Home » Këshilla për Prindër » A janë vetëm llastuar apo edhe hiperaktivë

A janë vetëm llastuar apo edhe hiperaktivë

Fëmijët gjithmonë mund t’i befasojnë prindërit me sjellje të papritura. Nënat dhe etërit ndodh që ndonjëherë e kanë të vështirë të vlerësojnë fëmijën e tyre se a është hiperaktiv apo është vetëm një i llastuar që s’i zihet vendi vend. E pra, nëse dyshojnë kanë probleme, është e nevojshme që menjëherë të konsultohen me psikiatrin dhe psikologun.

Psikiatrit e fëmijëve thonë se impulsiviteti, hiperaktiviteti, kujdesi selektiv janë karakteristika të cilat i posedojnë fëmijët hiperaktivë.

Ekzistojnë mendime të ndryshme për shkaktarët e shfaqjes së këtij çrregullimi, të cilin duhet vështruar nga ana mjekësore dhe terapeutike, sepse kjo gjendje nuk është kaluese. Në qoftë se nuk shërohet, më vonë mund të bëhet problem edhe më shumë serioz.

Edukimi i prindërve është i domosdoshëm, por është e mundshme që në sjelljen e tyre shohin atë që stimulon sjelljen hiperaktive te fëmijët e tyre. Vetëm me aksion të përbashkët me psikiatrit dhe me psikologët e shkollës arrihet shërimi i fëmijëve të tillë.

Hiperaktivitieti, është një problem psikologjik i hasur në masë tek fëmijët 2-11 vjeç. Këta fëmijë janë hiperaktivë dhe kanë mungesë përqendrimi, kohëzgjatjen e përqendrimit e kanë të limituar, janë shumë të ndjeshëm nga bezdisje të vogla mjedisore, meditojnë për diçka tjetër duke parë drejt tabelës së klasës ose duke të parë në sy.

Këta fëmijë e kanë të pamundur të rrinë në një vend dhe të dëgjojnë me qetësi. Ata lëvizin sa majtas-djathtas të shpërqendruar pa asnjë qëllim. Luajnë me duar dhe gishta, kërcasin gishtat, hanë thonjtë, zhgaravisin diku ose godasin me ndonjë mjet për të nxjerrë një zhurmë ritmike. Mundohen në të njëjtën kohë të bëjnë shumë gjëra (kur mësojnë, shikojnë televizor, ose, gjatë mësimit, bëhen pjesë e një diskutimi të bërë në shtëpi). Një aktivitet të nisur nuk e vazhdojnë dot për një kohë të gjatë. Para se të fillojnë një punë, nuk mendojnë gjatë për përfundimin e saj. Disa shembuj: Kur mësuesi i drejton një pyetje klasës, ata përgjigjen pa mbaruar pyetja, ose, duke ecur në rrugë, papritur dalin para automjeteve po kështu, edhe kur kritikohen, mërziten.

Fëmijët hiperaktivë janë këmbëngulës dhe i mbrojnë idetë e tyre. Nuk kujdesen për sendet e tyre, shpeshherë humbasin diçka. Megjithëse mund të kenë inteligjencë normale, nuk janë të suksesshëm në mësime. Gjithashtu, kanë edhe besimin se temat e pakuptuara ua shpjegojnë edhe njëherë në shtëpi më të rriturit. Mendimi se nuk i kuptojnë të tjerët, i shtyn që të bëhen të ndjeshëm dhe të mbyllur në vetvete. E vuajnë shumë kritikën e bërë në publik. Në klasat më të larta besimi në vetvete kthehet në mosbesim, mërzitje dhe irritim nga mësimet.

Fëmijët hiperaktivë kanë dëshirë të mësojnë gjëra të reja (veçanërisht në shkencat ekzakte) dhe të eksplorojnë me to, por mungesa e përqendrimit, parregullsia, mungesa e aftësisë për organizimin e punëve, i bën ata të mos jenë të suksesshëm.

Kujdes!
Fëmijët hiperaktivë arrijnë kulmin e shpërqendrimit të tyre në moshën 7-8 vjeç. Duke filluar nga mosha 9 vjeç, dalëngadalë ndërgjegjësohen dhe fillojnë të tërhiqen nga lëvizjet e tepërta, por, tashmë, të qenit i shpërqendruar dhe i hallakatur, është një pjesë e karakterit të tyre që vazhdon gjatë gjithë jetës.

Si t’i ndihmojmë fëmijët hiperaktivë dhe të shpërqendruar?

Fëmijët hiperaktivë dhe me mungesë përqendrimi, megjithëse e kanë të vështirë të ambientohen, të qëndrojnë pa lëvizur e pa folur, nëse i detyrojmë në kohën e duhur të përshtaten me ambientin; nuk humbasin asgjë, përkundrazi, shpërqendrimi nuk bëhet pjesë e karakterit të tyre dhe atyre u rritet kontrolli dhe besimi në vetvete.

Në mënyrë që kohëzgjatja e përqendrimit të jetë më e gjatë, dhe performanca më e mirë, detyrat e klasës është e mira t’u jepen pjesë-pjesë dhe fund të çdo detyre të kritikohen, por gjithashtu nuk u duhen kursyer edhe lëvdatat. Kritika për çdo gabim të bërë i bën këta fëmijë të mendojnë se mësuesi ose familjarët kritikojnë vetëm ata, prandaj do të ishte më mirë të mos u vëmë në dukje çdo veprim të gabuar.

Kur ngrihet për t’iu përgjigjur një pyetjeje që i është drejtuar, është mirë ta inkurajojmë me fjalë të bukura, në rast të kundërt, nëse përgjigja është gabim, të mundohemi të gjejmë një lidhje logjike midis përgjigjes së saktë dhe asaj të dhënë nga fëmija. Si pasojë e hiperaktivitetit këta fëmijë mundohen që çdo detyrë të dhënë ta mbarojnë me shpejtësi dhe bëjnë shumë gabime, vijnë si pasojë shpërqendrimit dhe jo nga mungesa e kapacitetit.

Shpeshherë mësuesit ose prindërit u kërkojnë t’i kontrollojnë detyrat pasi t’i kenë mbaruar, por rezulton që në shumicën e rasteve, një punë që ata e konsiderojnë të mbaruar, e kanë të vështirë t’i rikthehen. Pikërisht ky është momenti që këta fëmijë duhen tërhequr të kontrollojnë detyrën së bashku me mësuesin ose prindin dhe të dalin në pah gabimet që janë bërë për efekt shpejtësie. Gjithashtu nuk duhet t’u kursejmë kritikat dhe t’u shpjegojmë që “Saktësia në jetë është më e rëndësishme se shpejtësia”. /Telegrafi/

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!
© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress