Lagështira “armike” për sëmundjet e kockave

Lagështira "armike" për sëmundjet e kockave

Ulja e temperaturave dhe lagështira. Ambientet e mbyllura dhe ato të paajrosura, frekuentimi në masë i të cilave mund të përkthehet në rrezik për shëndetin tuaj, janë vetëm disa prej faktorëve të riskut të sëmundjeve reumatizmale.

Shenjat e para shfaqen në qetësi. Dhimbje të lehta artikulare (kyçeve) me karakter inflamator, ngurtësim dhe vështirësi të lëvizjes herët në mëngjes, një ënjtje apo edem e shfaqur në lëkurë, janë disa prej shenjave që duhen vlerësuar nga individët, për t’iu drejtuar mandej një mjeku specialist.

“Një streptokok i pranishëm në faring (fyt) çon në temperaturë të lartë, në dhimbje të kyçeve e, nëse nuk kurohet në momentin e duhur, mund të çojë deri në dëmtim të organeve të brendshme. Dëmtimi i valvulave të zemrës është një prej këtyre pasojave. Por, ka një kategorizim të sëmundjeve reumatizmale: janë ato inflamatore dhe ato degjeneruese.

Në grupin e parë përfshihen reumatizmat akute, që shkaktohen nga prania e streptokokut Beta Hemolitik të grupit A që zakonisht prek moshat e reja, nuk ka ndarje në sekse dhe shfaqet kryesisht në stinën e vjeshtës ose dimrit. Në grupin e dytë, reumatizmat degjeneruese, janë ato që prekin moshat në dekadën e pestë dhe të gjashtë të jetës. Sëmundje të tjera të rëndësishme janë ato të indit lidhor, kolagjenit, apo sklerodermia (trashja e lëkurës), sëmundje që prek organet e trupit, si: zemra, veshka, mushkëria etj. Duhet treguar shumë kujdes sidomos në këtë periudhë stinore, ku ulja e temperaturave është e menjëhershme”, rrëfehu Dr. Backa Çiço për gazetën Panorama.

Prandaj, mbyllja e ambjenteve nga ana e individëve gjatë dimrit, për ti shpëtuar të ftohtit, është i gabuar sepse lagështira është shkaku kryesor i sëmundjeve të kockës.

Komento