Hipertensioni në shtatzëni, EPH gestozat

Hipertensioni në shtatzëni, EPH gestozat

Shtatzënia mund të shkaktojë ngritjen e shtypjes së gjakut ose mund të sjell deri te përkeqësimi i shtypjes paraprakisht të lartë që bënë pjesë në faktorët më të shpeshtë dhe rrezikon jetën dhe shëndetin e shtatzënës.

Dr. Daut Gorani mr.sci.
Internist & Kardiolog
QKUK, Klinika e sëmundjeve të brendshme
Shërbimi i kardiologjisë
044/ 165 246
049/ 309 202

Shkaqet e paraqitjes: predispozicioni gjenetik, çrregullimet imunologjike, tymosja e duhanit, deficiti i kalciumit si dhe obeziteti në shtatzëni.

Hipertensioni në shtatzëni nënkupton shtypjen e gjakut 140/90mmHg dhe më të lartë, ose nëse shtypja sistolike (e larta) është më e lartë se 30mmHg, dhe diastolike (e poshtmja) më e lartë se 15 mmHg nga vlerat normale, në dy matje në distancë kohore prej 6 e më shumë orësh.

EPH-GESTOZA – është sindromë komplekse e cila paraqitet në shtatzëni dhe simptomat kryesore të së cilës janë:
– edemat-grumbullimi i lëngut
– proteinuria – paraqitja e proteinave në urinë
-hipertensioni – ngritja e shtypjes së gjakut.

 

Gestoza është një emërtim i përgjithësuar për zhvillimet patologjike në organizëm të shtatzënës, prandaj dallojmë gestozat e hershme dhe të vonshme.
Gestozat e hershme paraqiten në tremujorin e parë të shtatzënisë me vjellje të tepruar (hyperemmesis) dhe në ato të vonshmet bëjnë pjesë preeklampsioni dhe eklampsioni.

Preeklampsioni krahas hipertensionit nënkupton paraqitjen e prezencës së proteinave në urinën e shtatzënes dhe/ose edemave të theksuara (më së shpeshti në këmbë ose të gjeneralizuara).

Eklampsioni nënkupton përpos hipertensionit paraqitjen e konvulzioneve (shtangimeve) toniko-klonike në tërë trupin, të përcjellur me humbjen e vetëdijes dhe ndërprerjen e frymëmarrjes, të ashtuquajturave konvulzioneve të ngjashme me ataqet epileptike.
Pra, sëmundja hipertenzive ndryshon nga shtypja lehtë e rritur e deri tek eklampsioni i rrezikshëm edhe për jetën e nënës edhe të fëmijës. Edhe në shtatzënitë normale sistemi kardiovaskular dhe renal pëson ndryshime të mëdha si rezultat i adaptimit të nënës në shtatzëni. Paraqitja e shtatzënisë ndikon në organe dhe sisteme të ndryshme të organeve të nënës e veçanërisht janë të ngarkuara pikërisht sistemi kardio-vaskular dhe renal, mëlçia dhe truri i shtatzënës. Mëlçia është posaçërisht e ngarkuar kur gjatë preeklampsionit/eklampsionit vie deri te paraqitja e sindromës HELLP.

HELLP SINDROMI – është formë e rëndë e preeklampsionit e cila paraqitet në mes të javës 28 dhe 38 të shtatzënisë dhe nëse nuk dallohet me kohë në bazë të vlerave klinike dhe laboratorike mund të bie deri te sindromi hepatorenal dhe sindorma adulte hemolitiko uremike me përfundim letal për shtatzënën dhe fëmiun.

HELLP- është shkurtesa për fjalët fillestare të cilat nënkuptojnë:
H- hemolysis-anemia mikroangiopatike hemolitike.
EL- elevated liver enzymes-niveli i ngritur i enzimave të mëlçisë.
LP-low platelets-trombocitopenia gjegjësisht numri i zvogluar i trombociteve.

Klinikisht manifestohet me dhembje intensive në epigastrium (për shkak të degjenerimit akut yndyror të mëlçisë e cila e bie shtatzënën në gjendje të rëndë) me mundim të vazhdueshëm, vjellje, kokëdhembje, rrallë herë me zverdhje dhe edeme.
Nëse nuk dallohet me kohë HELLP sindroma, nuk ndërpritet shtatzënia ose shtatzëna nuk mjekohet në mënyrë adekuate mund të vie deri te përfundimi letal i shtatzënës ose frytit, kështu që gjëja më e rëndësishme është zbulimi i hershëm dhe trajtimi adekuat i shtatzënës.

Sëmundja hipertenzive në shtatzëni shkakton edhe qarkullimin e dobët nëpër placentë, e me këtë edhe deri te furnizimi i pamjaftueshëm dhe jo i plotë i fetusit me materie të nevojshme ushqyese dhe oksigjen. Këto ndryshime kanë për pasojë frenimin e rritjes intrauterine të fetusit (IUZR) dhe paraqitjen e zvoglimit të sasisë së lëngut të frytit (OLIGOAMNIONI) dhe si rezultat përfundimtar edhe vdekjen intrauterine të frytit.
DIJAGNOSTIKA dhe përcjellja e rregullt e shtatzënisë ku me rastin e çdo vizite të shtatzënës matet pesha trupore, shtypja e gjakut, bëhen analizat laboratorike, pasqyra e gjakut dhe urina ku edhe dyshimi më i vogël në ndonjë prej shenjave të EPH gestozës kërkon një varg testesh laboratorike si dhe mbikëqyrje intensive ekosonografike dhe kardiotokografike (CTG). Dopleri i enëve të gjakut të mitrës nga java 20-24 e shtatzënisë mund të paratregoj paraqitjen e gestozës së vonshme.

Tek të gjitha rastet pak më rënda është i obliguar hospitalizimi dhe mbikëqyrja intensive.
MJEKIMI i hipertensionit është specifik sepse në shtatzëni nuk mund të aplikohen të gjitha barërat antihipertenzive që janë në dispozicion, sepse shumë prej tyre kanë veprim të dëmshëm në fryt.

Terapia varet nga rezultatet ekzaminuese dhe laboratorike, gjendja e shtatzënës dhe javët e shtatzënisë për shkak të planifikimit të përfundimit të shtatzënisë-lindjes.
Pra, prevenca më e mirë e formave të rënda të sëmundjes hipertenzive edhe më tutje mbetet në diagnostikimin me kohë dhe terapinë adekuate, mbikëqyrjen e nënës dhe gjendjes se frytit. /Telegrafi/

Komento