Home » Këshilla për Prindër » Fëmijët probleme me lëkurën gjatë ndërrimit të stinëve

Fëmijët probleme me lëkurën gjatë ndërrimit të stinëve

Ardhja e pranverës ka sjellë shumë probleme edhe sa i takon shfaqjes së dermatiteve.

Bëhet fjalë sidomos për dermatitin alergjik, dermatitet e kontaktit dhe ekzemës atopike. Fëmijët janë kontingjenti që shfaq më tepër probleme dhe mjekët tërheqin vëmendjen të tregohet kujdes, në mënyrë që sëmundja të trajtohet në kohë.

Në një intervistë, mjekja dermatologe, Blerta Gjoni, shpjegon si shfaqet dhe çfarë mund të bëhet për trajtimin e kësaj sëmundjeje:
Doktoreshë është e vërtetë që me ardhjen e pranverës shtohen rastet me dermatit alergjik?
Po. Dermatiti alergjik është një sëmundje lëkure që shfaqet në periudhën e fillimpranverës. Në pranverë ndodh që sëmundja të shfaqet, apo të kronicizohet, për shkak të disa faktorëve që ndikojnë në acarimin e sëmundjes. Të tillë janë disa alergjenë, të cilët mund të sjellin deri te keqësimi. Janë materiale të ndryshme me prejardhje nga prodhimet ushqimore, bimët, shtazët ose nga ajri (poleni, myku, pluhuri shtëpiak). Faktorë të tjerë janë aeroalergenët specifikë: kërpudhat, polenet e luleve, të cilat shfaqen në pranverë duke ndikuar dhe në shfaqjen apo acarimin e dermatiteve në përgjithësi, por në veçanti të atij alergjik dhe atopik.
Ka faktorë të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e dermatitit alergjik, apo atij të kontaktit?
Po. Ka disa faktorë të tjerë që janë në gjendje të përkeqësojnë dermatitin alergjik. Të tilla mund të jenë: sapunët dhe detergjentet e papërshtatshme, pluhuri dhe rëra, tymi i cigares, preparatet për pastrim (posaçërisht ata të cilat përmbajnë klor).

Po ashtu dhe përmbajtje të ndryshme të ushqimit mund të shkaktojnë keqësim të dermatitit atopik te foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Si shkaktarë të alergjisë, më së shpeshti janë vezët, qumështi, peshku etj., të cilat janë alergjentët kryesorë që mbizotërojnë në ushqyerjen që në moshën pediatrike të fëmijëve. Përveç faktorëve shpërthyes, ndikon dhe faktori gjenetik, pra trashëgimia. Prindërit që kanë probleme me rinitin alergjik dhe astmën, mundësitë për paraqitjen e dermatitit atopik te fëmija është më i madh.
Çfarë shenjash ankon pacienti?
Lëkura e thatë dhe pruriti (e kruara) janë simptomat kryesore të dermatit atopik. Lëkura është pak a shumë e skuqur, e trashur me një deskuamim (luspa) të lehtë nga eskoracionet. Duke kaluar fazën akute gradualisht shfaqen pllakat e likenifikuara të lëkurës. Shfaqet kryesisht te: gjuri, bërryli, qafa, sqetullat. Karakteristike e fëmijëve të vegjël (0-1 vjeç) është se sëmundja lokalizohet në fytyrë, në pjesën e kokës, rrëzë qafës dhe veshëve.
Çfarë përdoret për mjekim në rast se shfaqet?
Në trajtimin e sëmundjes është shumë e rëndësishme të kuptohen faktorët që kanë ndikim të jashtëm te sëmundja si: përdorimi i sapunit ose shampove të papërshtatshme. Pacientët duhet të qëndrojnë në ambiente të ajrosura, pa pluhur, të tregohet kujdes në dietën ushqimore. Rekomandohen ushqimet pa konservues, pa karbohidrate. Mjekimi i dermatitit atopik është lokal dhe kryesisht përmban pomada kortikosteriodete përshkruara nga mjeku specialist shoqëruar edhe me emoliente jo me bazë kortizoni.

Në rastet e infektuara rekomandohen pomada antimikrobike me spektër të gjerë veprimi. Gjithashtu, mjekimi shoqërohet me marrjen e antihistaminikëve oralë. Për fëmijë të diagnostikuar me dermatit atopik, ju këshillojmë produkte të sapunëve, lateve (solucioneve qumështore) ose shampo tipike për sëmundshmërinë që kanë, në mënyrë që lëkura të lehtësojë shenjat e saj të acarimit dhe të rikthehet në një lëkurë të shëndetshme dhe të hidratuar mirë. Kjo bëhet pas vizitës së kryer nga mjeku specialist dhe sipas fazës së sëmundjes që ai përcakton.
Këshilla
- Tregoni kujdes me ushqyerjen e fëmijës 0-1 vjeç.
- Kujdes në përdorimin e detergjenteve dhe sapunëve që të jenë të përshtatshëm për lëkurën e fëmijës.
- Mbani fëmijët në ambiente të ajrosura mirë dhe pa pluhur.
- Mos përdorni ushqime me konservues dhe karbohidrate.
- Veshja e fëmijës duhet të jetë me material pambuku duke evituar veshjet me përmbajtje sintetike dhe akrilike./shekulli/

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!
© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress