Menopauza tek meshkujt

Menopauza tek meshkujt

Ndodh që gratë të cilat kanë burra rreth moshës 50-vjeçare një ditë të bukur pa pritur të dëgjojnë bashkëshortin t’u thotë se ndihen si në kurth nga martesa.

Dhe kjo deklaratë vjen pas shoqërizimit të tij të vazhdueshëm me shokë të së njëjtës moshë, zhdukjes për javë me sebepe punën, ardhjet në shtëpi natën vonë dhe sjelljeve që shpesh tentojnë të fshehin të vërtetën.

Por ndërsa këto sjellje mund të bëhen disi edhe fshehtas, mund të vijë papritur momenti që kupa mbushet dhe burri deklaron se nuk vazhdon më me situatën e krijuar, se nuk e dashuron më nënën e fëmijëve të tij me të cilën ka qenë i martuar për 20 vjet dhe se në fakt “për hir të së vërtetës ka qenë gjithmonë i palumtur në familje”. Në kushte të tilla, bashkëshortja e pikëlluar nis që të kërkojë shkaqet e kësaj përmbysjeje të madhe edhe në jetën e saj dhe të vërë në dyshim të gjitha momentet që ata si familje i kanë kaluar në lumturi dhe së bashku.

Në shumë raste nuk bëhet fjalë për ndonjë grua tjetër, por nuk ka ndërkohë as një përgjigje racionale të gjendjes së mashkullit që vendos në shumë raste të lërë çerdhen familjare dhe të largohet. Disa nga gratë, të shqetësuara për shpërthime të tilla mund të mendojnë se bëhet fjalë për raste ku mund të ketë edhe probleme psikologjike dhe shëndetësore të fshehura si për shembull depresioni i moshës së mesme.

Në fakt, është e vështirë që të gjesh materiale qoftë edhe në internet sot për këtë gjendje e cila shpesh quhet edhe “menopauza e meshkujve”. Kërkimet që janë bërë kohët e fundit në këtë drejtim nuk janë të plota, megjithatë dihet se shfaqje të simptomave si ato të mësipërmet te meshkujt në moshën rreth të 50-tave mund të kenë të bëjnë me një situatë shumë të përcaktuar të gjendjes shëndetësore dhe psikologjike të individit.

Sipas këtyre studimeve del se kjo gjendje që quhet edhe “adropauza” është një gjendje normale e transformimit njerëzor te mashkulli e karakterizuar me simptoma psikologjike dhe fizike, me ndryshime të shpeshta të humorit, me sjellje të pashpjegueshme dhe mohime të një pjese të mirë të vlerave dhe lidhjeve që dikur kanë qenë të shenjta për personin që kalon një situatë të tillë. Është pak a shumë e njëjta situatë që femrat e pësojnë në një moshë të përafërt me atë që quhet “menopauza”.

Shkencërisht, kjo gjendje është pasojë e prodhimit në një nivel më të pakët të hormoneve mashkullore, veçanërisht testosteronit që në moshën e mesme mund të shkaktojë lodhje, shpërqendrim, përgjumje, ulje të aftësive fizike dhe mendore, e madje edhe depresion në raste të caktuara. Kjo do të thotë që shpesh sjellje të dyshimta të meshkujve mund të jenë shenja të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore. Në këto kushte, në vend që ta dënosh një mashkull a nuk është më mirë që të fillosh ta kuptosh dhe ta drejtosh te një mjek, në vend që t’i japësh duart?

Sigurisht që është një pyetje që kërkon ende shumë studime dhe rezultate shkencore për t’u mbështetur, por megjithatë, në shumë raste mirëkuptimi është i rëndësishëm. Roli i hormoneve në trupin e njeriut është shumë i rëndësishëm dhe ai është parësor në rastet e funksionimit fizik dhe emocional të qenieve njerëzore. Një nga problemet e rënies së hormonit në këtë moshë te meshkujt është për shembull fakti që një pjesë e tyre shndërrohen në impotentë, apo kanë probleme me këtë aspekt të fizikut të tyre. Në këto kushte, ata duhet që të marrin mjekime për të riekuilibruar gjërat në mënyrë që të gjendet balanca e duhur.

Megjithatë, të paktën sipas studimeve të deritanishme, vetëm një pjesë jo e madhe e meshkujve përballen me pasoja ekstreme të këtyre ndryshimeve hormonale në moshën 50-vjeçare dhe mbi të gjitha nuk është vetëm faji i hormoneve. Por kjo situatë më shumë se në mjekësi ka gjetur pasqyrimin e saj në letërsi në krijimin e sa e sa personazheve që vuajnë nga simptoma të ndryshme dhe që si pasojë bëhet problematike, apo bëjnë sjellje që moralisht janë të dënueshme.

Bëhet fjalë për situata hidhërimesh, humbje të interesit dhe objektivave në jetë dhe mbi të gjitha shkëputje nga e përditshmja. Por sigurisht, përveç aspektit fizik kjo situatë ka të bëjë edhe me atë çka ndodh vërtet psikologjikisht në një moshë të mesme. Është mosha kur shumë ëndrra tashmë kanë perënduar njëherë e përgjithmonë, kur trupi nis e ndihet më i rëndë, më i dobët dhe fiziku nuk i tërheq më përfaqësueset e seksit të kundërt si dikur, kur flokët nisin të bien dhe fytyra të shëmtohet.

Kjo në një kohë kur gratë janë më jetëgjata për sa i përket dukjes së jashtme dhe sigurisht edhe duke përdorur ndërhyrje kirurgjikale arrijnë që të jenë në një formë shumë më të mirë. Tashmë në një moshë të tillë edhe vetë ideja e vdekjes nuk është më një diçka e largët, por një realitet më pranë se kurrë më parë. Sipas statistikave, meshkujt vdesin më parë se femrat dhe kjo bën që meshkujt të kenë më shumë frikë nga vdekja duke u nisur edhe nga ky fakt.

Mashkulli nuk është si femra në qendër të mrekullive estetike, sikundër është femra. E ndërsa menopauza e femrave është një problem i njohur për të cilin bëhen fushata njohëse dhe sensibilizuese, për situatën e ngjashme që kalojnë meshkujt ka shumë pak informacion dhe zakonisht meshkujve që demonstrojnë sjellje të tilla u thuhet që “të rriten” dhe t’i lënë mënjanë çilimillëqet.

Pikërisht pjesë e kësaj drame të meshkujve është fakti që askush nuk i merr seriozisht në shqetësimin që kanë dhe madje në më të shumtën e rasteve ata keqgjykohen. Ndaj shpesh duhet që të kemi më shumë mirëkuptim kur një sjellje është jashtë normës së zakonshme, sepse të gjykosh është e lehtë, por nuk të çon larg.

Komento