Ja nga çka vdesin shqiptarët

2

Diabeti dhe sëmundjet e tjera endokrine, të gjakut dhe uro-gjenitale ( me bazë dietetikë ushqyerja me ushqime jo të shëndetshme) kanë pësuar një rritje të shpejtë vitet e fundit.

Sipas të dhënave të INSTAT për shkaqet e vdekjeve shihet se vitin e kaluar 299 persona humbën jetën nga diabeti dhe sëmundjet endokrine në krahasim 135 persona në 2015-en me një rritje 122 për qind.

Ministria e Shëndetësisë në një strategji të posaçme për administrimin e sektorit deri me 2020 argumenton se në Shqipëri identifikohen tre faktorë kryesorë të rrezikut për barrën e sëmundshmërisë.

Faktori i parë lidhet me rreziqet që vijnë nga dieta ushqimore. Faktori i dytë është hipertensioni arterial dhe i treti duhanpirja.

Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme në barrën e sëmundshmërisë, që i atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri.Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70%të barrës totale të sëmundshmërisë, raporton “Monitor”.
Ministria e Shëndetësisë analizon se gjatë dy dekadave të fundit, niveli i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë.Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar.

Megjithatë, evidencat tregojnë se shëndeti dhe mirëqenia nuk varen vetëm nga performanca e sistemit shëndetësor. Faktorë të tjerë ekonomikë dhe socialë, si të ardhurat, arsimimi, strehimi dhe mjedisi, kanë ndikim të fortë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë.

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit shqiptarët kanë pasur nivel të ulët të ardhurash. Për më tepër, shpërndarja e pabarabartë e rritjes ekonomike dhe e pasurisë ndërmjet rajoneve ka çuar në rritje të pabarazive në shëndetin e popullatës, veçanërisht midis asaj të zonave urbane e rurale.

Këta përcaktorë, të kombinuar me mungesën e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe pagesat e mëdha nga xhepi për shërbimet shëndetësore, kanë cenuar shëndetin dhe cilësinë e jetës, veçanërisht për grupet vulnerabil si fëmijët, pensionistët, të pasiguruarit, etj.
Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. .Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale si dhe arsimimi universitar shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale, dhe në perspektivë afatgjatë kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare.

Komento