Home » Shëndetësi » Kanceri i qafes se mitres

Kanceri i qafes se mitres

Si mund të diagnostikohet kanceri i qafës së mitrës, shenjat që ka sëmundja dhe si mund të parandalohet në rastet kur është e mundur. Të gjitha këto sot do t’i shpjegojë specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Merkuri.

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës. Qafa e mitrës ndodhet në fundin e mitrës dhe e lidh atë me vaginën. Kanceri i qafës së mitrës ndodh kur qelizat e qafës së mitrës fillojnë të rriten në mënyrë jo normale dhe të pakontrolluar.

Sa i shpeshtë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret më të shpeshta tek femrat dhe takohet sidomos tek femrat rreth moshës 40 vjeç. Kanceri i qafës së mitrës është i dyti pas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në pjesën më të madhe të rasteve, kanceri i qafës së mitrës kapet në faza shumë të avancuara.

Cili është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës?

Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është Virusi i Papilomës Njerëzore ose HPV. Ka më shumë se 100 tipa të virusit të HPV, por një pjesë prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës.

HPV është një virus që mbetet i fshehur në organizëm pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale. Kjo është arsyeja që femrat që ndërrojnë shpesh partnerët seksualë janë më të riskuara për t’u prekur nga kanceri i qafës së mitrës. Infeksioni nga HPV është më i zakonshëm në grup moshat e reja, të cilat janë seksualisht aktive.

Sa kohë do kanceri i qafës së mitrës të zhvillohet?

Nga momenti i shfaqjes së qelizave jonormale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet. Fatmirësisht, koha e gjatë e zhvillimit të këtij lloj kanceri i jep mundësinë një femre ta kapi në kohë atë, nëse kontrollohet rregullisht.

Si mund të mbrohem unë nga kanceri i qafës së mitrës?

Rreziku për kancerin e qafës së mitrës zvogëlohet nëse ju:
Vaksinohuni me vaksinën kundër virusit, HPV që shkakton kancerin e qafës së mitrës.
Bëni rregullisht PAP-Testin. Bëni një vizitë rutine 1 herë në vit te mjeku gjinekolog.
Vaksinimi, bërja e PAP-Testit rregullisht, vizita 1 herë në vit te mjeku gjinekolog, ju mbrojnë nga kanceri i qafës së mitrës.

Çfarë është vaksina kundër HPV-së?

Falë arritjeve të shkencës, sot është prodhuar një vaksinë, e cila të mbron nga infektimi me virusin HPV. Vaksina siguron një mbrojtje të lartë për dy tipat e virusit që janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës.

A ka vaksinë në Shqipëri?

Fatmirësisht vaksina sot gjendet edhe në Shqipëri, në farmaci.

Në çfarë moshe rekomandohet vaksina?

Vaksina rekomandohet të bëhet përpara fillimit të aktivitetit seksual, pra përpara infektimit me virusin HPV. Mosha e rekomanduar është ajo midis moshës 10-26 vjeç. Por, edhe të gjitha femrat mbi këtë moshë mund të vaksinohen, nëse janë akoma të painfektuara në momentin e bërjes së vaksinës. Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës, por nuk e eliminon nevojën e bërjes së PAP-Testit.

Çfarë është PAP-Testi?

PAP-Testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë që bëhet për të parë qelizat e qafës së mitrës. Ky test mund të tregojë, nëse ju keni një infeksion në qafën e mitrës, qeliza jonormale apo kancer të qafës së mitrës.

Përse është kaq i rëndësishëm PAP-Testi?

Sepse bërja e rregullt e PAP-Testit zbulon qelizat jonormale në fazat e hershme pa dhënë akoma kancer të qafës së mitrës. Pjesa më e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të kapen në kohë, atëherë kur trajtimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha.

Të gjitha gratë duhet ta bëjnë PAP-Testin dhe sa shpesh?

Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht PAP-Testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin. Rekomandohet që të gjitha femrat, tre vjet pasi kanë filluar aktivitetin seksual, duhet të kryejnë PAP-Testin rregullisht. Rekomandimet për kryerjen e PAP-Testit janë të ndryshme. Disa rekomandojnë kryerjen e PAP-Testit çdo 1 deri 3 vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rekomandohet: Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë PAP-Testin rregullisht.

Po nëse rezultati i PAP-Testit është jonormal?

Nëse rezultati i PAP-Testit del jonormal, do të thotë që disa qeliza jonormale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Është e rëndësishme të mbajmë mend se qelizat jonormale jo gjithmonë bëhen kanceroze. Në disa raste pjesët jonormale duhen hequr që të mos kthehen në kancer. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë në spitalin gjinekologjik dhe nuk kërkon që ju të shtroheni. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale, apo në mundësinë për të pasur fëmijë.

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!
  • naslie

    jam nje grua 49 vjece,dhe cikli menstrual me vin dy her ne muaj,jo me gjakderdhe te madhe.a eshte shenje e menopauzes kjo?apo dicka tjeter?flm

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress