dardhës përdoren në gjendje të freskët në kohën e pjekjes natyrore, të ruajtura në frigorifer dhe të përpunuara në formë marmelatë, konservë kompostoje ose të thara. Dardha përmban kripëra mineralë si: kalium, kalcium, mangan, fosfor, hekur, etj. 4-5 për qind sheqer, vitamina C, B1, B2, B6, karotinë, acide organike, etj. Ato janë freskuese, qetësuese, largojnë etjen, pastrojnë zorrët dhe japin energji. Ndërsa kur janë të papjekura, nuk treten lehtë dhe qëndrojnë rëndë në stomak.

Çaji i koprës largon infeksionet e traktit urinar

Çaji i përftuar nga bima e koprës ka dhënë rezultate të shkëlqyera në shkrirjen e gurëve në veshka. Mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e dy deri tri gotave me çaj kopre dhe shumë shpejt të sëmurët do të shohin rezultatet. Bima jo vetëm që ndikon në veshka, por edhe në rrugët urinare dhe shkakton urinim të shpeshtë, duke ndihmuar në pastrimin e organizmit nga helmet përmes urinimit. Për shërimin e sëmundjes shërbejnë farat e koprës, 1 lugë kaçe dhe tërfil. Dhjetë gramë nga kjo përzierje hidhen në 350 miligramë ujë të nxehtë. Më pas kullohet dhe këshillohet të pihet dy deri tri gota në ditë.

Molla pastron rrugët urinare

Janë të padiskutueshme efektet pozitive të këtij fruti. Madje që në lashtësi është vënë re, domosdoshmëria e organizmit për mollët e kuqe dhe jeshile. Ky frut pastron veshkat, shëron çrregullimet në aparatin tretës. Dhe përdorimi i mollës jeshile bën të mundur edhe rënien nga pesha, për të gjithë fanatikët e pamjes estetike.

Meshkujt më të prekur nga tumoret e sistemit urinar

Edhe organet e sistemit urinar mund të preken nga sëmundja e kancerit. Sistemi urinar përbëhet nga dy veshkat, fshikëza e urinës dhe uretra.
Veshkat
Dallohen disa lloje të tumoreve të veshkave. Tumoret beninje të veshkave, zakonisht janë pa simptoma. Ka tre tipa tumoresh malinje të veshkave: karcinoma qelizore renale, ku pacienti ka hematuri, gjak në urinë, dhimbje gjatë urinimit, temperaturë, një si gjëndër në zonën e barkut dhe humbje në peshë; nefroblastoma, e cila zakonisht shfaqet me dhimbje abdominale; karcinoma transqelizore, që si simptomë dominante ka gjakun në urinë.
Shkaqet
Tumoret e veshkave normalisht fillojnë jetën e tyre në qelizat e veshkës. Karcinoma transqelizore është rritje malinje e qelizave që shtrojnë pelvisin renal, zonën ku mblidhet urina para se të hyjë në fshikëzën e urinës. Njerëzit që pinë duhan, marrin shumë qetësues të ndryshëm ose gjenden të ekspozuar ndaj disa substancave kimike, janë të rrezikuar të preken nga kanceri i veshkave dhe i organeve të tjera të sistemit urinar. Rreth 80 për qind e kancereve të veshkës janë karcinoma qelizore renale, ky tip kanceri mendohet të ketë lidhje me moshën, pasi haset tepër rrallë nën 40-vjeçarët. Nefroblastoma është përgjegjëse për një në dhjetë raste të kancerit renal te fëmijët.
Trajtimi
Kanceri i veshkave diagnostikohet me ultratingull ose skaner. Përdoren gjithashtu Urografia, ose pielografia, një lëndë ngjyruese që futet në gjak, e cila duket nën rrezet X kur ekskretohet nga sistemi urinar. Tumoret beninje të veshkave mund të qëndrojnë në trup si të padëmshëm. Tumoret malinje shpesh janë në stad të avancuar kur ne i zbulojmë e në përgjithësi nuk i përgjigjen mirë trajtimit mjekësor. Për këtë arsye, veshka e sëmurë zakonisht hiqet me operacion kirurgjikal.

Tumoret e fshikëzës së urinës

Hematuria është simptoma dominante në tumoret malinje, nëse një tumor rritet në kryqëzimin ndërmjet ureterit e fshikëzës së urinës kjo mund të sjellë dhimbje në kurriz e në veshka dhe të pengojë rrugën e urinës. Ashtu si në format e tjera të kancerit, mosha dhe pirja e duhanit janë faktorë rreziku. Një faktor tjetër është edhe ekspozimi ndaj karcinogjeneve. Varion në shtete të ndryshme, por në përgjithësi mosha mesatare e diagnostikimit të këtyre pacientëve është 65 vjeç. Mbi tre të katërtat e këtyre tumoreve hasen te burrat.
Trajtimi
Diagnoza e tumoreve të fshikëzës së urinës bëhet duke përdorur cistoskopin, një instrument shikimi i cili futet në ureter. Cistoskopi me nxehtësi i djeg këto tip tumoresh, dhe kjo teknikë e ndjekur quhet diatermi. Tumoret e avancuara kërkojnë kirurgji ose kimio-terapi. Në raste ekstreme hiqet krejtësisht fshikëza e urinës, teknikë kjo e quajtur cistektomi. Duhet evituar duhani dhe karcinogjenet e tjerë. Shpesh tumoret beninje të fshikëzës së urinës regjistrohen së bashku me tumoret malinje, megjithatë pranohet që shanset për të jetuar janë gati njësoj kudo, rreth 50 për qind. Nëse do gjendej një ilaç për të luftuar gjenin që i bën kanceret e rrugëve urinare kaq vdekjeprurës, shanset për mbijetesë do rriten së tepërmi.

Shkaku i infeksioneve të sistemit urinar

Infeksionet e sistemit urinar janë të shkaktuara nga bakteret. Bakteret hyjnë së pari në fshikëzën e urinës, duke u ngjitur nëpër ureter. Në përgjithësi, uretra është e mbrojtur, por nëse vrima e ureterës është e inflamuar, bakteret shumëzohen lehtë. Te një pjesë e fëmijëve gjer tek infeksioni vjen për shkak të prezencës së anomalive të cilat e pengojnë rrjedhjen normale të urinës: anomali obstruktive ose refluks. Fëmijët që vuajnë nga i urinimi disfunksional, e fillojnë por e ndërpresin currilin e urinës, shpesh urinojnë pa vullnetin e tyre, më shpesh fitojnë infeksion urinar. Tek fëmija infeksioni mund të shkaktojë sëmundje dhe tregon tendencë për t’u përsëritur. Tek një pjesë e fëmijëve këto lloj infeksionesh, janë prezente disa anomali, prandaj ata duhet të trajtohen në mënyrë adekuate, që të pengohet dëmtimi i veshkave.

Infeksionet urinare te meshkujt dhe prostata

Nuk janë të paktë ata meshkuj që vuajnë nga kanceri i prostatës. Sidomos burrat që i kanë kaluar të 40-at. Gjithçka duket se fillon me urinime sa më të shpeshta, si shkaktarë të së cilave shumë herë meshkujt akuzojnë ndonjë ftohje apo mendojnë se kanë pirë shumë lëngje. Më pas dhimbja fillon të përhapet dhe në kurriz dhe gjithnjë e më shumë mendohet se kemi të bëjmë me një ftohje. Po ama të tjerët nuk vuajnë nga ky problem, dhe pse mund të jenë të ftohur dhe, ç’është më e keqja, kjo gjendje zgjat me shumë se sa një ftohje normale.

Këshilla për dietën që parandalon kancerin e prostatës

1- Hudhrat janë parandaluese të mira për organizmin mashkullor nga ky lloj tumori
2- Qepët, merita e është e përbërësve që shkaktojnë dhe erën e rëndë
3- Djathi vegjetarian mund të eliminojë rrezikun e përhapjes së tumorit
4- Peshku, vitaminat e tij kanë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e organizmit
5- Arrat, sipas specialistëve kanë vitaminë D
6- Domatet janë tepër të rëndësishme për konsum të përditshëm, parandalojnë kancerin e prostatës
7- Drithërat e ndryshme, të cilat kanë në përbërjen e tyre selen
8- Mishi, edhe në të gjendet seleni, por është e rekomandueshme të mos ekzagjerohet me përdorimin e tij.

Seleni, i duhur për të shmangur infeksionet te meshkujt

Disa qendra amerikane iu sugjerojnë burrave të moshës mesatare të marrin një dozë të përditshme seleni. Në sasi të konsiderueshme seleni gjendet tek mishi dhe tek drithërat. Ekzistojnë dhe ilaçe farmaceutike dietetike që përmbajnë selen, por e rëndësishme është që të mos kalohet doza e nevojshme. Peshku dhe arrat. Duket se vitaminat kanë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e organizmit nga tumori i prostatës, sidomos vitamina D, e cila gjendet kryesisht në vajin e mëlçisë së merlucit dhe tonit, tek qumështi dhe tek vezët dhe vitamina E që gjendet tek frutat e thata dhe tek gruri. Konsumim sa më të madh të domateve. Domatja konsiderohet si një kandidat i mirë për parandalimin e kancerit të prostatës. Licipeni dhe karotenoidi që i japin ngjyrën e kuqe domates ulin mundësinë e krijimit të tumorit.

Prostata, tumori më i përhapur te meshkujt

Kanceri i prostatës shfaqet më shpesh te ata meshkuj që i kane kaluar dyzet vjet. Por shumë prej tyre nuk e njohin realisht sëmundjen dhe simptomat me të cilat ajo shoqërohet. Shpeshherë pacienti nuk e ka të qartë se për çfarë flitet realisht, madje ndonjëherë specialistët thonë se është detyrë e tyre që t’u shpjegojnë se ku ndodhet dhe çfarë roli ka prostata. Prostata ndodhet afër uretrës, rrugët urinare nëpërmjet të cilave urina dhe lëngjet dalin jashtë penisit. Tek një mashkull i rritur është i madh pak a shumë sa një gështenjë dhe peshon rreth 20 gram. Funksioni i tij kryesor është prodhimi i lëngut që transporton spermatozoidet gjatë ejakulacionit. Ky është tumori më i përhapur tek meshkujt, dhe në veçanti tek ata që janë mbi 65 vjeç, pas tumorit të mushkërisë dhe kolonit./tiranaobserver/

One Comment

  1. uuuuuuuuuuaaaaaaaaaaaa sa gje e bukur esht kjo mjeksia esht gjeja me e bukur ne jeten e njerzimit.

Komento