Kudam bulevardi më i famshëm gjerman

Kudam bulevardi më i famshëm gjerman

Ai është 3,5 km. dhe 53 metër i gjerë – bulevardi Kurfyrstendam në Berlin është bulevardi më i famshëm i Gjermanisë. Në 125 vjetorin e ndërtimit të tij, ky bulevard ka shumë histori për të treguar.

Në disa rrugë mund ta përjetosh historinë edhe kur shëtit nëpër to. Një rrugë e tillë është edhe Kurfyrstendami, bulevardi më prestigjioz i Berlinit, madje i gjithë Gjermanisë.

Aty nuk ka monumente të personaliteteve të rëndësishme gjermane.

Historia në këtë rrugë nuk është në piedestale, ajo është prezente nëpër shtëpi, kthesa rrugësh dhe sheshe të vogla. Kush kalon pranë ndërtesave impozante, kupton diçka nga jeta mondane e hebrenjve në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1913 në Kurfyrstendam, shkurt Kudam, jetonin 120 milionerë në apartamente madhështore.

Shkrimtari Walter Benjamin shkroi në “Kujtime nga fëmijëria në Berlin”: “Me çfarë fjalësh ta përshkruash ndjesinë e papërshkrueshme të sigurisë borgjeze që përcjellin këto ndërtesa? Jo vetëm mjerimi nuk mund të gjente as edhe një copë vend në këto ndërtesa, por as vdekja.”

Karriera e pandalshme e një rruge princësh

Në vitin 1933 kjo epokë përfundoi me një të goditur. Me nazistët erdhën shpronësimet dhe pogroma. Në vitin 1938 iu vu zjarri sinagogës në Fasanenstrasse, një nga degëzimet anësore të Kudamit. Lufta e Dytë Botërore shkatërroi shumë shtëpi në këtë rrugë.

Fillimisht Kudami ishte ndërtuar si një rrugë për të kaluar princi dhe aristokracia, me qëllim që të shkonin në kështjellën e qytetit apo të gjuetisë. Vetëm në vitin 1875, themeluesi i shtetit gjerman, Otto von Bismarcku urdhëroi zgjerimin e kësaj rruge dhe kthimin e saj në një bulevard. Pas kësaj nisi karriera e pandalshme e Kurfyrstendamit në Berlin.

Pas ca kohësh kaloi nëpër këtë rrugë autobuzi i parë elektrik, katër vite më vonë, Carl Benz regjistroi patentën e makinës, ndërsa në 5. Maj 1886, u inagurua linja e parë e tramvajit. Kjo ditë konsiderohet edhe lindja e Kurfyrstendamit. Sipërmarrësi amerikan, Buffalo Bill, i cili shpiku edhe klishenë e “Wild West” – perëndimit të egër, shkroi në vitin 1890 për Kudamin: “Dreq o punë, gjithmonë kjo rrugë ndryshon fytyrën e saj: ndërtesa pompoze, vila qyteti, gardhe, ndërtesa të papërfunduara, dhe prapë gjithë ai truall i papunuar, bosh dhe i shkretë.

Kjo të kujton atmosferën e transformimit në perëndimin e egër.” Po aq vrullshëm lëvizte jeta edhe në Kudam, në zemër të Berlinit. Në kafenenë romane debatonte Berthold Brecht, Erich Kästner dhe Max Reinhard. Në 1922-n u shfaq këtu filmi i parë me zë, i shoqëruar nga protestat për ndikimin negativ të kësaj shpikjeje.

Kudami pas Luftës së Dytë Botërore

Pas Luftës së Dytë Botërore e pas një pauze në vitin 1945 Kudami u rigjallërua sërish. Në vitin 1952 yjet e filmit botëror kaluan në Kudam për të shkuar në Berlinale. Por pastaj erdhi koha e Murit të Berlinit dhe Lufta e Ftohtë, qyteti u nda dhe Kudami mori një rol të ri. Ai u kthye në vitrinën e perëndimit, me zyra moderne, shumë dyqane dhe pika dëfrimi.

Gjatë vizitës së shahut iranian në vitin 1962 u zhvilluan protesta të ashpra. Një nga studentët Benno Ohnesorg u vra. Lëvizjet e njohura të viteteve 60-të marrin udhë. Në prill 1968, Rudi Dutschke i shpëton për pak një atentati. Të dyja këto ngjarje njihen si katalizatorët e lëvizjes së 68-s.

Deri në Rënien e Murit, Kudami mbeti zemra e Berlinit. Kush largohej nga qyteti, e kapte shpejt malli, si artisten e njohur gjermane, Hildegard Knef, kur këndonte: Në vitin 1989 aty u festua Love parade për herë të parë. Ndërsa në natën nga 9 në 10 Nëntor 1989 në Kudam u festua festa më emocionuese e gjermanëve, ajo e Rënies së Murit.

Por edhe sot berlinezët kur kanë diçka për të festuar – mblidhen në Kudam. (DW)

Komento