Kanceri i zorrës së trashë

Kanceri i zorrës së trashë

Kanceri i zorrës së trashëKanceri kolorektal po merr një vrull gjithnjë dhe më të madh. Ajo çfarë është shqetësuese është ulja e kufirit të moshës, që do të thoshte se gjithnjë dhe më tepër të rinj preken nga kjo sëmundje e fshehtë.

Sipas Prof. Dr, Vasko Vasilevskit, gastroenterolog në spitalin klinik “Acibadem Sistina”, kanceri i zorrës së trashë zakonisht shfaqet nga polipe të cilat shfaqen në mukozën e zorrës së trashë, dhe më pas shndërrohet në kancer, prandaj është e rëndësishme që këto ndryshime të zbulohen dhe të mënjanohen në kohë.

Si mund të zvogëlohet rreziku?

Faktorët e rrezikut për shfaqjen e kancerit në zorrën e trashë janë mosha, faktori trashëgimtar, stili i jetesës dhe të ushqyerit, si dhe mungesa e aktivitetit fizik. Mbi moshën dhe faktorin e trashëguar nuk mund të ndikojmë, por këtë lloj të kancerit mund ta parandalojmë nëse i ndryshojmë faktorët e rreztikut që kanë të bëjnë me stilin e jetesës. Reduktoni mishin e kuq dhe zëvendësojeni atë me peshk, mish pule, mish pate apo mish të egër (dreri etj.). Reduktoni yndyrën nga mishi shtazor. Konsumoni të paktën 20 gramë ushqim me fibra përgjatë ditës, me anë të frutave dhe perimeve, konsumoni bukë të zezë dhe ushqime integrale. Hiqni dorë nga pirja e duhanit dhe konsumoni alkool në masë të kontrolluar. Rritja e përditshme e aktivitetit fizik, reduktimi i peshës trupore, pjesëmarrja në programet publike apo individuale të skriningut për zbulimin e hershëm të polipeve apo kancerit të zorrës së trashë, janë vetëm pjesë e disa aktiviteteve.

Çfarë është kolonoskopia?

Kolonoskopia është standard i artë për diagnostikimin e kancerit të zorrës së trashë. Me anë të këtij kontrolli i cili kryhet me anë të një tubi fleksibël në të cilin është vendosur kamera, mund të shikohet pjesa e brendshme e zorrës së trashë. Ky veprim kryhet nën ndikimin e anestezisë, kështu që pacienti nuk ndjen asnjë dhimbje apo parehati. Rekomandohet për të gjitha gratë mbi moshën 50-vjeçare, dhe për të gjithë meshkujt ndërmjet moshës 50-60 vjeçare, si metoda e vetme e parandalimit. Por nëse bëni pjesë në grupin e personave nën rrezik, domethënë, nëse në familje keni anëtarë të prekur nga kjo sëmundje, atëherë me këtë kontroll do të duhet të filloni shumë më herët. Gjithashtu, kolonoskopia duhet të kryhet menjëherë nëse ndjeni këto simptoma: gjak në jashtëqitje, nëse nuk keni rregullisht jashtëqitje, keni ndjesinë se nuk jeni çliruar nga jashtëqitja edhe pse keni pasur jashtëqitje.

Trajtimi

Mënyra e vetme për të trajtuar kancerin e zorrës së trashë, është trajtimi kirurgjik, i cili ndonjëherë shoqërohet me trajtim të mëtejshëm siç është trajtimi onkologjik, terapia rrezatuese dhe citostatike. Qëllimi i trajtimit është që të rritet përqindja e mbijetesës, të përmirësohet cilësia e jetesës dhe të reduktohet rreziku i përsëritjes së sëmundjes. Ajo çfarë është më e rëndësishme është që pacientët të diagnostikohen në fazë fillestare të sëmundjes, ku vetëm me kryerjen e intervenimit kirurgjik, me mënjanimin e zorrës së trashë në atë pjesë ku është prekur nga kanceri, për një numër të madh të pacientëve paraqet një shërim të plotë. Pacientët i klasifikojmë sipas fazës së sëmundjes, në momentin e diagnostikimit ose pas intervenimit kirurgjik. Më shumë se 90% e pacientëve mund të shërohen nëse sëmundja diagnostikohet me kohë. Kirurgjia është terapi me anë të së cilës mënjanohen fizikisht indet kancerogjene dhe një pjesë e nyjeve limfatike të cilat ndodhen në afërsi të tumorit.

Komento