Metoda revolucionare e shkatërron kancerin

Metoda revolucionare e shkatërron kancerin

Shkencëtarët italianë janë duke e zhvilluar një metodë për shkatërrimin e tumoreve të paoperueshme të mushkërive, e cila bazohet në mikrovalë.

Kjo zgjon shpresën për shumë njerëz, të cilët vuajnë nga sëmundja e kancerit të mushkërive. Metoda e re e shërimit zyrtarisht quhet “ablacion me mikrovalë”.

Ekspertët vendosin një antenë me mikrovalë në tumor, ndërsa valët elektromagnetike i vënë në lëvizje molekulat e ujit në indin rrethues dhe në këtë mënyrë krijojnë fërkim dhe nxehtësi, e cila në fund e shkatërron tumorin.

Gjatë studimit preliminar onkologët e spitalit në Kaljari ia kanë dalë t’i shkatërrojnë tumoret e mushkërive të 19 prej 28 pacientëve.

Edhe tetë muaj pas ndërhyrjes është konstatuar se as edhe një tumor i vetëm nuk është kthyer. Te nëntë pacientët e tjerë, tumoret janë zvogëluar ose nuk janë rritur më. Procedura zgjat një orë dhe kushton rreth 1.500 euro, ndërsa pacientët mbesin në spital gjatë natës për vëzhgim të mëtutjeshëm.

Megjithatë, bashkësia mjekësore është e kujdesshme. Edhe pse e përshëndesin këtë teknikë të qërimit të hesapeve me tumore, ekspertët amerikanë mendojnë se duhet përcjellë një numër më të madh të pacientëve gjatë një periudhe më të gjatë. Vetëm ashtu mund të konstatohet se a ekziston mundësia e mënjanimit.

Udhëheqësi i studimit italian thekson se përparësi kryesore e “ablacionit me mikrovalë” është se në mënyrë të shpejtë i ngrohë qelizat e tumorit në temperaturë të lartë, ndërsa mund të përdoret për shkatërrimin e tumoreve të mëdha. Ka theksuar se si nuk janë paraqitur komplikime të rëndësishme te pacientët. “Ablacioni me mikrovalë” është duke u marrë parasysh edhe për largimin e kancerit të mëlçisë, veshkave dhe eshtrave.

Komento