Home » Shëndetësi » Hepatiti C mund të dëmtojë mëlçinë për 10-40 vjet

Hepatiti C mund të dëmtojë mëlçinë për 10-40 vjet

Hepari (mëlçia) është organi më i madh i organizmit, i lokalizuar nën harkun brinjor të djathtë dhe që është përgjegjës për 500 funksione vitale.

Në të përpunohet çdo gjë që ne marrim nga ushqimi, nga frymëmarrja dhe nga absorbimi nëpërmjet lëkurës.

Mëlçia konverton substancat tona ushqimore në energji dhe ndërton muret e muskujve, hormonet, faktorët e koagulimit dhe faktorët imunitarë. Në të magazinohen shumë vitamina, minerale dhe glukozë për tu përdorur më vonë si energji.

Qelizat e mëlçisë (hepatocitet) prodhojnë bile, një lëng shumë të rëndësishëm në digjestionin dhe absorbimin e nutrientëve. Mëlçia luan rol dhe në detoksifikimin e substancave të dëmshme për organizmin.

Ajo ka aftësi auto- rigjeneruese.
Hepatiti është një term i përgjithshëm që nënkupton inflamacionin e mëlçisë. Mëlçia mund të inflamohet si rezultat i një infeksioni viral, i një çrregullimi të sistemit imunitar, i ekspozimit ndaj alkoolit,medikamenteve, toksinave ose helmeve. Pra hepatiti C është inflamacioni i mëlçisë me virusin e hepatitit C (HCV).

Rrugët e transmetimit
Hepatiti C përhapet nga kontakti i gjakut me gjakun e infektuar. Rrugët e transmetimit përfshijnë përzierjen e ageve për injeksione, për tatuazhet, body piercing, akupunktura dhe për teknika të tjera mjekësore. Gjithashtu, përzierja e mjeteve personale si furçat e dhëmbëve, brisqet e rrojës, mjetet e higjenës së thonjve mund të jetë një rrugë tjetër e transmetimit. Para vitit 1992 shumë njerëz janë kontaminuar me virusin e hepatitis C nëpërmjet transfuzionit të gjakut. Por në këtë vit u bë i disponueshëm testi për identifikimin e antitrupave HCV.

Që nga ajo kohë gjaku për transfusion filloi të depistohet, kështu që rrisku konsiderohet më i paktë se 1 shans për 2 milion unite gjak të transfuzuar. Një përqindje e vogël e njerëzve (1-3%) bien në kontakt me hepatitn C nëpërmjet kontaktit seksual të pambrojtur.

Por në të ashtëquajturit “grup i rriskut”(homoseksualët, prostitutat, personat me aktivitet seksual me shumë partnerë) rruga seksuale e transmetimit mund të jetë më e shpeshtë. Punonjësit e shëndetësisë janë të rriskur nga HCV nëpërmjet shpimit aksidental me aget e përdorura në personat e infektuar. Transmetimi nga nëna tek fëmija gjatë dhe pas lindjes është i mundur në rreth 5%.

Nëse transmetimi ndodh ose jo, kjo varet nga prezenca e niveleve të larta të HCV në gjakun e nënës. Rruga e transmetimit për 10 % të personave të infektuar ngelet e pazbuluar. Transmetimi i HCV nuk ndodh nga kontakti rastësor me persona të ftohur , me kollë, as nga përqafimi apo përdorimi i enëve të kuzhinës.

Parandalimi

Nga sa thamë në lidhje me rrugët e transmetimit, nuk duhet të përziejmë mjetet personale si furçat e dhëmbëve, brisqet e rrojës,dhe sende të tjera vetjake që mund të jenë në kontakt me gjakun. Gjithashtu duhet të jemi të sigurtë në përdorimin e mjeteve që përdoren për tatuazhe, body piercing, akupunkturat, në mënyrë që të jenë të disinfektuara. Duhet të mbulojmë çdo plagë të trupit.

Për të reduktuar rriskun nëpërmjet transmetimit seksual të këtij infeksioni, duhet të praktikojmë marrëdhënie seksuale të sigurta nëpërmjet përdorimit të kondomëve. Sipas Qëndrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, në qoftëse keni një lidhje të gjatë monogamie nuk kërkohet që ju të ndryshoni praktikat seksuale, megjithatë partneret duhet të diskutojnë për obsionet e seksit të sigurtë, në qoftëse partneri është preokupuar për mundësinë e transmetimit.
Në qoftëse një grua ka HCV duhet të shmangni aktin seksual gjatë ditëve të periodave. Higjena e rregullt dentale mund të parandalojë hemoragjinë gingivale që është një tjetër mundësi infektimi.

Njoftoni mjekun, dentistin ose punonjës të shëndetit, nëse ju keni hepatit C (HCV). Në qoftëse jeni një grua me hepatit C duhet të flisni me mjekun në qoftëse mendoni për një shtatzani të ardhshme.
Çfarë progresi ka infeksioni me virusin e hepatitit C?
Pas ekspozimit me virusin e hepatitit C, ekziston një periudhë, gjatë së cilës nuk ka asnjë evidence biologjike për infeksionin dhe që zgjat 2-26 javë. Faza fillestare e hepatitit C quhet hepatit akut që zakonisht kjo fazë zgjidhet pas 2-12 javësh.

Më shumë se 80% e njerëzve të infektuar me hepatit C nuk mund ta eleminojnë virusin nga organizmi dhe kështu ata bëhen të infektuar kronikë. Shumica e njerëzve me HCV kronikë nuk kanë simptoma dhe bëjnë një jetë relativisht normale. Por në 10-25% sëmundja progreson në një periudhë 10-40 vjeçare. Kështu që hepatiti kronik C mund të çojë në shkatërrim të mëlçisë, me zhvillim të indit fibroz, të indit dhjamor, në cirozë dhe në kancer të mëlçisë.

Ciroza e mëlçisë
Ciroza e mëlçisë është një proces që karakterizohet nga dëmtimi i qelizave dhe zëvendësimi me qeliza të dëmtuara. Këto formacione të shtuara qelizash të rrënuara emetojnë fluksin e gjakut nëpër mëlçi duke shkaktuar vdekjen e qelizave të tjera dhe humbjen e funksionit të mëlçisë. Ciroza e kompensuar ka të bëjë me dëmtim të rëndë të mëlçisë, por ajo ende mund të performojë funksionet e saj. Personat me cirrozë të kompensuar paraqesin pak ose aspak simptoma. Cirroza e dekompensuar nënkupton dëmtimin ekstensiv të mëlçisë të pa mundur të kryej funksionin e saj.

Personat me cirrozë të dekompensuar shpesh zhvillojnë komplikacione të tilla si rritje të presionit në venat që çojnë gjakun në mëlçi (hypertension portal), variçe të ezofagut dhe stomakut (tendosje dhe dobësim të enëve të gjakut) që çon në hemoragji të brendshme, ascit që është grumbullimi i lëngjeve në kavitetin abdominal dhe shumë gjendje të tjera me potencial kërcënues për jetën.

Gjithashtu këta të sëmurë mund të provojnë konfuzion mendor të rikthyeshëm. Kanceri i mëlçisë zhvillohet në etapa të vonshme të infeksionit nga hepatiti C, zakonisht pas 25-30 vitesh. Tipi i kancerit që shoqëron infeksionin kronik nga hepatiti C quhet carcinoma hepatoqelizore primare.

Simptomat e hepatitit C
Shumë njerëz raportojnë pak ose aspak simptoma gjatë fazes akute të infeksionit. Po kështu shumica e njerëzve me hepatit kronik C nuk kanë simptoma dhe jetesa e tyre është relativisht normale. Megjithatë të tjerë kanë simptoma të ngjashme me një gjendje gripale si të përziera, lodhje dhe dobësi, ethe, dhimbje koke, humbje të oreksit, dhimbje abdominale, dhimbje të muskujve dhe të artikulacioneve. Për periudha disavjeçare personat mund të zhvillojnë simptoma edhe më serioze që lidhen me dëmtimin e mëlçisë.

Me hepatitin C shoqërohen shumë situata të tjera. Shumë nga këto janë gjëndje autoimunitare në të cilat sistemi imun sulmon indet e vetë organizmit. Gjendjet që shfaqen në njerëzit me hepatit kronik C përfshijnë rezistencën insulinike, sindromën Sjogren (karakterizohet me tharje të syve dhe tharje të gojës), gjëndje të veshkave siç është glomerulonefriti, gjëndje të lëkurës si lichen planus (karakterizohet nga lezione ose gunga të bardha ), dhe porfiria cutanea tarda (skuqje e ndjeshme nga dielli).

Gjëndje të tjera përfshijnë tipe të ndryshme artriti (inflamacion kockor), sëmundje të tiroides, vaskulit (dëmtim të enëve të gjakut) dhe cryoglobulinemia që është rritja e niveleve të proteinave të gjakut që vendosen në veshka, lëkurë dhe në mbaresat nervore. Por duhet thënë se ka persona me hepatit C që nuk provojnë asnjë nga këto kondita shoqëruese.

Simptomat

Hepatiti akut C
Gjendje gripale, lodhje, ethe, djersitje natën, humbje të oreksit, të përziera dhe të vjella, diarre, zverdhje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe artikulacionesh, dhimbje dhe fryrje abdominale.

Hepatiti kronik C
Lodhje, ethe, humbje të oreksit, çrregullime digjestive, dhimbje koke, dhimbje abdominale, dhimbje muskujsh dhe artikulacionesh, depresion dhe luhatje shpirtërore si dhe gjendje e turbullt mendore.

Stadi i vonë i hepatitit C me cirrozë
Lodhje, ethe, humbje të oreksit, të përziera dhe të vjella, mbajtje të lëngjeve në organizëm, urinim të shpeshtë, zverdhje, dhimbje koke, barku, muskujsh, fryrje abdominale, depresion dhe luhatje shpirtërore, mungesë përqëndrimi, konfuzion mendor, marrje mendsh dhe probleme vizive periferike.

Diagnoza e hepatitit C
Testet nuk bëhen rutinë, kërkojani mjekut

Ekzistojnë teste të cilat zbulojnë nëse jeni të infektuar nga hepatiti C dhe stadin e progresionit të sëmundjes. Por këto teste nuk praktikohen në rutinë, ndaj personat duhet tia kërkojnë këtë mjekut të tyre. Disa nga këto teste po përmendim më poshtë: Antitrupat anti-HCV: Eshtë një test i thjeshtë gjaku që zbulon antitrupat HCV që konfirmojnë infektimin.

Testet e ngarkesës virale: Masin sasinë e virusit të hepatitit C në gjakun qarkullues dhe njësia matëse është ose një kopje për ml ose me një njësi standarte IU. Ekzistojnë tre tipa që përcaktojnë ngarkesën virale dhe më i përdorshmi është test i HCV RNA PCR. Ky test konfirmon aktivitetin e sëmundjes, parashikon përgjigjen e trajtimit medikal, dhe mat se sa mirë mjekimet luftojnë virusin.

Testet e përcaktimit të genotipit: Këto teste përdoren për të përcaktuar se çtip të infeksionit HCV keni. Ky test jep informacion të rëndësishëm në lidhje me vendimin që duhet marrë për mjekimin, sasinë dhe zgjatjen e mjekimit dhe mundësinë e përgjigjes së mjekimit.

Testet biokimike të funksionit të mëlçisë : Këto teste tregojnë se sa mirë funksionon mëlçia. Këto teste janë matja në gjak e ALT ose SGPT, AST e njohur si SGOT. Këto janë enzima të mëlçisë të cilat çlirohen në gjak atëherë kur mëlçia është e dëmtuar. Rritja e këtyre enzimave mund të jetë indikatori i parë i infeksionit HCV; këto mund të jenë të rritura në nivele të larta ose të moderuara.

Teste të tjera mund të përfshijnë fosfatazën alkaline (ALP) dhe gamaglutamil transpeptidazën (GGT) pasi nivelet anormale të tyre mund të indikojnë cirrozën dhe bllokimin e rrugëve të tëmthit. Gjithashtu mjeku duhet të kërkojë nivelin e protrombinës (mat shpejtësinë e koagulimit) dhe nivelin e bilirubinës (rritja e së cilës rezulton në zverdhje).

Biopsia e mëlçisë : Përdoret për të vlerësuar ashpërsinë e inflamacionit, dëmtimin hepatik, dhe nevojën e mjekimit. Shumë njerëz tremben përpara kësaj procedure, por komplikacionet janë shumë të rralla./ballkan/

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!
  • a ka mjekim popullor per hepatitin c

    a ka mjekim popullor per hepatitin c

  • zamira

    a mund te kete ndonje zgjidhje

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress