Humbja dyfish më e shpejtë e peshës

Humbja dyfish më e shpejtë e peshës

Mbajtja e dietës vetëm dy ditë në javë, është shumë mënyrë më efikase e humbjes së kilogramëve se sa numërimi i vazhdueshëm i kalorive.

Është zbuluar se femrat të cilat vetëm dy ditë në javë kanë ngrënë pemë, perime dhe mish pa yndyrë, derisa ditëve të tjera kanë mundur të hanë çfarë dhe sa kanë dashur, kanë humbur dyfish më shumë peshë se sa ato të cilat kanë qenë në dietë të vazhdueshme.

Studiuesit nga spitali universitar në Mançester kanë vendosur tri dieta të ndryshme për 115 femra. Grupi i parë ka konsumuar vetëm 650 kalori gjatë dy ditëve në javë, ndërsa gjatë atyre ditëve nuk kanë guxuar të hanë karbohidrate siç janë brumërat, buka, patatet dhe ushqime të yndyrshme.

Pesë ditët e tjera ato kanë ngrënë çfarë kanë dashur, edhe pse u është rekomanduar që të hanë ushqim të shëndetshëm. Femrat në dietën e dytë gjithashtu kanë qëndruar larg karbohidrateve për dy ditë, por nuk kanë pasur ndonjë limit të kalorive. Edhe ato pjesën e mbetur të javës kanë ngrënë sa kanë dashur.

Grupi i tretë ka mbajtur dietë standarde, që do të thotë se kanë konsumuar 1.500 kalori në ditë, për çdo ditë, si dhe kanë shmangur ushqimin e yndyrshëm dhe alkoolin. Pas tre muajsh femrat nga të dy grupet e dietave dyditore kanë humbur mesatarisht katër kilogramë, pothuajse dy herë më shumë se ato të cilat kanë qenë në dietë të vazhdueshme, të cilat kanë humbur mesatarisht dy kilogramë.

Ekspertët kanë konstatuar se efekti i dietës dyditore ka kaluar edhe në ditët e tjera, kur femrat kanë ngrënë në mënyrë normale. Duket se femrat kanë vazhduar të hanë më shëndetshëm edhe gjatë pesë ditëve të tjera të javës, kur nuk kanë pasur kufizime dhe kanë ngrënë në mënyrë natyrale më pak se zakonisht.

Komento