Parandalimi dhe ndërhyrja në anomalitë ortodontike

Parandalimi dhe ndërhyrja në anomalitë ortodontike

Ne qoftë se në anomalitë e trashëguara apo kongjenitale ortodontia mund të veprojë pjesërisht, në anomalitë e fituara mund të diktojmë që në moshat fare të reja dhe t’i frenojmë këto anomali, sepse qëndrueshmëria e tyre do të provokojë çrregullime strukturale me dëme të mëdha apo të vogla në rritjen e fytyrës dhe në ekuilibrin e kompleksit oro-facial.

Dr. Msc. Olta Shehu,
Stomatologe
“Estetika Dent”
Qendra Tregtare Bregu i Diellit
tel. 044-373-279
[email protected]
[email protected]

Parandalimi në ortodonti
Parandalimi në ortodonti është përmbledhja e masave të marra për të penguar atë që mundet të parashikojë një ortodont. Bëhet fjalë për të eliminuar shkaqet përgjegjëse patogjene për shfaqjen e dismorfozave dhe për të vendosur që nga dita e parë e jetës një ekuilibër nervor që do të sigurojë një funksion muskulor korrekt, duke modifikuar disa shprehi dhe sjellje familjare

Disa nga principet bazë te parandalimit janë:
* Të privilegjohet ushqyerja me gji për të favorizuar një rritje të mirë të nofullës së poshtme.
* Vendosja e foshnjës në krah gjatë gjumit duke evituar pozicionin barkas, i cili favorizon frymëmarrjen me gojë dhe persistencën e mbetjes mbrapa të nofullës së poshtme.
* Pastrimi ditor i hundës favorizon frymëmarrjen me hundë duke ndikuar në zhvillimin normal të fytyrës dhe strukturave nofullore.
* Modifikimi i sjelljes ndaj ushqimit duke favorizuar përdorimin e ushqimeve të forta.

Qëllimi i ortodontisë preventive është:
* Zhvillimi i funksionit përtypës me anë të lëvizjeve propulsive dhe laterale.
* Heqja e vesit te thithjes.
* Heqja e zakoneve (te veseve) të këqija sa më shpejt.
* Ndërgjegjësimi i prindërve për pasojat qe sjellin konsumimi i sheqernave dhe moslarja e dhëmbëve.
* Ndërgjegjësimi i prindërve për kontrollet rutine lidhur me gjendjen buko-orale të fëmijës.

Cila është mosha e duhur për të vendosur aparatin ortodontik?
Nuk ekzistojnë rregulla fikse për të përcaktuar moshën absolute se kur duhet të vendoset një aparat ortodontik. Periudha e duhur për të nisur trajtimin varet vetëm nga lloji i problemit me të cilin përballemi, pavarësisht nëse pacienti është akoma me dhembë të qumështit, në dentature mikse apo në dentature të përhershme.

Disa probleme duhet të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur që në momentin që mund të kemi një bashkëpunim të mundshëm me fëmijën (nga mosha 4 vjeç e lart), ndërsa disa probleme të tjera nuk kanë moshë të përcaktuar për të ndërhyrë.

Problemet kryesore ku duhet të ndërhyhet më herët
– Klasat e treta skeletike (kur mjekra është përpara)
– Cross bite ose kafshim i kryqëzuar (kur te pacienti një ose dy dhëmbë qumështi sipër i ka të mbuluar nga dhëmbët poshtë)
– Spostimet e dhëmbëve si pasojë e veseve (thithja e gishtit, thithja e buzës së poshtme, gëlltitja atipike kur gjatë gëlltitjes gjuha vendoset midis dy nofullave, frymëmarrja me gojë)
– Veprimet (përtypja, gëlltitja, frymëmarrja) e gabuara do të çojnë në forma jonormale të nofullave, kështu që për të evituar probleme më të rënda në të ardhmen, është e udhës një ndërhyrje e hershme për të riekuilibruar rritjen dhe për ta orientuar atë në drejtimin e duhur. Në këto raste, sa më i vogël pacienti, më i mirë do të jetë rezultati i arritur.

Drejtimi i dhëmbëve nuk ka moshe të caktuar. I vetmi kufizim është kur mungon hapësira e nevojshme për dhëmbët. Në këto raste fillimi i trajtimit në moshë më të hershme e përjashton mundësinë e nxjerrjes së dhëmbëve të përhershëm me qëllim rreshtimin e dhëmbëve dhe për të harmonizuar dy harqet dhëmbore.

Është thelbësor fakti që kur trajtimi fillon që në moshën 5-6 vjeç nuk do të thotë që fëmija ta mbajë aparatin deri në moshën 12 vjeçare, por ky trajtim i hershem është njëra fazë e trajtimit përgjatë 12-18 muajve duke u ndjekur nga një periudhë e gjatë kontrolli deri sa të arrihet në kohën kur të gjithë dhëmbët e përhershëm kanë dalë, dhe vetëm atëherë përcaktohet n.q.s. fëmija ka nevojë për një trajtim të dytë për të drejtuar dhëmbët. /Telegrafi/

Komento