Kujdes në përdorimin e Hotmail si adresë dytësore

hotmail

hotmailNëse jeni një tip i ngjashëm me mua, atëherë keni së paku dy adresa elektronike. Njërën prej këtyre e shfrytëzoni për çështje biznesi, për tu shkruar kolegëve, për punë zyrtare, etj, pra me një fjalë për tu përgjigjur ndaj e-maileve që iu kushtoni vëmendje përditë.

Kurse adresën e dytë e përdorni për gjëra tjera, si për abonim në fletushka informative, blerje online apo për krijim të llogarive për shërbime në ueb. Gjithashtu mua më ndodh që shpesh të harroj t’i përkushtohem kësaj llogarie, për disa ditë, javë apo ndoshta edhe muaj. Por siç duket harresa për të shikuar të rejat në llogarinë tonë elektronike në Windows Live Hotmail, mund të ketë disa pasoja.

Sipas skedarit të ndihmës në Windows Live Hotmail:

Llogaritë pa pagesë në Windows Live Hotmail bëhen joaktive nëse nuk kyçeni pas më shumë se 270 ditëve ose brenda 10 ditëve të para pas regjistrimit për një llogari. Pasi që një llogari bëhet joaktive, të gjitha mesazhet, dosjet dhe përmbajtjet përbrenda saj fshihen. Mesazhet që vijnë dërgohen prapa tek dërguesi me sinjalin që nuk mund të dërgohet. Emri i llogarisë suaj është ende i rezervuar. Megjithatë, nëse llogaria juaj qëndron joaktive edhe për 90 ditë tjera, emri i llogarisë do të fshihet përfundimisht. Nëse nuk përdorni ID-në tuaj të Windows Live brenda 365 ditëve, Windows Live ID i juaj do të fshihet përfundimisht.

Çka do të thotë kjo për dikë që përdor adresën në Hotmail për tu regjistruar për gjëra në ueb?

Kjo do të thotë se, në momentin që tejkalon faza joaktive e juaj, çdokush mund të regjistrohet për një llogari në Windows Live me emrin e përdoruesit që keni pasur ju dhe që i ka skaduar afati. Efekti anësor i kësaj është se nëse llogaria juaj në Windows Live skadon, dikush mund të krijojë një llogari me të njëjtin emër që keni pasur dhe të përdor funksionin e rivendosjes së fjalëkalimit në secilin shërbim online të lidhur me këtë e-mail adresë, të pranojë e-mailin me fjalëkalim (ose instruksione të mëtutjeshme) dhe të marrë përsipër tërësisht llogarinë tuaj pa qenë ju në dijeni. Kjo edhe është teknika e llogarive të cilën e kanë keqpërdorur përdoruesit e malware për të marrë përsipër llogaritë e punëtorëve të Twitter.

Nëse jeni të regjistruar në Windows Live Hotmail, dhe dëshironi të parandaloni që kjo gjë të ndodh, ju duhet të bëni njërin prej këtyre dy hapave.

* Sigurohuni të kyçeni rregullisht në llogarinë tuaj. Pra vendosni një përkujtues javor ose mujor në aplikacionin tuaj kalendarik nëse dëshironi ndihmë shtesë për këtë opsion
* Merrni një adresë tjetër për email duke shfrytëzuar një ofertues tjetër si Gmail, dhe ndryshoni të gjitha email adresat në të gjitha llogaritë tuaja online që keni.

Gjithashtu, nëse paguani për shërbime të Windows Live Hotmail, sigurohuni që abonimi juaj është i paguar. Në momentin që një llogari e paguar në Hotmail tejkalon afatin e paraparë, ajo thjeshtë kthehet në një llogari pa pagesë dhe bëhet temë e të njëjtave rregulla të skadimit. /PCWorld Albanian

Komento