Molla dhe dardha, “doktorët” më të mirë

Molla dhe dardha, “doktorët” më të mirë

Molla përmban rreth 15 për qind sheqerna, acide organike e sidomos acid malik, është e pasur me karotinë (provitaminë A), me vitamina B1, C, E, P, B2, PP, të cilat ndodhen nën lëkurë.

Farat e mollës përmbajnë albumina dhe yndyrë. Molla si frutë ka veti freskuese, qetësuese dhe zbutëse. Një mollë në ditë do të ruajë shëndetin tonë, por nuk duhet të qërohet para ngrënies. Hulumtuesit kanë zbuluar se acidi i cili e mban lëvoren e mollës të shkëlqyer, na jep më shumë vlera për shëndet se sa vetë brendësia e mollës. Ajo forcon muskujt dhe mban nën kontroll kolesterolin dhe sheqerin.

Lëvoret e mollës mund të përdoren si preparate natyrale për lëkurë por edhe për lustrimin e këpucëve. Çaji i përgatitur me mollë të ziera pakëson etjen, zbut acarimin e laringut, përdoret kundër kollës, kundër ngjirjes së zërit, lehtëson dhimbjet e grykës dhe acarimet e rrugëve të frymëmarrjes, ndihmon për funksionimin e mirë të veshkave dhe të fshikëzës urinare; ai përdoret kundër infeksioneve të këtyre organeve.

Mollët rekomandohen të përdoren nga njerëzit me sëmundjet nervore dhe nga at që vuajnë nga pagjumësia. Mollët kanë dhënë rezultate të mira edhe kudër sëmundjeve të mëlçisë.

Gjethet e mollës përdoren kundër helmimeve. Lëvorja e mollës ka përmbajtje të lartë vitaminoze. Ndërsa molla e egër është një dru i lartë ose një shkurre, degët i ka plot me gjëmba dhe bën pjesë në familjen e trëndafiloreve. Gjethet i ka vezake, të zgjeruara dhe pa push.

Lulet që çelin në prill- maj janë të bardha dhe anash ngjyrë trëndafili. Molla e egër është e rrumbullakët, e vogël, me shije të thartë. Ajo shërben si nëshartesë për të shartuar mollë të buta. Në mjekësinë popullore përdoren frutat e mollës së egër pasi piqen dhe marrin ngjyrë verdhuke. Frutat e mollës së egër, përmbajnë acide organike dhe acid malik.

Ato përdoren kundër diarresë dhe acarimeve të grykës. Mollët e tharta përdoren kundër sëmundjes së sheqerit. Ndërsa lëvorja e degëve ka veti rrudhëse dhe përdoret kundër etheve. Dardha përdoret në gjendje të freskët në kohën e pjekjes natyrore, e ruajtur në frigorifer, dhe e përpunuar në formë marmelate, konserve, kompostoje ose e tharë. Ajo përmban kripëra minerale, si: kalium, kalcium, mangan, fosfor, hekur etj., 4-5 për qind sheqer, vitamina C, B1, B2, B6, karotinë, acide organike etj. Ato janë freskuese, qetësuese, largojnë etjen, lehtësisht pastruese të zorrëve dhe japin energji.

Kur janë të papjekura, nuk treten lehtë dhe qëndrojnë rëndë në stomak. Në sajë të përmbajtjes së hekurit dardhët bëjnë mirë për luftimin e anemisë. Ato bëjnë mirë gjithashtu në mëlçi, pasi nxisin aktivitetin për prodhimin e tëmthit.

Lëvorja e dardhës ka veti diuretike dhe bën mirë në pastrimin e veshkave dhe të rrugëve urinare. Lëngu që fitohet nga zierja e lëvores së degëve të dardhës ndikon pozitivisht në uljen e temperaturës. Gjethet e dardhës kanë veti të mira diuretike dhe antiseptike.

Përdoren kundër sëmundjeve të rrugëve urinare, në gurët e veshkave, në dhimbjet e fshikëzës urinare, etj. Dardha e forcon zemrën, kurse farat e saj ndihmojnë të sëmundjet e lukthit dhe të mëlçisë. Ky fryt e zvogëlon tajitjen e lukthit dhe e ndalon vjelljen. Dardhën e ëmbël është konsideruar si pemë luksoze. Ka prejardhje nga Azia, kurse historia e saj është e gjatë, 3.000 vjet. Në ditët e sotme rëndësi i kushtohet kultivimit dhe kryqëzimit të llojeve të ndryshme të dardhave.

Komento