Ja sekreti për mosplakjen e lëkurës

Ja sekreti për mosplakjen e lëkurës

 Ja sekreti për mosplakjen e lëkurësNë ç’moshë fillojnë të duken shenjat e para të plakjes? Një studim i ri i tregon të gjitha, përfshirë edhe sekretin e atyre njerëzve që nuk e tregojnë moshën.

Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Eneida Mjeshtri

Plakja është një proces i paevitueshëm. Por kur është tamam koha kur njerëzit e vënë re që plakja e lëkurës ka filluar? A mund të bëhet diçka për ta parandaluar atë? Këto pyetje kanë qenë fokusi i një kërkimi të ri studimor të udhëhequr nga kompania e produkteve për lëkurën “Olay” në bashkëpunim me kompaninë gjenetike “23 and Me” dhe dr. Alexa Kimball, një profesoreshë dermatologjie në “Harvard Medical School/Massachusetts General Hospital”. Qëllimi i tyre ishte të zbulonin se çfarë ndodh realisht nën nivelin e sipërfaqes së lëkurës me shpresën për të shkoduar “sekretin e artë” se si mund të ndikohen, vonohen dhe ndoshta zmbrapsen shenjat e para të plakjes.

Ndryshimet e mëdha të lëkurës

“Gratë në njëfarë moshe e dinë këtë: gjithçka duket shumë mirë deri në moshën 35 vjeç, kur fillon të vërehet ngadalësimi i parë e të gjitha proceseve të lëkurës”, thotë shkencëtarja udhëheqëse e Olay, dr. Frauke Neuser. “Në të vërtetë, procese të ndryshme qelizore të lëkurës ndryshojnë çdo dekadë, por vetëm pas njëfarë moshe njerëzit fillojnë të shohin njëherësh shumën e gjithë efekteve të kohës”.

Pas analizimit të gjeneve të më shumë se 200 femrave të racave të ndryshme në harkun e dy viteve, studimi ishte në gjendje të identifikonte pesë procese të ndryshme qelizore që ngadalësohen ose ulen në pesë stade të ndryshme moshore. Procesi i parë ka të bëjë me rënien e prodhimit natyror të antioksiduesve dhe kjo ndodh në të njëzetat tuaja.

“Ne kemi menduar gjithmonë se femrat 20-vjeçare kanë nevojë vetëm për një krem hidratues dhe mbrojtës diellor, por të dhënat e reja tregojnë se lëkura është që në këtë fazë e ndjeshme ndaj stresorëve oksidues dhe të dëmshëm”, thotë Neuser.

Prandaj, koha më e mirë për të filluar përdorimin e produkteve me antioksidues të tilla si vitamina C, vitamina E, ekstrakti i çajit jeshil, dhe acidet frutore është rreth moshës 23-25 vjeç, afërsisht në prag të përfundimit të studimeve universitare.

“Kur metabolizmi i trupit tuaj fillon ngadalësimin në të 30-tat tuaja, këtë gjë bën gjithashtu bioenergjia e qelizave të lëkurës, të cilat kanë për funksion të fuqizojnë krijimin e kolagjenit, aktivizojnë proceset e riparimit, dhe madje të ndihmojnë përthithjen e përbërësve që aplikoni në lëkurë. Kur bioenergjia e qelizave fillon të ngadalësohet, fytyra shfaq shenjat e para të lodhjes”, thotë Kimball, hulumtuesja kryesore e studimit.

Ajo shprehet se përbërësi kyç për rivitalizimin e metabolizmit qelizor është niacinamide, e njohur ndryshe si vitamina B3, për të cilën ka prova që tregojnë se është në gjendje të rrisë nivelet e bioenergjisë së lëkurës.

Rreth të 40-ve, përkeqësimi qelizor bëhet më i dhunshëm. Bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar në të cilin cikli natyral jetësor i qelizave ndalon dhe kjo mund të ndikojë në çehren tuaj në shumë mënyra. Në këtë pikë, përbërësit e kujdesit të lëkurës, si: retinol, acidi glikolik dhe peptidet bëhen të rëndësishëm, sepse, sipas kirurges plastike të fytyrës, dr. Michelle Yagoda, ata ndihmojnë të kapërcehen proceset qelizore që kanë ndaluar së funksionuari.

Sapo kaloni në menopauzë (mosha mesatare: 51), funksionet e barrierave të lëkurës dobësohen, prandaj lëkura bëhet e thatë dhe e paaftë për të mbajtur hidratim të mjaftueshëm për vete. Ekspertët thonë se kremra të pasur me vajra dhe vazelinë mund të ndihmojnë për të luftuar procesin.

Më pas, në të 60-tat tuaja, të gjitha proceset e plakjes të përmendura këtu, përshpejtohen në mënyrë dramatike.

Por ka një lajm të mirë, sipas studiuesve në Universitetin MekMaster në Hamilton, Ontario: stërvitjet aerobike (si vrapimi ose çiklizmi) dy herë në javë kanë aftësinë të transformojnë strukturën proteinike të lëkurës në individët 65 vjeç e sipër duke e bërë atë të ngjajë dhe ndihet si lëkura e një 40-vjeçari.

Ka ende shumë informacion për t’u studiuar lidhur me plakjen qelizore, por mësimi kryesor të cilin nuk duhet ta harroni asnjëherë për t’u dukur më të rinj seç jeni, është ta trajtoni lëkurën me përbërësit e duhur, të zgjidhni një stil jete të shëndetshëm dhe të bëni shumë aktivitet fizik/Shendeti.

Momenti kur dukeni të vjetër

Mosha në të cilën shenjat e para të plakjes së brendshme bëhen të dukshme, varet shumë nga raca së cilës i përkisni, mënyra si keni trajtuar lëkurën dhe stili juaj i jetesës. Për gratë e bardha. plakja fillon të vërehet në fund të të 30-ve. “Kjo është mosha kur një grua tipike e bardhë vëren vijat e para në ballë, rrudhat e para në zonën e syve, lëkurë më pak elastike dhe pika të kafta ose kapilarë gjaku të këputur për shkak të veprimeve dëmtuese të rrezeve diellore”, thotë Yagoda.

Nëse je grua me ngjyrë, pika e kthesës është rreth fundit të dyzetave. “Gratë afro-amerikane plaken 10 vjet më ngadalë në studimin tonë dhe kjo vërehet jo vetëm në pamjen e lëkurës, por edhe në formulimet gjenetike të tyre”, thotë Kimball. Mendohet se lëkura e zezë prodhon më shumë mbrojtje ndaj rrezeve ultravjollcë, por studiuesit mendojnë që duhet të jetë në lojë edhe prodhimi i më shumë mbrojtësve antioksidues dhe nivele më të larta të bioenergjisë së lëkurës. (Deri më tani janë analizuar vetëm të dhënat mbi gratë e bardha dhe ato me ngjyrë. Studimi i të dhënave mbi gratë aziatike dhe hispanike duhet të përfundojë rreth janarit të vitit 2016).

Raste të jashtëzakonshme mosplakjeje: vrasësit e moshës

Tani, këtu ka një dritëz shprese për të gjithë ne. Gjatë shqyrtimit të të dhënave në studimin e sponsorizuar nga Olay, studiuesit gjetën një grup të grave që sfidoi të ashtuquajturat pikë-kthesa gjenetike moshore. Këto gra të gjitha dukeshin të paktën 10 vjet më të reja se mosha e tyre e vërtetë. “Disa ishin 60, por tregonin 39”, thotë Neuser. Hulumtuesit nuk u befasuan që gjetën gra që dukeshin më të reja se mosha e tyre aktuale (në fund të fundit, ne të gjithë njohim njerëz që frymëzojnë zili duke sfiduar orën e natyrës).

Çfarë i intrigoi ata, ishte fakti që këto gra të veçanta treguan formulime të ngjashme gjenetike. Lëkura e tyre kishte aftësi të fuqishme të rinovonte veten përmes dekadave. Psh, tek disa prej tyre, rënia e barrierave antioksiduese që rëndom ndodh rreth të 20-ve, ende në moshën 50 vjeç nuk kishte filluar të vepronte. Cilit faktor duhet t’i jenë mirënjohëse këto gra: ADN-së së tyre apo mënyrës së jetesës? Shkencëtarët besojnë që përgjigjja është pak nga të dy faktorët, por për të përcaktuar sa përqind e këtij fenomeni lidhet me faktorë të tjerë si ekspozimi ndaj rrezeve UV, ushqyerja dhe kujdesi ndaj lëkurës, do të nevojiten studime të tjera.

Yagoda është njëra nga ato studiuese që besojnë se 80 përqind e moshimit ndodh për shkak të mënyrës së jetesës. Ajo sugjeron 7-8 orë gjumë të përnatshëm, ndjekjen e një diete të pasur me proteina për t’i dhënë lëkurës blloqet ndërtuese që i nevojiten për t’u vetërinovuar dhe pirjen e shumë uji për t’u hidratuar si nga brenda, dhe jashtë. Gjithashtu, meqenëse ka njerëz të cilët kanë vështirësi në përthithjen e gjithë përbërësve ushqimore që hanë, ajo sugjeron marrjen e një shtese (suplementi) ushqimore që përmban peptide, aminoacide të tipit të kolagjenit dhe biotinë të cilat mund të ndihmojnë në zëvendësimin e asaj që humbasim me moshën.

Të mbajturit e lëkurës së fytyrës në gjendje të mirë nëpërmjet një rutine të rregullt kujdesi ndaj saj dhe produktet kozmetike/farmaceutike të duhura, mund të ndihmojë vërtet në ngadalësimin e shenjave të plakjes. Është mirë që të kujdesemi në mënyrë të vazhdueshme për lëkurën tonë përgjatë gjithë stadeve që ajo kalon dhe jo vetëm atëherë kur procesi i plakjes është bërë i dukshëm dhe i pakthyeshëm.

Shumë studime po bëhen ndërkohë për faktorët që shkaktojnë plakje dhe ndoshta në të ardhmen do të jetë diçka e zakonshme të fillojmë të blejmë produkte që marrin në shenjestër profilin tonë gjenetik të moshimit, duke u përpjekur të modifikojnë atë që është caktuar për ne në ADN-në tonë. Tani për tani, le të mos harrojmë, megjithatë, ta ushqejmë lëkurën me ata përbërës që kemi në dispozicion.

Komento