Home » Shëndetësi » Kush rrezikohet më shumë nga sëmundja e kockave osteoporoza

Kush rrezikohet më shumë nga sëmundja e kockave osteoporoza

Sëmundja e kockave osteoporozaSëmundja e osteoporozës, ose dëmtimi i kockave, nuk është ende e njohur si duhet në vendin tonë. Ndërkohë që përveç kësaj, mungon informacioni për mënyrat e parandalimit të saj, por edhe për trajtimin e të sëmurëve, i cili tashmë është i mundshëm.

Statistikat botërore tregojnë se 1 në 3 femra dhe 1 në 5 meshkuj të moshës mbi 50 vjeç janë të prekur nga sëmundja e kockave, ndërsa në vendin tonë, sipas mjekëve, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe shkallës së ulët të diagnostikimit.

Indi kockor është një ind i organizimit njerëzor, që është në ndërtim të vazhdueshëm. Në kushte normale ekziston një ekuilibër midis proceseve që shkatërrojnë kockën dhe atyre që e ndërtojnë atë.

Humbja e masës kockore fillon si te burri dhe te gruaja pasi kanë kaluar 35 vjetët. Por tek femrat kjo theksohet edhe më shumë në menopauzë e pas saj.

Gjashtë vjet pas menopauzës vihet re një humbje e konsiderueshme e masës kockore, e cila ka të bëjë drejtpërdrejt me mungesën e estrogjeneve. Në disa raste humbja e masës kockore mund të jetë aq e madhe, sa mund të çojë në thyerje të kockave në mënyrë spontane (pa ndonjë shkak të vërtetë). Në këtë rast thuhet se gruaja paraqet osteoporozë.

Të rrezikuarit.
Gratë kanë një rrezik tetë herë më të lartë se burrat për të zhvilluar osteoporozë. Fillimisht shenjat e osteoporozës janë: pakësim i masës kockore, zvogëlim i gjatësisë së kockës, dëmtime të lokalizuara, shtypje në nivelin e vertebrave, sidomos atyre të mesit, dëmtime të kyçit të dorës, qafës së femurit ose edhe në vende të tjera kur gruaja pëson një traumë, qofte edhe të vogël.

Osteoporoza shkakton dhimbje vetëm në rastet e thyerjeve dhe të dëmtimit të vertebrave. Dhimbjet e kyçeve, nga të cilat ankohen gratë pas periudhës së menopauzës, nuk janë të lidhura me osteoporozën. Rreth 25-30 për qind e grave në menopauzë preken nga osteoporoza.

Sipas mjekëve, për ta parandaluar atë është e rëndësishme që të individualizohen më parë gratë që janë më të rrezikuara nga kjo sëmundje. Përkrah femrave edhe meshkujt janë të rrezikuar nga sëmundja e osteoporozës. Sipas mjekëve, burrat mbi 50 vjeç janë të rrezikuar për të pësuar fraktura të shkaktuara nga osteoporoza, e cila është edhe më kërcënuese se kanceri i prostatës tek ata.

Sipas disa studimeve të ekspertëve amerikane ortopedë, delikatesa e kockës mashkullore është më e rëndomtë sesa mendohet edhe pse disa herë e lënë pas dore, por ata janë më të ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje për shkak të alkoolit dhe dietave të rregullta, shpesh me mungesa proteinash, të cilat gjenden shumë te qumështi.

Alkooli, në të kundërt, dëmton mëlçinë dhe ndryshon metabolizmin e vitaminës D, e nevojshme për të ngjizur kalciumin në kockë.
Parandalimi.Për të parandaluar osteoporozën, sipas mjekëve, duhet që qysh në periudhën e fëmijërisë dhe adoleshencës të ndiqet një aktivitet fizik i përshtatshëm, si: ecje në këmbë, me biçikletë, bërja e ekskursioneve të përditshme, ose të paktën tri herë në javë dhe ndjekja e një regjimi ushqimor korrekt, me pak mish dhe shumë fruta, perime, zarzavate, qumësht (të skremuar në qoftë se ekzistojnë probleme të yndyrave në gjak), djathë, kos etj.

Gjithashtu duhet të ndërpritet ose të pakësohet përdorimi i duhanit dhe i alkoolit. Një kujdes i veçantë duhet pasur nga rrëzimet, sepse shtojnë rrezikun e thyerjeve të kockave. Marrja e kalciumit çdo ditë, e shoqëruar me vitaminë D, është gjithashtu e rëndësishme, por për këtë duhet më parë të këshilloheni me mjekun.

Për arsyet e përmendura më sipër është e rëndësishme të ndiqet një regjim ushqimor i ekuilibruar dhe i larmishëm, por në të njëjtën kohë duhet të kryhen ushtrime fizike të paktën tri herë në ditë. Afrimi i periudhës së menopauzës mund të jetë edhe një mundësi për të ndryshuar disa zakone të të ushqyerit jokorrekt.

Rregullat e të ushqyerit mund të ndihmojnë gruan për të ndjekur një regjim ushqimor të mirë si për vete, ashtu edhe për të gjithë familjen. Përdorni larmi ushqimesh, por që gjithnjë të jenë sa më të freskëta. Përdorni sa më shumë fruta e zarzavate. Filloni vaktin me sallatë ose me supë me zarzavate. Pakësoni vaktet me mish (jo më shumë se 4 herë në javë) dhe zëvendësojini ato me ushqime me zarzavate. Ulni përdorimin e yndyrave gjatë përgatitjes së ushqimeve. Pakësoni sa më shumë që të jetë e mundur përdorimin e ëmbëlsirave. Hani fruta, por jo menjëherë pas ngrënies së vaktit.

Dieta:Duhet të hani tre vakte dhe tri minivakte në ditë. Minivaktet janë ushqime si fruta, arra, jogurt etj., që të mbani metabolizmin lart. Gjithmonë hani mëngjes. Është vakti më i rëndësishëm i ditës. Hani diçka çdo tri orë, që të mbani sheqerin në nivelin normal dhe metabolizmin lart.

Në qoftë se jeni shumë aktiv, hani çdo dy orë. Sasia e ujit në trupin tonë duhet të jetë 75 për qind. Kështu që pini ujë, rreth 10 gota (250 ml) në ditë. Është e rëndësishme të merrni proteina (mish, vezë djathë etj.), bulmet (djathë, qumësht, kos etj.), perime, fruta, yndyra të shëndetshme, brumëra dhe ujë çdo ditë.

Çdo gjë që konsumoni duhet të jetë me sasi mesatare. Zakonisht pjata që serviret në restorante është dyfishi i sasisë që duhet të hani. Kjo është këshilla më e rëndësishme që ju duhet të keni parasysh. Të paktën katër ditë në javë duhet të bëni vrap ose ecje të shpejt, për 1 orë. Dhe tri ditë në javë duhet të bëni ushtrime për muskujt si ngritje peshash. Për shembull: 15 pompa, por me 3 raunde (15 sekonda deri në 1 minutë pushim pas çdo raundi).

Ka tre lloj osteoporoze:Osteoporoza që shihet më shpesh tek gratë. Një nga faktorët që e mbron kockën prej qelizave shkatërruese është estrogjeni i cili prodhohet nga vezoret. Funksioni i vezoreve tek gratë rreth 45 vjeç vjen duke u pakësuar deri në humbjen e menstruacioneve. Kjo periudhë quhet menopauza.

Estrogjeni ulet dhe qelizat shkatërruese rrisin punën e tyre.Osteoporoza që shihet tek moshat e mëdha, sidomos pas moshës 45 vjeç, ku dominon shkatërrimi i kockave i cili pas moshës 70 vjeç theksohet akoma dhe më shumë sa që me një rënie edhe nga një lartësi tepër e vogël mund të shkaktojë thyerje të kockës.
Osteoporoza që ka lidhje me përdorimin e kortizonit tek personi. Si për shembull tek pacientët që për shkak të astmës, alergjisë, sëmundjeve reumatizmale përdorin kortizon për një kohë të gjatë.

Faktorët që ndihmojnë në zhvillimin e osteoporozës te femrat.Mosha e fillimit të menopauzës:
Sa më shpejt të fillojë menopauza, aq më i madh është rreziku i osteoporozës. Kur menopauza është kirurgjikale (menopauza quhet kirurgjikale kur pas ndërhyrjeve është hequr mitra dhe bashkë me të edhe vezoret), rreziku është akoma më i lartë.

Trashëgimia:Në familjet e personave që vuajnë nga osteoporoza rritet rreziku edhe për personat e tjerë.
Karakteristikat etnike:
Gratë e bardha janë më të rrezikuara nga osteoporoza se ato të zeza.
Pesha:
Personat e dhjamosur preken rrallë nga osteoporoza.
Mënyra e të ushqyerit:Një dietë jo e mirë mund të pengojë zhvillimin e rregullt të kockave qysh në fëmijëri, adoleshencë dhe ta theksojë procesin e humbjes kockore tek të moshuarit. Vegjetarianët kanë një densitet kockor më të madh në krahasim me ata që ndjekin një dietë të pasur me mish.

Ushtrimet fizike:Bërja e ushtrimeve të përditshme është e nevojshme për zhvillimin dhe mbajtjen e shëndetshme të kockave dhe kjo vlen për të gjithë, si për fëmijët, ashtu dhe për të moshuarit.
Duhani:Gratë që pinë duhan kanë rrezik të hyjnë në menopauzë rreth 5 vjet më parë se ato që nuk e pinë, dhe kjo mund të shpjegojë lidhjen që ekziston midis përdorimit të duhanit dhe thyeshmërisë së kockave në këto përdoruese.

Alkooli:Ul thithjen e kalciumit nga zorra dhe favorizon zhvillimin e osteoporozës.:Ilaçet
Kortizonet si ultrakorteni, nëse përdoren për një periudhë të gjatë, çojnë në hollimin e kockës deri në osteoporozë.

Përhapja e sëmundjes:Osteoporoza prek më shumë gratë dhe moshat e thyera.
200 milionë gra në botë janë të rrezikuara nga osteoporoza
1/3 e grave në moshën 60-70 vjeç janë të prekura nga kjo sëmundje
2/3 e grave mbi 80 vjeç kanë osteoporozë
30 për qind e grave mbi 50 vjeç kanë një ose më shumë fraktura vertebrale
1 në 5 burra mbi moshën 50 vjeç ka një frakturë të shkaktuar nga osteoporoza. /Gazeta Albania/

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!

1 Response to " Kush rrezikohet më shumë nga sëmundja e kockave osteoporoza "

  1. besa says:

    pershendetje me falni desha te ju pys se me cilen dat mbahet dita botrore e osteoporozes ne prishtin ju faleminderit pres pergjigjje

Komentoni

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress