Kur qumeshti te ben keq

Kur qumeshti te ben keq

Shumë persona janë të bindur se të paktën një produkt ushqimor i bën keq organizmit. Specialistët paralajmërojnë që të rriturit të kenë kujdes për fëmijët dhe të mos u japin atyre ushqime pa këshillat e mjekëve.

Një në tre persona është alergjik nga disa ushqime. Qumështi dhe nënproduktet e tij janë në “listën e zezë” të ushqimeve që mund të konsiderohen si më problematiket. Në këtë përfundim kanë arritur disa studiues, pasi kanë vizituar shumë njerëz dhe janë konsultuar me mjekë dhe specialistë të fushës.

Sipas të dhënave epidemiologjike, vetëm 2% e të rriturve dhe 7% e fëmijëve kanë reagim të veçantë ndaj një ushqimi. Në këto shifra përfshihen si alergjitë ashtu edhe intolerancat ushqimore, patologji shumë të ndryshme mes tyre, për nga shkaku, simptomat dhe efektet.

Një grup mjekësh amerikanë të Institutit Kombëtar të Shëndetit kanë arritur në përfundimin se, edhe personat që vuajnë nga intoleranca e laktozës, një lloj sheqeri që përmban qumështi, mungesa e dëshirës së qumështit, nuk duhet të heqin krejtësisht dorë nga qumështi dhe nënproduktet e tij, të cilët janë të pasur me ushqyes të rëndësishëm. Intoleranca ndaj laktozës, që prek 40 për qind të njerëzve, vjen nga prodhimi i pakët i një enzime, laktaza, e cila shërben për të tretur sheqerin. Normalisht prodhimi i laktazës në trup fillon të ulet gjatë muajit të dytë të jetës dhe te disa individë, reduktohet aq shumë sa shkakton intolerancë. Për fat të keq, pa qumështin dhe nënproduktet e tij në dietë, është e vështirë t’i kënaqim nevojat tona ushqyese. Këto lloj ushqimesh janë të pasura veçanërisht me kalcium dhe vitaminë D, dy elementë të rëndësishëm gjatë moshës së zhvillimit, për të garantuar një shëndet të mirë të kockave për gjithë jetën, dhe sasinë e madhe të kalciumit.

Lajmi i mirë është se edhe personat që vuajnë nga intoleranca e laktozës nuk duhet t’i ndajnë qumështin dhe nënproduktet e tij nga dieta. 12 gramë laktozë në ditë, që gjenden te një filxhan i madh me qumësht, janë normalisht të pranueshëm nga kushdo pa asnjë problem, ose maksimumi me simptoma jo shumë tragjike. Sugjerimi i mjekëve është të mos i ndajnë asnjë ditë këto produkte të shëndetshme dhe mundësisht jo me stomakun bosh. Për fëmijët, për shembull, një gotë qumësht e shoqëruar me një kroasant është zgjedhja më e mirë.

“Intoleranca përgjithësisht krijohet nga mungesa e një enzime. Për shembull intoleranca ndaj qumështit i detyrohet mungesës së enzimës së laktazës, që lejon tolerimin e laktozës, sheqerin e qumështit. Një individ mund të lindë pa enzimë, mund ta humbasë atë pas një infeksioni intestinal, ose për shkak të mospirjes së qumështit për një kohë të gjatë. Zakonisht mjafton të përdorësh qumështin pa laktozë, por për pacientët që nuk e tolerojnë as këtë, mund të eliminohet qumështi për një periudhë nga një në gjashtë muaj, pastaj të fillojnë sërish ta marrin me doza të vogla. Gjithashtu ekziston një produkt zëvendësues i enzimës, që bllokon simptomat dhe mund të përdoret në rastet e konsumit aksidental. Zakonisht simptomat janë gastrointestinale ose mund të stimulojnë ato të një zorre të trashë të irrituar, me fryrje, të prera, spazma dhe diarre. Këto shenja mund të jenë domethënëse, por nuk kanë kurrë rrezik për jetën”, thotë një studiuese amerikane e specializuar në studimin dhe kurimin e alergjive dhe intolerancës së ushqimit.

Faktikisht në rast alergjie mund të ndodhë ndonjë kolaps, e madje personi mund të vdesë. “Alergjia është ndaj proteinave të qumështit dhe shkaktohet nga antitrupa të veçantë. Thuhet se është një alergji ‘Ig-E’ e ndërmjetësuar. Reagimet janë zakonisht të menjëhershme, nga disa minuta deri në një orë pas marrjes së ushqimit. Alergjia shfaqet në formën e urtikarieve në të gjithë trupin, me kruarje, skuqje, vështirësi në frymëmarrje, takikardi, hipotension, deri në kolaps. Për këtë arsye është i rëndësishëm një edukim i mirë për të përballuar rastet emergjente me barna të ndihmës së shpejtë, si adrenalina që injektohet vetë. Gjithashtu ka forma të tjera alergjie pa antitrupa. Janë forma jo ‘Ig-E’ e ndërmjetësuar, me simptoma kryesisht gastrointestinale, që shfaqen dy deri në gjashtë orë pas pirjes”.

Problemi është se vazhdon të rritet në mënyrë konstante numri i fëmijëve të cilëve u është diagnostikuar një alergji ndaj proteinave të qumështit, shpeshherë e pasaktë. Sot shumë mjekë dhe pediatër ia vënë fajin qumështit për alergjitë që u krijohen foshnjave nën 12 muaj, me shenja të ndryshme si fryrje barku, irritime të lëkurës, madje edhe shqetësimet gjatë natës. “Shpesh ndoshta për shkak të një dermatiti në fytyrë, që mund të shërohet me pak krem, duhet bërë patjetër testi i alergjisë. Në këtë mënyrë mund eliminohen ushqimet që bëjnë vërtet dëm dhe nuk është e nevojshme të mos konsumoni më qumështin, vezët, peshkun, apo ushqime të tjera. Ky është një gabim i madh. Çdokush duhet të marrë parasysh rezultatet e testit: nëse një fëmijë, për shembull ha vezë, ose pi qumësht dhe ka të vjella, dhembje barku, ose diarre, po ashtu edhe testi i ka dalë negativ nuk duhet t’i konsumojë këto ushqime”, shton studiuesja.

Këta fëmijë duhet të përdorin një dietë që nuk është e pasur me ushqime që përmbajnë proteina të qumështit. “Kohët e fundit kemi provuar t’i ushqejmë fëmijët me doza të vogla qumështi. Te disa prej tyre kemi arritur ta zgjidhim problemin. Për të gjithë ata që mendojnë se janë alergjikë, duhet patjetër të gjejnë një mënyrë dhe mundësi për të ‘rilidhur marrëdhënien’ me qumështin dhe nënproduktet e tij”, përfundon studiuesja.

Komento