Mundni lodhjen pranverore me ushqime

Mundni lodhjen pranverore me ushqime

Me gëzim keni pritur pranverën, e tash ndiheni të lodhur, pa vullnet dhe nuk keni forcë as të kryeni aktivitetet e zakonshme e lëre më të kënaqeni me ditët e ngrohta me diell.

Këto janë simptomat e lodhjes pranverore, prej të cilave, sipas disa vlerësimeve, nga viti në vit vuan çdo i dhjeti njeri në planet. Kjo gjendje vjen si pasojë e mënyrës së jetës gjatë stinëve të vjeshtës dhe asaj të dimrit. Ushqimi i rëndë me pak vitamina dhe minerale, rreze të pakta të diellit dhe aktivitete të pakta fizike sjellin në rënien e energjisë.

Mirëpo, me ndryshimin e mënyrës së të ushqyerit dhe me një shëtitje të lehtë në natyrë shumë shpejt përsëri do të jeni në formë. Kur bëhet fjalë për mënyrën të ushqyerit, së pari do të duhej ta kufizonit konsumin e sheqerit dhe yndyrave. Ëmbëlsirat do t’jua kthejnë energjinë për një moment por kjo ndjenjë nuk do të zgjatë për shumë kohë.

Shumë shpejt do të vijë deri tek rënia e shpejtë e nivelit të sheqerit në gjak dhe do të ndiheni edhe më të lodhur. Prandaj përqendrohuni tek ushqimet me karbohidrate, ngase ato janë aleati juaj më i mirë për ta luftuar lodhjen pranverore. Këto janë patatet, makaronat dhe prodhimet e tjera të drithërave.

Nutricistët theksojnë se edhe sasi të vogla të karbohidrateve mjaftojnë që organizmi ta nxitë prodhimin e vet të serotoninës, hormoni i cili dhuron ndjenjën e lumturisë. Menyja juaj duhet të jetë e pasur me shujta të lehta, me pemë dhe perime të freskëta.

Mos hiqni dorë nga dy-tri shujtat kryesore dhe nga dy zamrat, por ato duhet të jenë të përshtatshme me moshën tuaj, aktivitetin tuaj dhe problemet kronike. Me rëndësi të veçantë është të mos tejkaloni kafjallin. Nëse nuk keni aq sa duhet kohë për zamra, atëherë mund të përdorni edhe pemë të freskëta. Magjistari i vogël që largon lodhjen konsiderohet të jetë vitamina C, prandaj konsumoni kivi, portokaj dhe limon.

Lëngu i limonit dhe portokallit përdoret edhe për përzierje në sallatat me pemë dhe perime. Le të gjenden edhe specat dhe majdanozi në tryezën tuaj, sepse janë të pasur me vitamina. Po ashtu duhet të konsumoni mollët dhe bishtajoret përderisa supa dhe gjellët duhet të jenë pjesë e pandashme e drekës. Në luftën kundër lodhjes pranverore përfshihet edhe mishi i peshkut. Hulumtimet më të reja tregojnë se ushqimi i pasur me mish peshku ofron energji shtesë.

Nëse e ndieni veten të lodhur dhe të përgjumur, atëherë me siguri se ju mungon hekuri. Ky mineral luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e hemoglobinës dhe është shumë i rëndësishëm për sistemin imun. Meshkujt kanë nevojë për 10, ndërsa femrat për 15% hekur brenda ditës. Burimet kryesore të hekurit janë soja, spinaqi, mishi i kuq,peshku, arrat, bademi, farat e lirit.

Komento